Tematike
Mediumi gjerman: “Si po e ndryshojnë shqiptarët pop muzikën gjermane”
"Çfarë i bën kaq të suksesshëm muzikantët si Noizy, Azet, Loredana, Dardan, Mozzik, Ardian Bujupi apo Genti? Si i lidhin ata bashkë identitetet e tyre gjermano-shqiptare?"
Transmetuesi publik i Bavarisë, Bayerisches Rundfunk, në seksionin e tij të radios i kushton një emision dhe një artikull interesant temës se si “shqiptarët po e ndryshojnë pop muzikën gjermane”. Ky është në fakt edhe titulli i emisionit dhe artikullit, të cilit i paraprin si moto titulli shqip i këngës së reperes së njohur shqiptare Loredana “A po don me”.
Në vazhdim, albinfo.ch sjell në gjuhën shqipe këtë qasje të veçantë, me pretendime të një vështrimi sociokulturor, të një mediumi serioz gjerman rreth një teme të pazakonshme, sikur kjo.
“Çfarë i bën kaq të suksesshëm muzikantët si Noizy, Azet, Loredana, Dardan, Mozzik, Ardian Bujupi apo Genti? Si i lidhin ata bashkë identitetet e tyre gjermano-shqiptare? Dhe pse nuk janë ende në seksionet e fejtonit – edhe pse këngët e tyre kanë miliona transmetime? Çfarë thonë shqiptarët nga vendi i tyre i lindjes për muzikën gjermane të idhujve të tyre? Pyet autori i emisionit dhe artikullit përkatës, Malcolm Ohanwe.
Në Gjermani, Austri dhe Zvicër, jetojnë shumica e njerëzve me origjinë shqiptare jashtë Evropës Jugore. Pasardhësit e emigrantëve nga Kosova dhe Shqipëria aktualisht po shijojnë një sukses të madh në skenën muzikore gjermane – shpesh me transmetime në nivele dyshifrore të milionave, transmeton albinfo.ch. Por në faqet e fejtoneve gjermane këto prurje nuk kanë arritur ende ose arrijnë, me shumë vështirësi.
Kosova si garanci klikimi
Një vështrim në toplistat zyrtare gjermane të javëve të fundit na mundëson të shohim se Mozzik x Loredana kohët e fundit kishte një hit numër një me këngën “Rosenkrieg” – brenda së cilës një strofë ishte krejtësisht në gjuhën shqipe! Albumi i reperit Azet “Neue Welt” është gjithashtu plot me tituj shqiptarë si “Une Jam” ose “Ti Harro”, këngë të cilat gjithashtu kanë kryesuar listat gjermane të shitjeve. Reperët në fjalë jo vetëm që kanë një të ashtuquajtur sfond migrimi, por ata edhe punojnë me producentë ose tekstshkrues që janë rritur në rajon.
Nëse dëgjoni më nga afër ose pyesni folësit vendas, mbi të gjitha është theksi i shqipes kosovare që mbizotëron në muzikën popullore. Është shteti i ri i Kosovës dhe jo Shqipëria, nga vjen e gjithë kjo muzikë. Nuk është rastësi. Kosova është vendi me popullsinë më të re në Evropë. Shteti zyrtarisht ekziston vetëm për pak më shumë se dhjetë vjet. Njerëzit atje duan të dalin nga varfëria dhe shpesh e shohin muzikën si një rrugëdalje”, sjkruan më tutje mediumi gjerman.
Tani është formë pothuajse standarde depërtimi për një muzikant të suksesshëm që të bëjë një devijim për në Kosovë, në Prishtinë dhe të regjistrojë disa hite në studiot e atjeshme me yjet vendas. Rezultat i kësaj konsiston në kombinime si ai me muzikantin gjermano-iranian Nimo dhe kosovarin Butrint ose këngëtaren kosovare Dhurata Dora dhe yllin rep të Kongos Maitre Gims. Këto pjesë lehtësisht arrijnë 100 milion klikime në YouTube.
Një shqiptare e Kosovës që ka hapur dyert në këtë drejtim është këngëtarja Era Istrefi. Në vitin 2016 ajo pati një hit absolut surprizë me këngën “BonBon”, e cila u këndua tërësisht në shqip. Kënga qe bërë virale në rrjetet sociale sepse Istrefi në një meme krahasohet me këngëtaren e njohur Rihanna. Në fakt, shumë nga yjet shqiptarë të repit dhe R&B mbajnë modele afrikane me flokë të thurura ose me modele të mbështetura në yje amerikanë.
Muzika moderne, me ndikim shqiptar, e pop-it që dëgjohet shumë në “shisha-baret” gjermane ndikohet fuqimisht nga muzika e zezë amerikane, e Karaibeve ose e Afrikës Perëndimore. Shumë nga këngët tingëllojnë si ato të këngëtarëve: Drake, Nicki Minaj, Sean Paul ose Wizkid – por të përziera me elemente “orientale”, në formë instrumentalesh me ndjesi orientale, përcjell albinfo.ch. Shumica e rajonit është mysliman, gjë që e veçon këtë muzikë nga format e tjera të popit ballkanik.
Këto suksese muzikore sigurojnë shikueshmëri, vetëvlerësim dhe krenari për një grup njerëzish që janë larguar nga një shtet në të cilin ishin pakicë. Në Jugosllavinë e dikurshme nën Titon, shqiptarët nuk ishin lejuar të jetonin lirisht me identitetin e tyre. “Pasi shumëve prej tyre u qe dashur të iknin në Gjermani para luftës, ata përjetuan racizmin edhe këtu,” shpjegon studiuesi gjermano-kosovar Adem Ferizaj në një intervistë për Zündfunk. “Kur përpiqeshim të shpjegonim se kush ishim dhe nga vinim si fëmijë të vegjël në Gjermani, të gjithë thjesht thoshin ‘Jugo’. Ndërsa shpjegimi se vinim nga ai shtet por nuk ishim jugosllavë, ishte i komplikuar për shumë veta”, transmeton albinfo.ch.
Por, pasi dolën yje si Istrefi, Azet apo Loredana, të gjithë e dinë se çfarë është Kosova, përcjell albinfo.ch. Dhe muzikantë si Nori dhe Andrra, të cilët po bëhen gati të bëjnë përparimin e tyre të madh, janë të lumtur që ky popull i vogël i shqiptarëve aktualisht po ecën kaq mirë në skenën e madhe hip-hop për sa i përket kulturës pop muzikës, shkruan Bayerischer Rundfunk.
Të ngjashme
Të tjera nga Tematike
E-Diaspora
-
Vlerësim i lartë për kompaninë „Halili + Partner“ të inxhinierit Besnik Halili Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Rexhep Demiri ka vizituar dhe vlerësuar lartë...
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
Jeta në Zvicër
-
Çmimet e ndërtimit janë ende në rritje, por jo në Ticino Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave, rritja ndikon si në ndërtim, ashtu...
-
A janë zviceranët dorështrënguar?
-
Vlerësim i lartë për kompaninë „Halili + Partner“ të inxhinierit Besnik Halili
-
Plani i madh 5-vjeçar i punës fillon në Gjenevë vitin e ardhshëm
-
Zviceranët do të votojnë për subvencionet e trenave të natës