Sport

Si e përjetuan skandalin me himnin, Xhimshiti dhe Mavraj

Por, sikur të mos luhej himni i vërtetë, a do të pranonte Kombëtarja Shqiptare të luante? “Nuk e kam idenë. Për fat, puna nuk erdhi deri aty!”, përgjigjet Xhimshiti

Skandali me ngatërrimin e himnit shqiptar që ndodhi në stadiumin e Parisit, para ndeshjes kualifikuese për Evropianin 2020, Francë – Shqipëri është “përplasur” në radhë të parë te lojtarët e Kombëtares Shqiptare.

Si e kanë përjetuar ata këtë situatë të sikletshme dhe çfarë kanë menduar në ato momente? Gazeta zvicerane Blick ka pyetur lidhur me këtë, Berat Xhimshitin, futbollistin nga Zvicra që luan për Shqipërinë.

“Ne, me të dëgjuar tonin e parë  të himnit, filluam të këndonim. Por kur e kuptuam se nuk ishte himni ynë, ne u ndalëm së kënduari menjëherë”, thotë Xhimshiti, transmeton albinfo.ch. Pastaj lojtarët e Kombëtares, në të cilën veç Xhimshitit kishte edhe “zviceranë” të tjerë si Abrashi dhe Lenjani, pritën deri sa të intonohej himni shqiptar.

“Menaxheri i ekipit tonë kishte vendosur që ne do të luanim vetëm pasi që francezët të kenë lëshuar himnin e duhur. Kur ky më në fund u dëgjua, duartrokiti i gjithë stadiumi”, thotë Xhimshiti më tutje.

Por, sikur të mos luhej himni i vërtetë, a do të pranonte Kombëtarja Shqiptare të luante? “Nuk e kam idenë. Për fat, puna nuk erdhi deri aty!”, përgjigjet mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare.

Edhe kapiteni i Kombëtares, Muhamet Mavraj është shprehur rreth skandalit. “Himni është për ne diçka e veçantë, një motiv i veçantë, me po atë fuqi simbolizuese sikur ngjyrat e flamurit të vendit tonë dhe ne, thjesht, nuk deshëm të hiqnim dorë nga ky simbol”, përcjell albinfo.ch. Por, përgjegjësit e kishin nënçmuar rëndësinë e himnit, thotë Mavraj. Ndërkaq ai e thotë se nuk është hidhëruar me francezët. “Ko nuk është ndonjë gjë e madhe. Gabimet janë njerëzore, ne nuk jemi të indinjuar dhe nuk ndihemi të trajtuar pa respekt”.

Siç është shkruar tashmë gjithandej, skandali me himnin ka marrë vëmendje të madhe të publikut, jo vetëm në Shqipëri. Vetë presidenti i Francës, Macron i ka kërkuar falje kryeministrit shqiptar, Edi Ramës, për këtë ngatërrim. Bëhej fjalë për një ngatërrim të dyfishtë: së pari u lëshua në eter himni i Andorës në vend të atij të Shqipërisë dhe pastaj spikeri i stadiumit, duke kërkuar falje bëri gabimin e dytë. Ai në vend se nga shqiptarët, kërkoi faljje nga armenianët (!).

Kjo ngatërresë e ka hedhur në hije edhe vetë rezultatin e ndeshjes, gjithsesi të pafavorshëm për Shqipërinë, 4 me 1 për Francën.