Lajme
Si voton diaspora në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Kroaci dhe Serbi
Albinfo.ch ju prezanton mënyrat e votimit të diasporës në pesë shtete ballkanike
Pa dyshim se e drejta e votës së lirë, e fshehtë dhe e barabartë, është një nga të drejtat themelore dhe të patjetërsueshme të njeriut, e njohur si e tillë nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut.
Dihet se votimi jashtë vendit dallon prej shtetit në shtet. Fillimisht ka praktika të ndryshme në kuptim të llojit të zgjedhjeve, për të cilat qytetarët jashtë shtetit kanë të drejtë votimi. Gjithashtu, ka dallime sa u përket metodave të votimit – përderisa disa shtete ofrojnë një mënyrë të votimit (personalisht ose përmes postës), shtetet ofrojnë mundësi të shumta të votimit, ose përdorin metoda elektronike, inovative për t’ua mundësuar votimin qytetarëve jashtë vendit.
Në disa shtete votat e marra nga votuesit jashtë vendit grumbullohen me votat e qytetarëve banorë të shtetit në një zonë elektorale të vetme, përderisa në disa shtete, ekziston një numër i veçantë i ulëseve në legjislativ që janë të rezervuara për përfaqësim të votuesve jashtë vendit.
Sidoqoftë, Albinfo.ch do t’ju sjellë mënyrat e të votuarit të diasporës në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Kroaci dhe Serbi. Të gjitha këto shtete kanë dallime në mënyrën e votimit dhe të drejtën e të votuarit nga diaspora.
Shqipëria
Në Shqipëri garantimi kushtetues, në parim, i të drejtës për të votuar për çdo shtetas që ka mbushur moshën 18 vjeç ngre problemin e gjetjes së mënyrave të votimit për personat që ditën e votimit gjenden jashtë shtetit.
Garantimi i së drejtës së votës shtetasve shqiptarë jashtë atdheut paraqet disa vështirësi, që e kanë përcjellë Shqipërinë që sa vjet.
Deri më tani ka pasur shumë “argumente” për kufizimin e të drejtës për të votuar vetëm për personat që janë rezidentë në territorin kombëtar, pa lejuar në mënyrë të denjë edhe diasporën shqiptare në mbarë botën.
Në kohën e fundit ka pasur reagime të shumta nga diaspora shqiptare ndaj mënyrës së votimit për gjetjen e një forme më të përshtatshme dhe të drejtë për të votuar dhe ushtruar të drejtën e tyre për vendlindje.
Së fundmi, Lëvizja “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” ka ngritur çështjen për votimin e diasporës dhe lehtësimin e saj, duke u futur në KQZ si grup pune. Kjo lëvizje ka përgatitur një dokument 36 faqesh, ku në mënyrë të detajuar shpjegohet si duhet ndjekur modelin e saj për votimin nga shtetasit shqiptarë jashtë kufijve, që në fakt është Akti Normativ për të drejtë vote, shkruan albinfo.ch.
Florian Haçkaj, një mërgimtar i suksesshëm në fushën e biznesit në Zvicër dhe një nga themeluesit e Lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, tregon për Albinfo.ch se Akti Normativ parashtron disa variante se cilat janë format më të mira për të votuar diaspora.
“Ne kemi përgatitur një dokument 36 faqesh, që analizon të gjitha variantet e votimit për diasporën, sikurse shtetet e tjera, duke vlerësuar se cila nga to është më e mirë dhe më e praktikueshme, sipas së cilës ne e kemi vlerësuar se vota me postë është më e pranueshme në këto zgjedhje, për shkak të kohës që jemi. Ne po ashtu kemi vlerësuar edhe votën elektronike dhe atë në ambasada, por meqenese ato mund të jenë politike dhe shihen me nepotizëm, tani për tani nuk i kemi marrë në konsideratë, të paktën për këto zgjedhje”, është shprehur Haçkaj.
Po ashtu, sipas tij, ka 8 vjet që ekziston Ministria e Diasporës dhe përgjatë këtyre 8 vjetëve kjo Ministri nuk ka bërë asgjë lidhur me të drejtën e votës dhe krijimin e një metode të përshtatshme, ani pse në këto ditët e fundit Ministria ka deklaruar se duhet të pranohet e drejta e votimit nga diaspora.
Gjithashtu, Haçkaj shprehet për albinfo.ch se pavarësisht të gjithave, një pjesë e diasporës është koshiente se votat edhe mund të keqpërdoren, pasi që qeveria ka zgjedhur katër “officer diaspore”, (dy për Greqinë dhe dy të tjerë për Italinë) që do të merren me evidentimin e listave për votuesit e diasporës, të cilët dyshohen se janë drejtues të lartë të Partisë Socialiste dhe ka shumë rezerva besimi në ta.
Sidoqoftë, ende nuk ka një vendim të prerë për mënyrën e votimit të diasporës, pasi që pritet konsensus nga partitë politike shqiptare.
Kujtojmë se në zgjedhjet e tjera e vetmja mënyrë ka qenë ardhja e diasporës në vendlindje dhe votimi i tyre në mënyrë fizike.
Maqedonia e Veriut
Maqedonia e Veriut është shtet multietnik, që e përbëjnë, maqedonasit, shqiptarët dhe 22 nacionalitete ndërsa diaspora në këtë vend luan një rol të rëndësishëm në zgjedhjet e këtij shteti, shkruan albinfo.ch.
Maqedonia e Veriut kishte një model që cilësohet i mirë për votuesit nga diaspora. Të gjithë votuesit jashtë këtij shteti zakonisht kanë votuar një ditë para zgjedhjeve në konsullatat më të afërta në shtetin ku jetonin mërgimtarët.
Të drejtën e votës jashtë vendit, sipas ligjeve e kanë pasur shtetasit e Maqedonisë, zgjedhje këto që janë realizuar në 46 përfaqësitë diplomatike konsullare dhe zyrat konsullare, duke votuar në pikat më të afërta, ku duhej një dokument identifikues që e vërtetonte shtetësinë e tyre maqedonase.
Kujtojmë se vite me radhë votuesit me numër më të madh kanë qenë në Bernë të Zvicrës, Sofje, Ankara, Venecie, në Detroid, Nju-Jork, Melburn, Madrid, Pekin dhe në Varshavë, si dhe në shumë shtete të tjera të botës.
Vlen të theksohet se ky model në vitin 2020 nuk ndodhi. Në zgjedhjet e fundit nuk u mbajt votimi në diasporë, sepse ishte gjendje e jashtëzakonshme pandemie, mbyllje dhe nuk kishte numër të mjaftueshëm të votuesve, shkruan tutje albinfo.ch.
Megjithatë, mërgimtarët me të drejtë votimi në zgjedhjet e fundit ishin vetëm ata që kanë udhëtuar në vendlindje me dokumentacion të vlefshëm.
Ndërkohë që në vitet e ardhshme zgjedhore priten reforma të reja për mënyrën e votimit nga diaspora, modeli i paraparë nëpër konsullata cilësohet me favore të larta për votime të përmasave të mëdha nga ana e diasporës dhe praktike për të gjithë mërgimtarët.
Mali i Zi
Mali i Zi nuk ka një rregullore për mënyrën e votimit nga diaspora. Personat të cilët jetojnë jashtë Malit të Zi nuk kanë të drejtë vote nga distanca (shteti ku jetojnë), por e vetmja mënyrë është ardhja e tyre në vendlindje për të votuar, sipas rregulloreve të zgjedhjeve, transmeton albinfo.ch.
Ky model i votimit për diasporën konsiderohet i mangët dhe cenim i të drejtës për të votuar për zgjedhje demokratike.
Ani pse votimi nga distanca e përfaqësuesve të diasporës është një praktikë që e realizojnë në mënyrë të rregullt dhe standard, disa vende të tjera të rajonit dhe të Europës në politikat e Malit të Zi nuk kanë qenë në agjenden e tyre deri më tani.
Sipas statistikave zyrtare, 1/3 e shqiptarëve në Mal të Zi jetojnë në botën e jashtme, por dihet se në realitet kjo shifër është më e madhe dhe afro gjysma e popullsisë shqiptare në Mal të Zi sot jeton në mërgatë, thuhet në një studim të bërë vite më parë në lidhje me migrimin në këtë shtet.
Shumë ekspertë politikë vlerësojnë se vota e diasporës malazese është diçka që nuk duhet të mohohet dhe të anashkalohet, por mund të merret si faktor me ndikim në rezultatin e zgjedhjeve, qofshin ata lokale apo qendrore.
Kroacia
Në Kroaci votimi për personat jashtë vendit nuk lejohet për zgjedhje të nivelit rajonal/lokal. Ndërsa, për zgjedhjet presidenciale dhe ato nacionale, diaspora kroate ka një të drejtë vote, transmeton albinfo.ch.
Duke qenë se në disa shtete aplikohet vetëm një mënyrë e votimit dhe ajo është votimi fizik, shteti i Kroacisë ka në parim vetëm këtë mënyrë të votimit, ku çdo mërgimtar që dëshiron të votojë për zgjedhjet e këtij shteti, duhet ta bëjë fizikisht, duke udhëtuar dhe të zotërojë dokumentacion të rregullt për të votuar në këtë shtet.
Në Kroaci numri i ulëseve të rezervuara për diasporën varet nga numri i votuesve që kanë marrë pjesë në zgjedhje, por diaspora nuk mund të ketë më shumë se gjashtë ulëse në Parlamentin e Kroacisë me rregullore.
Serbia
Edhe shteti i Serbisë ka të rregulluar mënyrën e votimit për diasporën e saj.
Ky shtet ka në rregullore që në çdo zgjedhje diaspora mund të votojë në vendvotimet, të cilat organizohen në shtetet e tyre përkatëse, pra, në përfaqësitë e tyre diplomatike.
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, në një prononcim për Albinfo.ch ka treguar se edhe diaspora e Serbisë ka të drejtë vote në përfaqësitë e tyre ku ata jetojnë.
“Komisioni Qendror Zgjedhor përcakton vendvotimet jashtë vendit, e sipas rregullit, këto janë përfaqësitë diplomatike të Serbisë (konsulltat). Secili votues voton personalisht në përfaqësinë më të afërt të shtetit përkatës ku ata jetojnë”, shprehet Kamberi. /Albino.ch
E-Diaspora
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në Aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe Blin Hoxha nga Prishtina është piloti shqiptar i cili së fundmi shihet në një video ku...
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
-
Haziri: Diaspora nuk është determinuese e rezultatit të zgjedhjeve
-
Një rrugë në Filadelfia të SHBA-së merr emrin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”
-
Në kërkim për trafik droge, arrestohet në Spanjë 32-vjeçari shqiptar
Jeta në Zvicër
-
Nga 1 janari do të mund të ndryshohen në çdo moment disa modele të sigurimit shëndetësor Të mërkurën, Këshilli Federal vendosi hyrjen në fuqi të urdhëresës përkatëse për 1 janar 2025, ashgu...
-
Çmimet e pronave zvicerane nuk tregojnë shenja rënie
-
Shtatë gjëra që thjesht nuk mund t’i mbani sekret në Zvicër
-
Ulja e kostos dhe emigracioni: Sfidat me të cilat do të përballet Zvicra në vitin 2025
-
Shumica e zviceranëve nuk i pëlqejnë masat shtrënguese të qeverisë së tyre