Integrimi
Shumë zhurmë për pak gjë ose riciklimi i klisheve për “klanet” shqiptare
Intervistë me avokatin Jeton Kryeziu lidhur me procesin gjyqësor që shpalli të pafajshëm shqiptarët e akuzuar për skllavërim të katër grave, po ashtu shqiptare
Nga fillimi i muajit që po përfundon, shqiptarët u ngjitën sërish në kryetitujt e mediave zvicerane, me një temë të rëndë, akuzën për një “klan” familjar që kishte mbajtur në kushte skllavërie katër gra, po ashtu shqiptare. Fjala është për gjykimin e paralajmëruar me shumë pompë të një babai dhe katër djemve të tij, në Gjykatën e Qarkut, në Moutier të Kantonit të Bernës, për të cilin ka shkruar edhe Albinfo.ch.
Tema si e tillë, e “stërpikur” edhe me ca ekzotikë të kanunit, u bë shkas për riciklimin e paragjykimeve mbi shqiptarët në Zvicër. Por, vendimi gjyqësor që u shqiptua para pak ditësh (më 24 nëntor) “shpërtheu balonat” e sensacionit, duke shpallur plotësisht të pafajshëm dy nga të akuzuarit dhe duke u shqiptuar dënime fare simbolike tre të tjerëve. Me gjithë fundin lehtësues për të akuzuarit, dëmi tashmë ishte bërë: shqiptarët (jo vetëm të akuzuarit konkretë) u fajësuan për jetë prapanike, në klane, jetë e rregulluar nga dogmat e kanunit etj.
Avokati i njohur shqiptar nga Lozana, Jeton Kryeziu ka qenë i përfshirë në këtë proces si mbrojtës i njërit prej djemve të akuzuar. Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me të, në të cilën Kryeziu shkoqit më në hollësi kontekstin dhe prapaskenat e procesit.
Albinfo.ch: I nderuar avokat. Ju, si profesionist i përfshirë në procesin e zhvilluar në Moutier, si e vlerësoni ngritjen e një akuze kaq të rëndë, pa pasur mbështetje në dëshmi te qëndrueshme? A mund të flitet me këtë rast për abuzim të detyrës edhe nga pala akuzuese (prokuroria dhe paditëset private)?
J. Kryeziu: Prokurori në fakt ka punuar shumë mirë dhe ashtu si e kërkon ligji, domethënë që pas 3 vite hetimesh, i ka tërhequr veprat penale që nuk kanë plotësuar kushtet (për akuzë), dhe i ka mbajtur ato për të cilat ka pasur ende mundësi që të plotësohen kushtet në fjalë. Kjo është në përputhshmëri me parimin e njohur latin “in dubio pro duriore”, (në rast dyshimi, akuza mbetet). Në këtë mënyrë, prokurori nuk e ka kufizuar gjykatën sa u përket veprave penale, por e ka dhënë mundësinë që edhe Gjykata të analizojë nëse aplikohen apo jo veprat e renda për të cilat klientët tanë kanë qenë të akuzuar. Kështu që gjatë seancës që ka zgjatur 5 ditë të plota, edhe gjykata ka konstatuar që kushtet për të aplikuar veprat më të rënda, nuk janë plotësuar.
Sa u përket palëve akuzuese (grave), çështja është ndryshe. Ato kanë abuzuar me faktet që i kanë përshkruar. Ato, gjatë hetimeve edhe deri në seancën gjyqësore, kanë qenë shumë vetëkundërshtuese dhe jo koherente. Por duke e pasur parasysh se qëllimi i tyre ishte të fitojnë leje qëndrimi në Zvicër, kuptohet që kanë akuzuar rëndë, pa pasur me këtë rast parasysh shpenzimet e procedurës dhe as dëmin që u kanë shkaktuar klientëve tanë.
Albinfo.ch: Cili ka qenë roli juaj si mbrojtës? Cilin nga të akuzuarit e keni mbrojtur ju?
J. Kryeziu: Un kam mbrojtur djalin e madh të familjes. Roli im ka qenë të mbroj klientin tim. Nisur nga fakti që jam shqiptar dhe që kam kulturë shqiptare, njëri nga rolet e mia ishte edhe që të shpjegoj të gjitha palët e rastit, si akuzueset ashtu edhe të akuzuarit, janë rritur, janë edukuar, martuar dhe kanë jetuar me vlerat shqiptare dhe në këtë rast, veçanërisht me disa vlera të Kanunit, i cili fatkeqësisht njihet shumë pak jo vetëm në Zvicër, por edhe te ne, shqiptarët.
Secili nga ne jemi edukuar me vlera shqiptare, si për shembull respekti ndaj të moshuarve, mikpritja, vlera e fjalës së dhënë, domethënë “Besa”, të cilat në thelb janë shumë të çmuara dhe të mira. Dhe fakti që në një moment do të poshtërojmë dikë dhe t`i shkelim ato për një ligj më të favorshëm nuk është pranuar në këtë vendim gjyqësor. Për këtë, mua personalisht kjo më gëzon edhe më shumë së sa vetë rezultati i vendimit. Për mua, një lis, sa do të jetë i fuqishëm dhe i fortë, pa rrënjë ka vdekur, kështu që as ne nuk duhet të shkelim traditat tona mijëvjeçare, por të jetojmë në respekt të të drejtave të secilit, duke mbajtur vlerat tona.
Albinfo.ch: A mund të ketë pasoja ky gjykim tani për gratë që, në bazë të akuzës janë konsideruar si viktima?
J. Kryeziu: Pa dyshim që do të ketë pasoja, kryesisht në situatën administrative të atyre. Po të ishin dënuar klientët tanë për veprat e rënda që akuzoheshin, akuzueset do të ishin konsideruar nga ligji si viktima dhe do të kishin fituar leje qëndrimi, gjë që nuk do të ndodhë në këtë rast.
Në fakt, ky vendim, ndonëse shumë i mirë, nuk mund të konsiderohet si fitore (e plotë) nga klientët tanë, sepse mbi bazë të tij, (ish-)gratë e tyre do të detyrohen ta lëshojnë Zvicrën nëse nuk kontraktojnë ndonjë martesë tjetër, kështu që edhe fëmijët e tyre të përbashkët do të largohen.
Albinfo.ch: A është paralajmëruar ankesë kundër vendimit?
J. Kryeziu: Deri sot (e diele 27 nëntor 2022) asnjëra palë nuk ka bërë ankesë. Por, strategjikisht për të fituar drejtën e qëndrimit në Zvicër edhe disa muaj apo një vit dhe ndoshta për të kontraktuar ndonjë martesë tjetër, domethënë deri sa të përfundojë procedura e apelit, jemi duke pritur një ankesë nga akuzueset. Megjithatë, do të jetë më shumë një kundërshtim strategjik me qellim të fitimit të lejes së qëndrimit se sa për arsyetim penal, sepse vendimi i gjykatës është me të vërtetë shumë mirë i motivuar dhe nuk lë asnjë hapësirë kundërshtimi.
Përfundimisht: të gjitha akuzat dhe ky rast penal si i tillë, ishin pjesë e strategjisë nga akuzueset për të fituar leje qëndrimi, sepse vendimi penal e tregon: ato nuk kanë qenë as të dhunuara, as të mbyllura, as të kufizuara, as të keqtrajtuara, ashtu siç e thonë në akuzat e ngritura.
Por fakti që më prek më shumë është që akuzueset kanë vepruar duke pasur parasysh vetëm interesat e tyre personale, pa marrë aspak parasysh interesat e fëmijëve, duke precizuar që të gjithë çiftet kanë fëmijë. Nga një jetë familjare normale, me vështirësitë ditore, financiare dhe personale që ka secili çift, tani jo vetëm prindërit, por edhe fëmijët gjenden në një situatë të rëndë dhe para një ardhmërie të pa sigurt. Pikërisht kjo më prek më shumë sesa përfundimi i mirë i rastit.
Të ngjashme
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Frankfurt: Agnesa Kolica, fituese e “Çmimit për Integrim” Ky çmim është një shembull i shkëlqyer për diasporën tonë...
-
Gjermani: Festohet 112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
-
Një yll në ngritje: Fiona, sopranoja e verbër, me zë brilant
-
Londër: Shënohet 112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
-
Pesë gjeodetë nga Kosova magjistrojnë në Vjenë
Jeta në Zvicër
-
Gjermania lëviz për ta bërë jetën më të lirë për blerësit nga Zvicra Ndërsa rregullat e reja zvicerane do t'i bëjnë blerjet ndërkufitare më pak fitimprurëse për njerëzit nga...
-
I kanë marrë priftit 300 mijë franga, me mashtrim: Dënohen dy kosovarë
-
Zvicër: Më shumë fuqi vjen nga dielli
-
Nesër, në Cyrih, protestë e heshtur kundër paraqitjes së Vuqiçit në Zvicër
-
Realizimi i pagës minimale të planifikuar në Cyrih ballafaqohet me pengesa