Shkurt.ch

Sigurimet shëndetësore kthejnë premitë “e tepërta”

Nga ky kthim parash do të përfitojnë të siguruarit në kantonet si Cyrih, Thurgau, Basel-Stadt por edhe në kantonet e Zvicrës perëndimore

Arkat e sigurimit shëndetësor në Zvicër gjatë gjashtë viteve të ardhshme do t`ua kthejnë klientëve paratë e premive të paguara mbi limitin e caktuar. Janë gjithsej një miliard franga të grumbulluara përmes pagesave të tepërta të premive, shkruan swissinfo.ch.

Para së gjithash nga ky kthim parash do të përfitojnë personat e siguruar në kantonet si Cyrih, Thurgau, Basel-Stadt por edhe në kantonet e Zvicrës perëndimore.

Kthimi i parave atyre do t`u bëhet duke ua zbritur çmimet e premive të muajve në vijim ose duke u ofruar shërbime shtesë brenda ofertave të arkave të sigurimit, ka njoftuar sot Enti federal për Shëndetësi.

Por, sipas këtij njoftimi, në disa kantone ku çmimet e premive të sigurimit shëndetësor kanë qenë më të ulëta, të siguruarit do të detyrohen të paguajnë një shtesë në gjashtë vitet e ardhshme.

Me këtë veprim po synohet të bëhet një barazpeshim i dallimeve të mëdha në mes të kantoneve sa i përket çmimeve të sigurimit shëndetësor në mes të vitit 1996 dhe vitit 2011.