Futboll

Si mund të kualifikohet Zvicra?

Edhe pse duket një mision i vështirë, Nati ka gjasa të kalojë tutje

Zvicra e ka nisur jo mirë Kampionatin Evropian. Një barazim me Uellsin 1:1 dhe një ndeshje e dobët ndaj Italisë, duke pësuar 3:0.

Pavarësisht kësaj, Nati ka gjasa të kalojë në 1/8 e finaleve. Nga ora 18:00 përballen Zvicra-Turqia dhe Italia-Uellsi. Italia është e para me gjashtë pikë, Uellsi me katër pikë, Zvicra një dhe Turqia pa pikë, shkruan albinfo.ch.

Dy vendet e para kualifikohen tutje, kurse katër vendet më të mira të treta nga gjashtë grupe, gjithashtu kualifikohen tutje.

Zvicra duhet të fitojë përballje ndaj Turqisë për të shpresuar kualifikimin tutje. Barazimi do të ishte thikë me dy teha dhe me gjasa minimale. Nati gjithashtu mund të përfundojë e dyta nëse fiton me Turqinë dhe Uellsi pëson humbje të thellë nga Italia.

Gjasa teorike ka edhe Turqia, ku me një fitore do të shpresonte, por do të duhet goleadë për të shpresuar kualifikimin. Uellsi me një barazim siguron kualifikimin tutje.

Gjithsesi, gjithçka do të varet edhe nga rezultatet e grupeve tjera. Zvicra është në Grupin A dhe mund të duhet disa ditë për të kuptuar fatin e saj.

Sidoqoftë, fitorja e afron shumë në kualifikim edhe pse nuk ka zhvilluar lojëra të mira në këtë Evropian.