Lajme

Si po trajtohet mërgimtari nga Zvicra në burgun e Beogradit

Shkon për shërimin e nënës në Beograd, por arrestohet në Merdar

Mërgimtari, i cili jeton dhe vepron në Zvicër, Nezir Mehmetaj, nga fshati Rudicë e Klinës, të premten është ndaluar nga policia serbe në pikën kufitare Merdar, përcjell albinfo.ch.

Shtetasi nga Kosova, i dënuar të dielën (5 janar) nga Gjykata e Beogradit me 30 ditë paraburgim, po përballet me presion të vazhdueshëm gjatë vuajtjes së dënimit.

Mediat kosovare shkruajnë se gruaja e Nezirit ka marrë rrugët e Beogradit për të vizituar bashkëshortin e saj, i cili mbahet në burg nga drejtësia serbe për arsye të ‘shpikura’.

Gjatë kësaj vizite, Neziri i kishte rrëfyer bashkëshortes se po qëndron në një dhomë me dy serbë, të cilët gjatë tërë kohës po i bëjnë presion dhe po e etiketojnë me epitete të ndryshme, “krimineli shqiptar” e shumë fjalë të tjera poshtëruese.

Ndryshe, i arrestuari Nezir Mehmetaj ka afro 30 vjet që jeton në Zvicër. Ai kishte ardhur në Kosovë për shkak se nëna e tij ishte e sëmurë. Me ç’ rast ai kishte shkuar në Beograd për t’ia bërë analizat. Por, derisa kthehej në Kosovë, u ndalua nga doganierët serbë, me arsyetimin se gjendet në “Stop Listë”. /Albinfo.ch.