Lajme

Si po ndryshon popullsia e Evropës dhe çfarë po bën BE-ja për këtë

Popullsia e vendeve në të gjithë Evropën po ndryshon, me disa në rritje, ndërsa të tjerat po bien. Popullsia po plaket gjithashtu që do të thotë se BE-ja duhet të reagojë ndaj ndryshimit të demografisë

Pas dekadash rritjeje, popullsia e Bashkimit Evropian është ulur gjatë dy vjetëve të fundit kryesisht për shkak të qindra-mijëra vdekjeve të shkaktuara nga pandemia Covid-19.

Të dhënat e fundit nga zyra statistikore e BE-së, Eurostat, tregojnë se popullsia e BE-së ishte 446.8 milionë më 1 janar 2022, 172,000 më pak se një vit më parë. Më 1 janar 2020, BE kishte një popullsi prej 447.3 milionë banorësh.

Ky trend është për shkak se në 2020-ën dhe 2021-ën, dy vjetët e shënuara nga pandemia gjymtuese, ka pasur më shumë vdekje sesa lindje dhe ndryshimi negativ natyror ka qenë më domethënës se migrimi neto pozitiv, shkruan The Local, përcjell albinfo.ch.

Por ka dallime të mëdha midis vendeve. Për shembull, në aspektin numerik, Italia është vendi ku popullsia ka rënë më shumë, ndërsa Franca ka shënuar rritjen më të madhe.

Çfarë po ndodh dhe si po reagon BE-ja?

Në vitin 2021, kishte pothuajse 4.1 milion lindje dhe 5.3 milion vdekje në BE, kështu që ndryshimi natyror ishte negativ me 1.2 milion (më gjerësisht, kishte 113,000 vdekje më shumë në 2021 se në 2020 dhe 531,000 vdekje më shumë në 2020 se në 2019, ndërsa numri i lindjeve mbeti pothuajse i njëjtë).

Migrimi neto, numri i njerëzve që mbërrinin në BE minus ata që largoheshin, ishte 1.1 milion, jo i mjaftueshëm për të kompensuar.

Megjithatë, një rritje e popullsisë u regjistrua në 17 vende. Nëntë (Belgjika, Danimarka, Irlanda, Franca, Qiproja, Luksemburgu, Malta, Holanda dhe Suedia) patën një rritje natyrore dhe një migracion pozitiv neto.

Në cilat vende po rritet popullsia?

Në tetë vende të BE-së (Republika Çeke, Gjermania, Estonia, Spanja, Lituania, Austria, Portugalia dhe Finlanda), popullsia u rrit për shkak të migrimit neto pozitiv, ndërsa ndryshimi natyror ishte negativ.

Rritja më e madhe në terma absolutë ishte në Francë (+185,900). Rritja më e lartë natyrore ishte në Irlandë (5.0 për 1000 persona), ndërsa shkalla më e madhe e rritjes në raport me popullsinë ekzistuese u regjistrua në Luksemburg, Irlandë, Qipro dhe Maltë (të gjitha mbi 8.0 për 1000 persona).

Në total, 22 Shtete Anëtare të BE-së patën migracion pozitiv neto, me Luksemburgun (13.2 për 1 000 persona), Lituaninë (12.4) dhe Portugalinë (9.6) që kryesojnë listën, përcjell tutje albinfo.ch.

Ku po bie popullsia?

Nga ana tjetër, 18 vende të BE-së patën norma negative të ndryshimit natyror, me vdekjet më të mëdha se lindjet në vitin 2021.

Dhjetë prej tyre shënuan një rënie të popullsisë. Në Bullgari, Itali, Hungari, Poloni dhe Slloveni popullsia ra për shkak të një ndryshimi negativ natyror, ndërsa migrimi neto ishte pak pozitiv.

Në Kroaci, Greqi, Letoni, Rumani dhe Sllovaki, rënia erdhi si nga ndryshimi negativ natyror ashtu edhe nga migrimi negativ neto.

Rënia më e madhe e popullsisë u raportua në Itali, e cila humbi mbi një çerek milioni (-253,100).

Ndryshimi më i rëndësishëm negativ natyror ishte në Bullgari (-13.1 për 1000 persona), Letoni (-9.1), Lituani (-8.7) dhe Rumani (-8.2). Në baza proporcionale, Kroacia dhe Bullgaria shënuan rënien më të madhe të popullsisë (-33.1 për 1000 persona), përcjell tutje albinfo.ch.

Si po u përgjigjet BE-ja ndryshimeve demografike?

Nga 354.5 milionë në vitin 1960, popullsia e BE-së u rrit në 446.8 milionë më 1 janar 2022, një rritje prej 92.3 milionë. Nëse rritja ishte rreth 3 milion njerëz në vit në vitet 1960, ajo u ngadalësua në rreth 0.7 milion në vit mesatarisht midis 2005 dhe 2022, sipas Eurostat.

Ndryshimi natyror ishte pozitiv deri në vitin 2011 dhe u kthye negativ në vitin 2012 kur migrimi neto u bë faktori kryesor për rritjen e popullsisë. Megjithatë, në 2020 dhe 2021, kjo nuk kompensoi më ndryshimin natyror dhe çoi në një rënie.

Me kalimin e kohës, thotë Eurostat, ndryshimi natyror negativ pritet të vazhdojë duke pasur parasysh plakjen e popullsisë nëse shkalla e fertilitetit (numri i përgjithshëm i fëmijëve të lindur për çdo grua) mbetet i ulët.

Kjo shtron pyetje për të ardhmen e tregut të punës dhe shërbimeve të sigurimeve shoqërore, si pensionet dhe kujdesi shëndetësor.

Komisioni Evropian vlerëson se deri në vitin 2070, 30.3 për qind e popullsisë së BE-së do të jetë 65 vjeç ose më shumë krahasuar me 20.3 për qind në 2019, dhe 13.2 për qind parashikohet të jetë 80 ose më i vjetër krahasuar me 5.8 për qind në 2019.

Numri i njerëzve që kanë nevojë për kujdes afatgjatë pritet të rritet nga 19.5 milion në 2016 në 23.6 milion në 2030 dhe 30.5 milion në 2050.

Megjithatë, ndryshimi demografik ndikon ndryshe në vende të ndryshme dhe shpesh në rajone brenda të njëjtit vend.

Kur mori presidencën e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen emëroi Dubravka Šuica, një politikane kroate, si Komisionere për Demokraci dhe Demografi për t’u marrë me këto ndryshime.

Ndër masat në diskutim, në janar 2021, Komisioni nisi një debat mbi shoqërinë e plakur të Evropës, duke sugjeruar hapa për pjesëmarrje më të lartë në tregun e punës, duke përfshirë më shumë barazi midis grave dhe burrave dhe jetë më të gjatë pune.

Në prill, Komisioni propozoi masa për ta bërë Evropën më tërheqëse për punëtorët e huaj, duke përfshirë thjeshtimin e rregullave për shtetasit jo-BE që jetojnë për një kohë të gjatë në BE. Këto do të duhet të miratohen nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së.

Në tremujorin e katërt të këtij viti, Komisioni planifikon gjithashtu të paraqesë një komunikim për trajtimin e ‘ikjes së trurit’ dhe zbutjen e sfidave që lidhen me rënien e popullsisë në rajonet me nivele të ulëta të lindjeve dhe emigracion neto të lartë.