Lajme

Si është përhapur ndihma për vdekjen në botë dhe si ndryshojnë ligjet

Për herë të parë pas gati një dekade, deputetët në Angli dhe Uells do të votojnë për t’u dhënë të drejtën për ndihmë në vdekje të rriturve me sëmundje terminale. Ndërsa kjo praktikë mbetet e paligjshme në shumicën e vendeve, më shumë se 300 milionë njerëz tani jetojnë në vende ku ndihma për vdekjen është legalizuar.

Kanadaja, Australia, Zelanda e Re, Spanja dhe Austria kanë miratuar ligje për ndihmën në vdekje që nga viti 2015 – kur deputetët në Mbretërinë e Bashkuar votuan për herë të fundit për këtë çështje – disa prej tyre duke e lejuar atë edhe për persona që nuk janë në fazë terminale.

Projektligji i propozuar në Angli dhe Uells parashikon masa mbrojtëse që mbështetësit thonë se do ta bëjnë atë grupin më të rreptë të rregullave në botë, me pacientët që do të duhet të marrin miratimin e një gjykatësi të Gjykatës së Lartë. Nga ana tjetër, kritikët thonë se ndryshimi i ligjit do të ishte një hap i rrezikshëm që do të vinte në rrezik më të dobëtit. Ata argumentojnë se fokusi duhet të jetë në përmirësimin e aksesit në kujdesin paliativ.

Përpara votimit të së premtes, hedhim një vështrim mbi ligjet për ndihmën në vdekje në Amerikën e Veriut, Evropë dhe Australinë e Re.

Shtetet e Bashkuara

Në SHBA, ndihma për vdekjen – të cilën disa kritikë preferojnë ta quajnë vetëvrasje e asistuar – është e ligjshme në 10 shtete dhe në Washington DC. Oregoni ishte një nga vendet e para në botë që ofroi ndihmë për vdekje për disa pacientë, në vitin 1997, dhe ka më shumë se 25 vjet përvojë. Ky model është bërë baza mbi të cilën janë ndërtuar ligjet e tjera për ndihmën në vdekje në SHBA.

Në Oregon, ndihma për vdekjen ofrohet për të rriturit me sëmundje terminale dhe të aftë mendërisht, që pritet të vdesin brenda gjashtë muajve – dhe duhet të miratohet nga dy mjekë. Që nga viti 1997, 4,274 njerëz kanë marrë një recetë për një dozë vdekjeprurëse të medikamenteve, me 2,847 (67%) prej tyre që kanë ndërruar jetë.

Kanadaja

Kanadaja shpesh përmendet nga kundërshtarët si një shembull i asaj që ata quajnë “rrëshqitje drejt një tatëpjete”. Ndihma mjekësore në vdekje (MAID) u prezantua në vitin 2016, fillimisht vetëm për pacientët me sëmundje terminale. Ky ligj u zgjerua në 2021 për të përfshirë ata që përjetojnë “vuajtje të padurueshme” nga një sëmundje ose paaftësi e pakthyeshme.

Evropa

Në Evropë, ndihma për vdekjen është legalizuar në Zvicër, Holandë, Belgjikë, Luksemburg, Spanjë dhe Austri. Ndryshe nga propozimi për Anglinë dhe Uellsin, në këto vende ndihma për vdekjen nuk kufizohet vetëm për të sëmurët terminalë.

Zvicra ishte vendi i parë që për të vdekur” kur legalizoi vetëvrasjen e asistuar në vitin 1942. Ajo është një nga pak vendet që lejon të huajt të marrin ndihmë për të vdekur përmes organizatave si Dignitas, në Zurich. Më shumë se 500 shtetas britanikë kanë vdekur në Dignitas gjatë dy dekadave të fundit, duke përfshirë 40 vetëm vitin e kaluar. Medikamenti vdekjeprurës duhet të administrohet nga vetë pacienti.

Holanda dhe Belgjika legalizuan ndihmën në vdekje më shumë se 20 vite më parë për pacientët që përjetojnë vuajtje të padurueshme nga një sëmundje e pashërueshme, duke përfshirë edhe problemet mendore. Që atëherë, kjo është zgjeruar edhe për fëmijët, duke bërë këto dy vende të vetmet në Evropë që lejojnë këtë. Të dyja vendet lejojnë edhe eutanazinë – ose ndihmën e drejtpërdrejtë nga mjeku për vdekje.

Më së fundmi, Spanja dhe Austria kanë legalizuar ndihmën në vdekje si për sëmundjet terminale, ashtu edhe për vuajtjet e padurueshme. Në Austri, ilaçi duhet të administrohet nga vetë pacienti, ndërsa në Spanjë, një profesionist mjekësor mund ta administrojë atë.

Me gjithë ndryshimet mes tyre, ajo që është e qartë është se kriteret për ndihmën në vdekje janë shumë më të gjera në Evropë sesa ato që janë propozuar në Britaninë e Madhe. Deputetët në Holyrood pritet të diskutojnë një projektligj të ngjashëm për Skocinë me atë që po votohet në Westminster.

Një projektligj që do t’u lejojë pacientëve të rritur me sëmundje terminale të vdesin, nëse kanë më pak se 12 muaj jetë, është afër kalimit të të gjitha fazave në parlamentin e Ishullit të Manit. Legjislacioni ka të ngjarë të marrë Pëlqimin Mbretëror vitin e ardhshëm dhe ndihma e parë në vdekje në ishull mund të ndodhë në vitin 2027. Kjo përfshin një kërkesë për banim prej pesë vitesh. Xhersi gjithashtu është angazhuar për të ndryshuar ligjin për të lejuar ndihmën në vdekje për pacientët me sëmundje terminale.

Australia dhe Zelanda e Re

Në vitet e fundit, ndihma vullnetare në vdekje është bërë e ligjshme në shumicën e Australisë. Në Zelandën e Re, pacientët duhet të kenë sëmundje terminale dhe të pritet të vdesin brenda gjashtë muajve. Ky afat zgjatet deri në 12 muaj për ata me një sëmundje neurodegjenerative në pjesët e pranueshme të Australisë.

Në të dy vendet, pacientët mund ta administrojnë vetë ilaçin vdekjeprurës. Por mjeku ose infermieri gjithashtu mund ta administrojnë atë, zakonisht përmes një injeksioni intravenoz.