Kosova
Si po ec procesi i zgjerimit të BE-së?
Në dhjetor të vitit 2023 liderët e Bashkimit Evropian e kanë marrë vendimin historik për t’i nisur bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, përcjell albinfo.ch.
Mirëpo, edhe pasi kanë kaluar dy muaj të vitit 2024, hapja de facto e negociatave nuk ka ndodhur, pasi ka zëra brenda bllokut evropian që frikësohen se BE-ja po vepron shpejt në këtë drejtim, sidomos kur është fjala për Kievin.
Dilemat rriten edhe më shumë, pasi Parlamenti Evropian do t’i mbajë zgjedhjet në qershor të këtij viti.
Meqë Ukraina dhe Moldavia tani janë të lidhura në perspektivën e tyre të zgjerimit, kjo natyrisht se ka ndikim te Kishinau.
Në këtë moment duhet vëzhguar disa aspekte në të njëjtën kohë, duke nisur prej kornizës negociuese që duhet të miratohet si për Ukrainën, ashtu edhe për Moldavinë, si dhe vlerësimet ’afatmesme’ për të dyja, si dhe për Bosnjë e Hercegovinë, të cilat Komisioni Evropian pritet t’i dorëzojë para vendeve anëtare më 12 mars.
Raportet e plota për të gjitha vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor dhe ato në lindje të Evropës do të publikohen në fund të tetorit.
Mënyra më e mirë për të kuptuar gjithë procesin është duke iu rikthyer konkluzioneve të samitit të BE-së, të mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar, kur të 27 liderët e vendeve anëtare janë pajtuar kur ka qenë fjala për zgjerimin.
Në dokument ceket që ”Këshilli Evropian vendos për t’i hapur negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe me Republikën e Moldavisë. Këshilli Evropian fton Këshillin që të miratojë kornizat respektive negociuese pasi të përmbushen rekomandimet e Komisionit, të datës 8 nëntor 2023”, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Domethënia “e fshehtë” e dy fjalive të BE-së për Ukrainën
Sa u përket Ukrainës dhe Moldavisë, rekomandimet që lidhen me çështje të sundimit të ligjit veçse janë duke u kryer, ndonëse më pas varet prej interpretimit nëse janë përfunduar të gjitha.
Komisionit Evropian nuk i takon të bëjë interpretime në këtë drejtim dhe as vendeve të BE-së që të pajtohen ose jo me to.
Me fjalë të tjera, ecja përpara mund të duket si proces në bazë meritash, mirëpo sikurse gjithçka tjetër në Bruksel, thelbin e ka politik.
Edhe për Bosnjë e Hercegovinën duket është kthyer mbrapa te konkluzionet.
Në samitin e njëjtë, kur ka qenë fjala për Sarajevën, është thënë se “Këshilli Evropian do t’i hapë bisedimet e anëtarësimit me Bosnjë e Hercegovinën, sapo të arrihet një përputhshmëri me kriteret e anëtarësimit. Këshilli i kërkon Komisionit që të raportojë për përparimin e bërë në mars të vitit 2024, para se të merret vendimi”.
Ku është procesi tani?
Sarajeva është një hap mbrapa Ukrainës dhe Moldavisë, pasi nisja e bisedimeve është kushtëzuar me kryerjen e një numri reformash, të cilat përmenden në raportimin e zgjerimit të Komisionit Evropian, të publikuar në nëntor të vitit të kaluar.
Por, këtu ekzistojnë edhe doza politike, pasi disa prej mbështetësve më të mëdhenj të Sarajevës në BE – Austria, Kroacia, Hungaria dhe Sllovenia – të gjitha dëshirojnë që Bosnja të ecë me të njëjtin ritëm sikurse Ukraina dhe Moldavia.
Prandaj këto vende e kanë shfrytëzuar situatën, duke përdorur një lloj vetoje për t’i dhënë dritën e gjelbër Kishinaut dhe Kievit, me qëllim që të binden disa vende që kanë dilema për përparimin e Bosnjës.
Stagnimi në integrim i atribuohet edhe Ballkanit, edhe BE-së
Një pikë tjetër është se liderët e BE-së kanë kërkuar një raport specifik për përparimin që ka bërë Bosnja deri në mars të vitit 2024, diçka që nuk është kërkuar edhe për Moldavinë dhe Ukrainën.
Skenari më i mundshëm është që Komisioni Evropian do të dorëzojë një raport me shkrim për Bosnjën, ndërsa do të bëjë vetëm vlerësime gojore për Ukrainën dhe Moldavinë.
Liderët e BE-së do të mblidhen sërish për një samit në Bruksel më 21-22 mars.
Disa burime i kanë thënë Radios Evropa e Lirë që Gjermania dhe Franca nuk dëshirojnë që samiti t’i dedikohet zgjerimit, pasi kanë më shumë interesim për problemin e armatimit të Ukrainës.
Data më premtuese duket se është fundi i qershorit. Natyrisht, pas zgjedhjeve evropiane.
Liderët e BE-së planifikojnë t’i mbajnë dy samite në Bruksel – kryesisht për të zgjedhur presidentin e Komisionit Evropian dhe atë të Këshillit Evropian – por të diskutojnë edhe mbi zgjerimin.
Ekziston edhe një tjetër arsye pse fundi i qershorit mund të jetë afat i fundit – Ukraina dhe Moldavia mund t’i kryejnë edhe disa reforma deri atëherë.
Po korniza negociuese që përmendet në konkluzat e samitit?
Në fakt, ai është një dokument prej 20 faqesh që përmend disa prej kapitujve kryesorë të negociatave, zakonisht rreth 33, dhe secili ka në fokus fusha të ndryshme, shembull bujqësinë, taksat, çështjet e brendshme dhe ajo se çfarë duhet të bëjë një shtet kandidat për t’i harmonizuar ligjet me ato të BE-së.
Zakonisht, dokumenti është një përmbledhje dhe nuk përmban ndonjë element politik kundërthënës dhe një i ngjashëm as nuk pritet të formulohet për Ukrainën dhe Moldavinë.
Komisioni Evropian është duke punuar në drafte dhe presidentja e këtij trupi Ursula von der Leyen pati thënë në një vizitë në Kiev, në përvjetorin e dytë të luftës së Rusisë, se korniza negociuese për Kievin (si dhe për Kishinaun) mund të jetë gati në mesin e marsit.
Pikëpyetja e madhe është nëse vendet anëtare të BE-së do t’i miratojnë ato.
Miratimi duhet të bëhet në mënyrë unanime, prandaj qershori mund të jetë afati më i mirë.
Plani i Hungarisë dhe përfshirja e Gjeorgjisë në të
Në këtë fotografi, goxha komplekse, janë të përfshira edhe dy vende tjera: Gjeorgjia dhe një plan i Hungarisë që Tbilisi të ecë përpara.
Budapesti edhe Komisionarin Evropian, Oliver Varhelyin, i cili është i angazhuar në negociatat e zgjerimit.
Hungaria do të jetë në krye të presidencës gjashtëmujore të Këshillit Evropian prej 1 korrikut.
Duke marrë parasysh dilemat e hapura të Budapestit për anëtarësimin e Ukrainës në BE – të ilustruara më së miri në dhjetor, kur kryeministri hungarez, Viktor Orban është detyruar të largohet prej dhomës, në mënyrë që vendet tjera t’i jepnin dritën e gjelbër Ukrainës për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit – ka shqetësime që Ukraina nuk do të lëvizë aspak në këtë drejtim, as në gjysmën e dytë të vitit 2024.
Pse?
Diplomatët, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, janë të ndarë në dy kampe të ndryshme.
Disa mendojnë që Hungaria do të jetë aktive ndaj gjithçkaje që është ukrainase dhe që çdo vendim që lidhet me Kievin do të duhet të merret para 1 korrikut, ose duhet të presë derisa Polonia të jetë në krye të presidencës, më 1 janar të vitit 2025.
Të tjerë besojnë që nuk duhet të krijohet shumë histeri dhe të mbivlerësohet roli i Hungarisë në vendimmarrje vetëm pse është në krye të presidencës, pasi nëse Budapesti dëshiron të shkaktojë telashe, ai do ta bëjë këtë si kur është, si kur nuk është në presidencë.
Për më shumë, vendimet për zgjerimin duhet të merren në mënyrë unaime.
Mund të thuhet që një konferencë ndërqeveritare do të mbahet me Moldavinë dhe Ukrainën në qershor. Nuk mund të përjashtohet një e tillë edhe me Bosnjën.
Në këtë pikë duhet përmendur edhe rolin e Varhelyit, i cili pavarësisht faktit që zyrtarisht punon për Komisionin Evropian, duket se i pëlqen qëndrimet e Budapestit, kur është fjala për zgjerimin.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të zhvillojë nesër (24 nëntor) takimin me shqiptarët në Londër,...
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor