E-Diaspora
Shuk Orani: Piktura është një galaksi në vete
Qe gati dy dekada, në qytetin e Hamburgut, vepron artisti Shuk Orani i cili në metropolën buzë lumit Elbe, ka përfunduar Akademinë e dizajnit multimedial si dhe Akademinë për publikime elektronike – art dhe dizajn
Artistë të shumtë shqiptarë veprojnë sot në vende të ndryshme të botës. Shumë prej tyre kanë gjetur hapësirat e krijimtarisë artistike duke tejkaluar me sukses prezencën e tyre nga skenat lokale artistike në ato shtetërore dhe ndërkombëtare. Shumë nga ata, talentin e sollën nga vendlindjet e tyre por ata shfrytëzuan edhe mundësitë e studimeve dhe kualifikimeve në vendet në të cilat jetojnë dhe veprojnë. Qe gati dy dekada, në qytetin e Hamburgut, vepron artisti Shuk Orani i cili në metropolën buzë lumit Elbe, ka përfunduar Akademinë e dizajnit multimedial si dhe Akademinë për publikime elektronike – art dhe dizajn. Punimet e tij mund të shihen në ekspozita të ndryshme por edhe në shumë objekte prestigjioze, ndër to edhe shumë hotele të Hamburgut, të cilat vlerësojnë lartë punën e artistit prishtinas.
Albinfo.ch: Zotëri Orani, ne cilën moshë dhe në çfarë momenti keni zbuluar dashurinë për artin?
Shuk Orani: Që nga mosha e hershme e fëmijërisë. Vizatimet e para në karton i kam realizuar ne moshën 5-vjeçare me qymyr druri.
Albinfo.ch: A është arti traditë në familjen tuaj?
Shuk Orani: Po. Disa anëtarë të familjes janë marrë dhe vazhdojnë të merren me art.
Albinfo: Kush e zbuloi talentin tuaj? A ka pasur dikënd që ju ka përkrahur në zhvillimin tuaj në këtë drejtim?
Shuk Orani: Ishte nëna ime e dashur e para që e zbuloi këtë talent. Ajo më inkurajonte çdo herë që të zhvillohesha në këtë drejtim duke më motivuar që të vizatoj gjëra te cilat ishin shumë abstrakte për syrin e një fëmiu të moshës 5-vjeçare.
Albinfo: Kur patën dashamirët e artit mundësinë për të parë punimin tuaj të parë në një ekspozitë? Si e përjetuat atë moment?
Shuk Orani: Ekspozitë profesionale nuk kam realizuar në moshën e hershme. Pikturat dhe vizatimet e para ishin ato që u prezantuan në korridoret e shkollës në vitin e parë të shkollës së mesme. Ndihesha i dëshpëruar pasi që prezantimet ishin shumë te vobekëta dhe jo domethënëse. Ishte pothuajse e pamundur të prezentoja atë që në të vërtetë ndieja dhe dëshiroja ta shpreh në forma të ndryshme artistike.
Albinfo: Në çfarë forme i shprehni ndjenjat tuaja si artist? Pikturë? Fotografi?
Shuk Orani: Në pikturë është momenti që përcakton rrugën emocionale të të shprehurit artistik. Piktura është një galaksi në vete që përmban elemente vizionare dhe fantazie nga më të ndryshmet. Kryesorja në këtë pikë, është jeta vetë. Ky është eliksiri më thelbësor që shpie shpirtërat kreativ të shkojnë në bërthamën e të ndierit dhe të ushqyerit emocional të një krijuesi artistik. Ndersa stili në të cilin krijoj në të shumtën e rasteve është arti bashkohor, dega abstrakto-ekspresive. Ndërsa fotografia është plotësisht një proces tjetër. Fotografia për mendimin tim është e „mvarur”. Ajo nuk posedon lirinë e plotë dhe të „hapur” që ka piktura. Edhe fotografia e peisazheve është e varur nga vendi, ajo portretiste nga objekti e ajo e ngjarjeve nga evenimenti. E bukura e fotografisë është rezultati i shpejtë sidomos në fotografinë digjitale. Në fotografi kisha veçuar lëvizjen e sidomos lëvizjet artistike të një balerine.
Albinfo: Keni krijuar ndërkohe një stil tuajin të punës? A ndryshojnë motivet e punimeve tuaja? A ju inspirojnë ndodhitë aktuale si luftërat, refugjatët apo ndonjë ngjarje tjetër pa marrë parasysh pozitive a negative?
Shuk Orani: Siç e thashë më parë, stili është ai i ekspresivitetit. Kjo formë është sa komplekse aq edhe në raste të caktuara e padefinuar per jo-njohësin e mirëfillte të artit. Ndërsa motivet janë nga më të ndryshmet. Por në këtë rast nuk isha përcaktuar në ndonjë ndodhi të madhe kolektive. Besoj se janë raste individuale ato të cilat^në shumës përbejnë kolektivin. Jeta është ajo që më inspiron. Është forma e të ndierit, është një bashkëdyzim ndjenjash të krijuara pa ndikim anësor. Është një moment, është ai momenti që gjendem para një pëlhure të bardhë dhe më shpie në lëvizje pa menduar. Ndërsa nga ngjarjet, përzgjedh në të shumtën e rasteve ato pozitive. Jetën e përmbushur, të cilën e veçoj me kolorit shumëllojesh. Ndjenjën e të dashuruarit, shoqërine e sinqertë, realitetin shpirtëror, ideologjinë e së ardhmes, galaksinë, universin e lidhur me jetësi dhe proceset transcedenciale nga jeta.
Albinfo: Jeni me siguri shumë në lëvizje. Në cilën pjesë të botës jeni prezent dhe ku janë mbajtur ekspozitat tuaja më të suksesshme?
Shuk Orani: Nuk mundem ta quaj asnjë ekspozitë të suksesshme, kur në fakt nuk posedoj rezultate konkrete lidhur me zhvillimin e tyre. Këtu ka parametra të ndryshëm të cilët në raste të caktuara do të përbënin matjen dhe vlerësimin e nivelit të suksesit. Mendimi im është, që gjithë këtë ta vlerëson elementi kohë, pra e ardhmja. Ekspozitat e mëhershme ku kisha impresione pozitive jane ato në: Teatrin Kombëtar të Kosovës, në Venecia dhe në Padova. Për fat të mirë, pasi që jam shumë në lëvizje, kam krijuar një rreth të gjerë të vendeve ku prezentohem me punimet e mia midis tjerash në Gjermani, Zvicër, Angli, Danimarkë, Itali, SHBA, Kosovë, Kanada, Indi dhe në disa shtete tjera.
Albinfo: A jeni pjesë e ndonjë galerie ndërkombëtare?
Shuk Orani: Vitin e kaluar jam ftuar të marr pjesë në projektin ARTUM brenda programit për art dhe trashëgimi kulturore në „Akademinë për Çështje Globale” në Cambridge të Anglisë. Aty janë ekspozuar punët e mia virtualisht dhe si rezultat i bashkëpunimit të mirë dhe interesimit për punët e mia nga ana e koleksionarëve te artit, tani reprezentohem nga NWGallery. Kjo galeri drejtohet nga Nora Weller, e diplomuar në Cambridge University dhe Institutin Sotheby’s në Los Angeles.
Në Nëntor të këtij viti, do të marr pjesë në ekspozitën e radhës së bashku me një numër të artistëve nga Palestina, Siria, Libani, SHBA etj. Ekspozita do të mbahet ne Parkun Shkencor në Cambridge, një lokacion me shumë renome.
Albinfo: Si manifestohet prezenca e krijimtarisë suaj në këto vende?
Shuk Orani: Në disa nga këto vende kam realizuar „art konceptual” ku kam stolisur objekte „avangardiste” në bazë të një koncepti artistik që kam krijuar para se të bëhet realizimi. Pjesa e tjetër e punimeve të mia janë pjesë e kolekcionesh arti të akademikëve, biznismenëve dhe artdashëve nga më të ndryshmit nga gjithë bota.
Albinfo: A është vështirë të mbijetosh si artist në Gjermani?
Shuk Orani: Kjo është pytje interesante. Unë besoj se nuk është e veshtirë të mbijetosh në elementin tënd. Dua të them, nëse me të vërtetë ke besimin e plotë në punën që bën, posedon dashuri të pashterrshme dhe vullnet të pafund në profesionin që zhvillon, atëherë nuk është edhe aq vështirë.
Albinfo: Sa jeni i lidhur me Kosovën?
Shuk Orani: Nuk e di. Kam besuar në lidhshmërinë me vendin amë. Ta them të drejtën, kam realizuar me dekada një lloj jete të dyfishtë. Atë të perëndimit dhe atë të vendit ku kam lindur. Shumë procese negative në Kosovën tonë që po lëkundin besimin për të. Aty u ushqyem me të gjitha atomet dhe qelizat prej njeriu, të preokupuar në ndërtimin e një shoqërie më etike njerëzore, një shoqërie të vlerave dhe një shoqërie të së ardhmes. Mbetem i dëshpëruar.
Albinfo: A keni kontakt apo bashkëpunim me ndonjë kolegë apo kolege shqiptare nga trojet shqiptare apo në perëndim?
Shuk Orani: Kontakte kam me shumë krijues dhe artistë shqiptarë në mbarë globin. Ndërsa bashkëpunim kam pasur disa vite më parë me kolegë të artit edhe në perëndim. Për fat të keq, bashkëpunimet e një karakteri me sfidë ndërkombëtare mungojnë. Kam përshtypjen që midis nesh ekziston një lloj xhelozie primitive gjë që të cilën nuk mundem t’ia shpjegoj as vetes. Të keni parasysh, që arti univerzal nuk duhet të njohë xhelozi. Ai duhet të jetë i sinqertë, i qiltër, i pastër dhe fisnik. Mundohem të besoj që kjo histeri të jetë vetëm një lloj procesi mësimdhënes në kalim e sipër.
Albinfo: A mundeni ta vlerësoni, edhepse nga distanca, gjendjen e artit në Kosovë?
Shuk Orani: Arti në Kosovë është një stacion treni jashtë stacionit. Ky binarët e tij i ka humbur që moti. Këtu nuk guxoj të paragjykoj aftësinë e shumë artistëve veç e veç. Por tendenca është negative. ASHAK ka humbur rrugën në oborr të vet që moti. Ajo do të mund apo do të duhej të luante rolin kryesor në zhvillimin e arteve dhe shkencës së vendit. Atëherë na mbetet të merremi me mediokricizëm të një lloji të papërfillur edhe në vendet shumë më pak të zhvilluara në aspektin artistik së Kosova. Kosova ka artistë të shkëlqyer që mund të futen pa asnjë përjashtim në vlerat botërore. Për fat të keq këta artistë janë jashtë stacionit dhe gjenden direkt mbi binarët të cilët tash e sa kohë janë jashtë funksionit.
Albinfo: Çka mendoni ju, si mund të arrihet që këta binarë të funksionojnë?
Shuk Orani: Me zhvillimin global të artit, gjithsesi do të ishte e nevojshme edhe avancimi i faktorëve kyq për konkurim me vlerat botërore. E para se të arrijmë në këtë pikë, duhet një rinovim total i strukturës udhëheqëse në aparaturën artistike të vendit. Të përcaktohen elementet vlerësuese në lloj të komisioneve të pavarura akademiko- profesionale me përvoja ndërkombëtare në arenën e artit. Të vendosen rregullativa të njëjta me ato ndërkombëtare në konkurimet dhe përkrahjet e artistëve profesionistë. Vlera artistike të mbetet arsyeja numër një e të avancuarit të artistëve. Të rivlerësohet një herë e mirë gjendja e artit në nivel shtetëror nga komisionet e pavarura apo e atyre „e të pa inkuadruarve”. Bazuar në rezultatin e krijimtarisë profesionale, të vendosen premiset dhe rregulloret e reja në harmoni të plotë me ato evropiane. Më pas, besoj se do të kthehej një lloj besimi i „humbur” në vlera edhe karshi Evropës.
Albinfo: Cili është roli i artistëve që krijojnë jashtë vendit në prezantimin e artit shqiptar në vendet ku jetojnë?
Shuk Orani: Roli i artistëve në aspektin reprezentativ ndërkombëtar është krucial.
Zhvillimi i një shoqërie është në një masë të madhe i mvarur edhe nga zhvillimi kulturoro-artistik i tij. Se cili është roli i artistëve shqiptarë në këtë rast, e kam vështirë të jap përgjigje adekuate pasi që artistët që prezentojnë vendet e prejardhjes dhe që janë të financuar nga vendet përkatëse njëkohësisht duhet edhe te vlerësohen nga vetë vendi për cilësinë dhe vlerën e tyre reprezentuese.
Sa u perket artistëve me prejardhje shqiptare që jetojnë gjithandej globit dhe që nuk kanë as edhe përkrahjen më të vogël morale nga shteti amë – e përkrahja financiare as që mund të ëndërrohet- për mendimin tim, të gjithë ata, në këtë rast edhe unë, në pikë të parë prezentojmë vetveten dhe krijimtarinë tonë artistike.
Ndërsa të vetëquajturit reprezentativ të rrejshëm, jo vetëm që është negative për një krijues por është njëkohesisht e dëmshme si për vendin e origjinës e poashtu edhe për vetë artistët.
Albinfo: Sa është perkrahja e bizneseve shqiptare në perëndim per artin dhe a keni përkrahje direkte apo indirekte në këtë drejtim?
Shuk Orani: Pyetje shumë interesante. Për fat të mirë, unë personalisht kam pasur nderin që të gjej përkrahje edhe tek bizneset dhe biznesmenët shqiptarë. Mund të
veçoj me një falënderim te posaçëm Burim Osmanin, nga i cili kam pasur
të sponzoruar atelienë time në St. Pauli Hamburg për afër dy vite me radhë (mbi 250 m2) Pastaj po ashtu falënderoj përzemërsisht të nderuarin Bashkim Osmani, i cili që prej vitesh percjell me kujdes dhe përkushtim karrierën time artistike. Që prej vitesh, prej zotëri Osmanit kam pranuar me shumë kënaqesi këshillime të vlefshme të cilat më kanë avancuar profesionalisht në arenën e artit europian. Më tej kisha përmendur përkrahjen nga Mejdi Orani, i cili ka sponzoruar disa projekte artistike, pastaj dua të falënderoj edhe të nderuarën znj. Dr. med. Violeta Doci e cila më përkrahu në prezantimin tim në Arte Padova dhe pjesërisht në atë të Venecias.
Por në asnje mënyre nuk guxoj të harroj përkrahjen morale që kam në formë kontinuale dhe pa asnjë kufizim nga e dashura ime, shoqja e jetës Ardiana. Ajo më cila përcjell dhe përkrah, organizon aspekte të caktuara profesionale në këtë drejtim dhe kuptohet qe ka një rol shumë të veçantë në disa drejtime së bashku me pjesën tjetër të familjes sonë.
Më duhet të cek se jam shumë me fat që jam i rrethuar nga shumë miq, shokë e shoqe dhe dashamirë, nga të cilët gjej përkrahje pikërisht në momentet kur e do nevoja. Besoj ata të cilët po i cekë, me të lexuar, do të kuptojnë që fjalën e kam për të gjithë ata. Një falënderim të përzemërt.
Biografi e shkurtë:
- Emri e mbiemriShuk Orani
- Prejardhja:Prishtinë
- Vendi ku vepron:Hamburg
- Profesioni:Artist multimedial
- Kontakti ttps://www.facebook.com/shuk.orani?fref=ts
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision Transmetuesi Zviceran SRG SSR ka zbuluar detajet e Konkursit të Këngës në Eurovision 2025 në Bazel....
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve
-
Zvicra mund të ndërtojë termocentrale të reja bërthamore
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Si mund të humbasin pronarët e shtëpive të dyta në Zvicër në ligjin e ri tatimor?