Tematike
Si jetohet në lindje të Gjermanisë – 30 vjet pas ribashkimit
Lindja e Gjermanisë mbetet me problematika specifike, edhe 30 vjet pas ribashkimit të Gjermanisë. Kushtet e jetesës po afrohen me Perëndimin, por shumë ngadalë
Çfarë niveli të jetesës gëzojnë sot qytetarët e pjesës lindore të Gjermanisë, 30 vjet pas ribashkimit? Sa janë ngushtuar dallimet në standard në mes të ish Republikës Demokratike Gjermane dhe Republikës Federale të Gjermanisë? Për këto dhe hollësi tjera në lidhje me specifikat në raportin lindje-perëndim në kuadër të shtetit të bashkuar gjerman, shkruan Auron Dodi nga Deutsche welle.
Lindja e Gjermanisë mbetet me problematika specifike, edhe 30 vjet pas ribashkimit të Gjermanisë. Kushtet e jetesës po afrohen me Perëndimin, por shumë ngadalë, shkruan Dodi, duke iu referuar raportit të qeverisë për Lindjen.
Në vitin e 30-të që nga ribashkimi i Gjermanisë, i Ngarkuari i ri qeverisë për Lindjen, Marco Wanderwitz paraqiti një raport të gjatë e kritik. Wanderwitz, që vjen vetë nga landi lindor i Saksonisë shkruan se nga Lindja vazhdojnë të largohen shumë njerëz; se në Lindje është veçanërisht i përhapur ekstremizmi i djathtë; se jo vetëm Perëndimi i ka dhënë Lindjes, por edhe Lindja e ka ndikuar Perëndimin.
Në tërësi në raport konstatohet se është kapërcyer në masë të madhe ndarja e thellë midis Perëndimit dhe Lindjes, e cila pati 40 vjet socializëm me RDGJ. Kjo vlen për lirinë e demokracinë, për kushtet rajonale të jetesës dhe për fuqinë ekonomike. Ky është konstatimi i të Ngarkuarit të qeverisë për landet lindore të Gjermanisë, pra për landet Meklenburg-Forpommerani, Brandenburg, Saksoni-Anhalt, Saksoni dhe Tyringen, që më parë kanë qenë territor i RDGJ.
I Ngarkuari i qeverisë gjermane tha të mërkurën (16.09.2020) se fuqia mesatare ekonomike e landeve lindore me Berlinin është aktualisht 79,1 përqind e mesatares së Gjermanisë. Pra është katërfishuar prej vitit 1990.
Fuqia ekonomike e landeve të Lindjes gjermane, në këtë mënyrë tani është e krahasueshme me fuqinë ekonomike të shumë rajoneve franceze. Njëkohësisht nuk duhet harruar se asnjë land i Lindjes nuk e ka arritur ekonomikisht as landin më të dobët të Perëndimit të Gjermanisë.
Cilat janë shkaqet e prapambetjes relative ekonomike
Në Lindje mungojnë edhe më tej rajone të forta ekonomikisht, ku të ketë një denduri të madhe vendesh pune, rajone që mund të ishin me interes për sipërmarrje të mëdha, me orientim ndërkombëtar, p.sh. në fushën e kërkimeve. Është fakt edhe se qendrat e koncerneve të mëdha ndodhen të gjitha në Perëndim të Gjermanisë.
Kjo bën që landet lindore të mbledhin më pak taksa, pra të kenë më pak të ardhura. Por në fakt, kjo gjendje ka qenë historikisht e tillë, edhe para RDGJ-së: koncernet e mëdha kanë qenë të përqendruara në Perëndim të Gjermanisë.
Veç kësaj, vazhdon ikja e njerëzve nga Lindja drejt Perëndimit të Gjermanisë. Aktualisht janë kryesisht të rinjtë që ikin.
Numri i banorëve në Lindje tani është aq sa ka qenë në vitin 1905. Ka edhe kthime në Lindje të Gjermanisë. Por numri i kthimeve nuk i kalon rregullisht largimet. Në këto kushte, shoqëria në Lindje të Gjermanisë po plaket me shpejtësi.
I ngarkuari i qeverisë gjermane tha se vjetërimi strukturor i shoqërisë lindore mund të kompensohet vetëm me migrantë. Që në Lindje, jo rrallë, janë të padëshiruar. Ai tha se po të mos paraqitën tërheqës për migrantët landet lindore, atëherë imigrimi atje “nuk do të ndodhë”.
Emigrantët në lindje, shpesh të padëshiruar
Fakti që migrantët shpesh nuk preferohen në Lindje, nga njëra anë shpjegohet me traditën, pasi RDGJ ka qenë shtet i mbyllur, si shtet komunist që ishte. Punëtorët e paktë që vinin në RDGJ nga shtete socialiste, si p.sh. nga Vietnami, jetonin në blloqe banimi, të veçuar.
Nga ana tjetër: në raport thuhet se në landet lindore ekstremizmi i djathtë është veçanërisht i përhapur; se radhët e partisë ultra të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, AfD, vazhdojnë të mbushen përditë me anëtarë të rinj. Dhe në Lindje mbushen kryesisht me ekstremistë të djathtë.
Në Lindje ka probleme edhe për qëndrimin ndaj demokracisë. Vetëm një në katër vetë e sheh në Lindje demokracinë si formën më të mirë shtetërore. Kurse në Perëndim të Gjermanisë janë 91 përqind, që e thonë këtë. Raporti konstaton se në Lindje ka edhe një tendencë për ta paraqitur të zbutur natyrën represive të Republikës Demokrative Gjermane si shtet.
Njëkohësisht edhe në Lindje ka elementë pozitivë për t’u veçuar. Në Jena, për shembull, është krijuar një bërthamë industriale shumë moderne dhe inovative për optikën dhe fotonikën. Në trekëndëshin Dresden-Chemnitz-Freiberg industria e çipave elektronikë është një nga adresat kryesore në Evropë.
Sa gjermanolindorë ka në poste drejtuese në Gjermani?
Matthias Höhn, deputet në Bundestag i partisë E Majta, partisë ku është shkrirë partia shtet e RDGJ-së, Partia Socialiste e Bashkuar (SED), e kritikoi raportin, se ai zbukuron.
Ai tha se gjermanolindorët ndihen në pikëpamje sociale si njerëz pa rëndësi. Meqenëse vetëm 3 përqind e gjermanolindorëve mbajnë pozicione drejtuese në Gjermani, kur popullsia e Lindjes së Gjermanisë, është 17 përqind e popullsisë së gjithë Gjermanisë. Gjermania e bashkuar ka aktualisht 83,02 milionë banorë.
Deputeti i Së Majtës kujtoi edhe se në Lindje punohet më gjatë dhe fitohet shumë më pak se në Perëndim. Po edhe raporti i qeverisë gjermane pranon se në shumë drejtime duhet bërë më shumë. Kështu në komisionin që zgjedh gjykatësit në Bundestag tani nuk ka më diskutim: që kur të zgjidhen gjykatësit federalë të shikohet që ata të vijnë edhe nga Lindja e Gjermanisë.
30 vjet pas ribashkimit të Gjermanisë, mbizotërojnë problemet apo suksesi?
I ngarkuari i qeverisë gjermane për Lindjen tha shprehimisht se “gjen më shumë gjëra që bashkojnë se gjëra që ndajnë” Lindjen nga Perëndimi i Gjermanisë. Afrimi i kushteve të jetesës po avancon, por shumë ngadalë.
Nga ana tjetër: që prej rënies së Murit në 1989 Lindja i ka dhënë impulse pozitive edhe Perëndimit. Për shembull që të dalin më shumë femra nga shtëpia për të punuar, të mos rrinë shtëpiake; në shtimin e numrit të kopshteve ditore në Perëndim; apo edhe në konceptet për zhvillimin e arsimit në Perëndim. Në sajë të traditës në Lindje të Gjermanisë, edhe sot atje ka p.sh. rrjet më të dendur kopshtesh e përkujdesjeje sociale.
Të ngjashme
Të tjera nga Tematike
E-Diaspora
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu Më 10 dhjetor 2024, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë...
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor