Bota

Si të kurseni në rezervime për pushimet e vitit 2023?

Cilat janë mënyrat më të mira për të kursyer kur rezervoni pushimet për vitin 2023?

Viti i ri na bën të gjithëve të mendojmë për planet tona për 12 muajt e ardhshëm. Dhe shumë prej nesh do ta nisin vitin duke realizuar planet dhe duke rezervuar pushime për vitin 2023. Por kriza e kostos së jetesës do të thotë që ne të gjithë po kërkojmë të përfitojmë sa më shumë me paratë tona. Buxhetet më të shtrënguara po ndryshojnë mënyrën se si udhëtojmë, por kjo nuk do të thotë të humbasim. Pra, cilat janë mënyrat më të mira për të kursyer kur rezervoni pushimet për vitin 2023?

Rezervoni fluturimin tuaj paraprakisht dhe në ditën më të lirë për të udhëtuar

Një nga mënyrat më të mira për të kursyer mund të jetë vendosja e sinjalizimeve (notifications) që do t’ju njoftojnë kur çmimi i fluturimit tuaj ulet, sipas motorit të kërkimit të udhëtimeve Kayak ose tjetër. Gjithashtu ia vlen të planifikosh përpara. Numri i ditëve që duhet të rezervoni paraprakisht ndryshon në varësi të destinacionit tuaj. Nëse jeni duke udhëtuar në Bangkok, Tajlandë, për shembull, java më e mirë për të shkuar është nga 24 Prilli. Kursimet më të mëdha duhet të bëhen nëse rezervoni udhëtimin tuaj 29 ditë përpara. Udhëtimi të mërkurën mund t’ju kursejë gjithashtu para, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, nëse po rezervoni një pushim për në Nju Jork, mund t’ju duhet të blini biletat tuaja 63 ditë përpara se të fluturoni dhe të udhëtoni të martën për të gjetur ofertat më të mira. Në përgjithësi, Kayak zbuloi se të martën dhe të mërkurën ishin ditët më të mira për t’u nisur për të kursyer sa më shumë para.

Kërkoni destinacione ku paratë tuaja do të shkojnë më tej

Nëse po udhëtoni me një buxhet, duhet të siguroheni që po merrni vlerën më të mirë për paratë tuaja. Kjo mund të nënkuptojë marrjen parasysh të destinacioneve që nuk i keni eksploruar kurrë më parë. Vlen të krahasoni disa opsione alternative për të zbuluar se ku kushtojnë më pak akomodimi, ushqimi jashtë dhe aktivitetet.

Faqja e planifikimit të udhëtimit Omio shikoi disa nga qytetet më të lira në Evropë kur bëhet fjalë për faktorë si aktivitetet, ushqimi dhe transporti publik. Nga 100 destinacione, Granada në Spanjë doli në krye me 112 aktivitete falas duke përfshirë pikën më të rëndësishme të qytetit, Alhambra. Birra kushton pak më shumë se 2 euro dhe darka për dy do t’ju kushtojë rreth 44 euro. Bruges në Belgjikë dhe, ndoshta çuditërisht, Venecia, Itali, u renditën menjëherë pas Granadës në listën e pushimeve të lira evropiane në qytet.

Zgjidhni udhëtimet jashtë sezonit për të kursyer para

Të gjithë e dimë se udhëtimi në kulmin e sezonit mund të jetë i shtrenjtë. Pra, nëse po kërkoni të vizitoni destinacionet kryesore me një çmim të lirë, provoni të rezervoni jashtë sezonit. Do të jeni gjithashtu në shoqëri të mirë me më shumë se gjysmën e udhëtarëve që kërkojnë të kursejnë duke vizituar destinacionet jashtë sezonit në 2023, sipas Booking.com.

Nëse keni shumë fleksibilitet në datat e pushimeve tuaja – dhe nuk jeni të kufizuar nga pushimet e shkollës – atëherë zgjedhja e udhëtimit kur të tjerët nuk janë, mund t’i bëjë paratë tuaja të shkojnë më tej. Në përgjithësi, çmimet janë më të ulëta gjatë muajve mars, prill, shtator dhe tetor.

Ulni kostot me pushimet dhe udhëtimin me tren

Sondazhi vjetor i udhëtimeve i Booking.com zbuloi gjithashtu se më shumë se gjysma prej nesh do të marrë një rrugë më të gjatë në udhëtimet tona jashtë vendit për të kursyer para. Fluturimet lidhëse janë përgjithësisht më të lira se ato pa ndalesa dhe, nëse qëndrimi juaj është mjaft i gjatë, mund t’ju japë kohë të mjaftueshme për të eksploruar një qytet shtesë.

Me koston e fluturimeve në rritje, pse të mos merrni parasysh forma alternative të transportit si trenat? Në të vërtetë mund të marrë më pak kohë në disa rrugë. Dhe nëse po shkoni në një vendpushim të ndërgjegjshëm për mjedisin si Morzine në Alpet Franceze, mund të merrni edhe një zbritje në disa shërbime si shpërblim për marrjen e trenit dhe jo të avionit.

Udhëtoni lehtë për të kursyer para në tarifat e bagazheve

Përpjekja për të kursyer para shpesh nënkupton të udhëtoni me një linjë ajrore buxhetore. Por ne të gjithë kemi përjetuar kostot shtesë që vijnë me shtimin e valixheve të mëdha në rezervimin tuaj. Fluturimet e lira janë joshëse, por ato shpesh përfshijnë vetëm bagazhin e dorës në çmim – disa vetëm një çantë nën ulëse. Me të vërtetë mund të ‘hajë’ buxhetin tuaj nëse bagazhet tuaja të mëdha duhet të kontrollohen kur të mbërrini në aeroport.

Megjithatë, bagazhe të lehtë nuk do të thotë mos të merrni gjera esenciale me vete por të paketoni gjërat tuaja në mënyrë sa më inteligjente në mënyrë të tillë që të keni hapësirë edhe për blerje të reja në qytetin ku do të udhëtoni!