Literaturë
Shtypi gjerman i bën jehonë të madhe romanit “Frei” të Lea Ypit
„Frei. Erwachsenwerden am Ende der Geschichte“ ("Të lirë. Të rritesh në fund të historisë") është një udhëtim në të kaluarën e panjohur të një vendi të panjohur"
Ka rreth një javë që njoftimet mbi botimin gjermanisht të librit “Frei” (“Free” ose “Të lirë”) të autores shqiptare Lea Ypi zënë faqe të tëra të fejtoneve të gazetave më prestigjioze gjermane.
Gazetat si “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, “Süddeutsche Zeitung”, për të përmendur vetëm dy më kryesoret, i kanë kushtuar hapësirë të madhe librit të autores, profesoreshë universitare në Londër, që për subjekt ka Shqipërinë në kohën e diktaturës dhe të kalimit të dhembshëm në pluralizëm.
Revista e përjavshme gjermane “Freitag” e ka prezantuar romanin “Frei” të botuar nga shtëpia e madhe botuese “Suhrkamp” si Libër të Javës, në Gjermani, shkruan albinfo.ch.
“Lea Ypi ishte njëmbëdhjetë vjeç kur humbi truallin nën këmbë. Në vitin 1990, në rrugët e qytetit të saj të lindjes, Durrësit, demonstruesit thërrisnin: “Liri, demokraci, liri, demokraci”. Në të njëjtën kohë dëgjoheshin vringëllima e çizmeve të policisë dhe ushtarëve. Pyetjeve të saj se çfarë po ndodhte, prindërit dhe gjyshja i përgjigjeshin në mënyrë evazive.
Plot frikë, Lea Ypi kishte vrapuar në parkun e vogël te Pallati i Kulturës. “Kur Stalini u shfaq në horizont, e dija se isha e sigurt. Ai qëndronte aty solemn si kurrë më parë me pallton e tij të padallueshme, këpucë të thjeshta prej bronzi dhe dorën e djathtë nën xhaketë, sikur po shtrëngonte zemrën. (…). Sapo vura faqen në kofshën e Stalinit dhe u përpoqa të përfshija në përqafim të plotë gjunjët e tij, u bëra e padukshme”.
Ky është një pasazh i librit autobiografik të Lea Ypit, të cilin e vë në hyrje të artikullit, media gjermane nd.de.
Lea Ypi tani është profesoreshë e filozofisë në “London School of Economics”. Libri i saj për fëmijërinë e saj në Shqipëri, “Të lirë. Të rritesh në fund të historisë” është një udhëtim në të kaluarën e panjohur të një vendi të panjohur, transmeton albinfo.ch. Sepse Shqipëria ende nuk luan ndonjë rol në ndërgjegjen europiane. Fundja, kush e di në Evropë se Shqipëria ishte vendi i fundit në kontinent, i sunduar nga stalinistët?
“Ajo që e bënte Stalinin kaq të veçantë” u kishte thënë nxënësve të saj mësuesja e Lea Ypit, “ishte aftësia e tij për të buzëqeshur me sy. Mund të besohet kjo? Buzëqesh me sy?”.
Ditën që ajo ikën te Stalini në parkun pranë Pallatit të Kulturës, Lea ngre sytë lart, dëshiron të shohë sytë e tij të qeshur. Por nuk kishte asgjë më – demonstruesit tashmë ia kishin këputur kokën.
“Kurrë nuk e kam pyetur veten se çfarë do të thotë liri, deri në ditën kur përqafova Stalinin”.
Lea Ypi ndihej e lirë, madje, në disa situata ajo mendonte se kishte shumë liri. Por në një moment, fëmijërisë me botën e saj përrallore i vjen fundi. Besimi gjithëpërfshirës zhduket ashtu sikur shpirtrat e ligj nën shtrat. Megjithatë, rruga e daljes nga fëmijëria ishte e paralajmëruar, në mënyrë të pashpjegueshme. Pse prindërit e saj nuk donin të vendosnin foton e Enver Hoxhës, diktatorit shumëvjeçar të Shqipërisë, në dhomën e ndenjjes pas vdekjes së “xhaxhi Enverit” në vitin 1985? Dhe pse prindërit e saj flisnin kaq shpesh për diploma universiteti?
Mbiemri i Lea Ypit kishte qenë gjithmonë problem në shkollë për të. Sa herë që dilte tema për “tradhtarin” Xhafer Ypi, i cili ia kishte lënë Shqipërinë Italisë fashiste në vitin 1939 pa luftë, asaj i duhej të shpjegonte se ishte thjesht një rastësi që edhe mbiemri i saj ishte Ypi. Sepse asgjë nuk ishte më e rëndësishme në fëmijërinë e saj sesa “biografia”. Ose kishe një emër të mirë ose e kishe të keq. Nëse kishit një tradhtar ose një borgjez në familje, të prisnin shumë të këqija, nëse nuk përfundoje direkt në burg.
Lea Ypi tregon për pasojat e përmbysjes radikale në Shqipëri pas kthesës (1990), përcjell albinfo.ch. Se sa papritur jeta tashmë përcaktohej nga terma dhe vlera për të cilat ajo kishte mësuar në shkollë se vinin nga “armiku i klasës”. Një term si “shoqëria civile” papritur zuri vendin e “partisë”.
“Liberalizimi” ishte një fjalë e re magjike – pasojat e së cilës përfunduan, në vitin 1997, me rebelimin e njohur si “të firmave piramidale”, ku thuajse të gjithë shqiptarët humbën kursimet e tyre në një lloj loje mbarëkombëtare piramidash. Rezultati ishte një luftë civile, gjatë së cilës gëzhojat e plumbave fluturonin në murin e dritares përpara dhomës së Lea Ypit. Ajo kishte humbur zërin përkohësisht. Këto janë përvoja ekstreme që në shumë aspekte janë paradigmatike për shembjen e socializmit real.
Ypi arrin të tregojë për lexuesin historinë e saj të fëmijërisë në atë mënyrë që ai të gjejë përvojat e veta në ato të autores. Në të njëjtën kohë, ajo nuk lë asnjë dyshim për dallimet, shkallën e poshtërimit dhe vuajtjes që kjo periudhë nënkuptonte për shqiptarët. “Kur na vizitonin turistët”, shkruan ajo për rënien e Murit, “e gjithë kjo ishte të paktën reciproke. Ata na ngulnin sytë, ne ua ngulim sytë atyre. Jetonim në botë të ndara. Ndonëse ndarja kishte mbaruar tani, por ne nuk ishim në baza të barabarta”.
Lea Ypi, e lindur në vitin 1979 në Tiranë, Shqipëri, ka studiuar filozofi dhe letërsi në Firence dhe Romë. Ajo po ashtu ka bërë hulumtime si dhe ka dhënë mësim ndër të tjera, në Paris, Oksford, Stanford dhe Frankfurt am Main. Aktualisht është profesoreshë e Teorisë Politike në universitetin “London School of Economics”. Ajo shkruan rregullisht për gazetën Guardian për çështje socio-politike.
“Në një diktaturë socialiste, kanaçet e zbrazëta të koka kolës ndonjëherë vlejnë më shumë se miqësitë” (SZ).
“Në të kaluarën, do të ishe arrestuar nëse do të shprehje dëshirën për t’u larguar nga vendi. Por tani që askush nuk të pengonte të largoheshe nga vendi, ne nuk ishim më të mirëpritur në anën tjetër të kufirit. E vetmja gjë që kishte ndryshuar ishte ngjyra e uniformave të policisë”, Lea Ypi. (FAZ).
Romani i Lea Ypit, edhe në shqip
Romani “Të lirë” i autores dhe akademikes shqiptare Lea Ypi, vitin e kaluar është botuar edhe në gjuhën shqipe. Vepra autobiografike rrëfen tranzicionin e jetës së një vajze të vogël, të paralelizuar me tranzicionin politik të një shoqërie dhe shteti që kalon prej një fortifikate komuniste në një vend të hapur liberal (Shqipëria).
Më poshtë, disa nga artikujt e publikuar së fundi në shtypin gjerman lidhur me librin e Lea Ypit:
https://www.sueddeutsche.de/kultur/lea-ypi-freiheit-albanien-philosophie-sachbuch-1.5550385
https://www.faz.net/aktuell/feuilleton/buecher/philosophin-lea-ypi-ueber-kindheit-in-albanien-17868506.html
https://www.deutschlandfunk.de/leaypi-100.html
https://www.zeit.de/2022/11/frei-lea-ypi-biografie-albanien-rezension
https://www.freitag.de/autoren/kathrin-gerlof/lea-ypis-schlaflos-in-tirana
Të ngjashme
Të tjera nga Literaturë
E-Diaspora
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka thënë se deri më tani...
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
Jeta në Zvicër
-
Gjeneva aktivizon planin e saj të akomodimit emergjent Ndërsa moti i ftohtë pritet të arrijë në ditët në vijim, Qyteti i Gjenevës do të...
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik në Zvicër
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Cilat destinacione do të kushtojnë më shumë nga Zvicra