Lajme

Shtyhet seanca inauguruese: vazhdon kriza

Vendimin për shtyrjen e seancës konstituive e ka marrë kryesuesja e seancës, deputetja më e vjetër Flora Brovina

Seanca e shumëpritur e Kuvendit të Kosovës e caktuar të mbahet nesër më 12 shtator, është shtytë për të enjten e ardhshme me kërkesë të deputetëve të pakicës serbe e njohur si Lista Srpska.

Me këtë vendim, kriza institucionale pesëmuajshe, po vazhdon edhe atë pa shenja se do të ketë zgjidhje. Vendimin për shtyrjen e seancës e ka marrë deputetja e PDK-së, Flora Brovina pas një takimi që ka mbajtur sot me përfaqësuesin e PDK-së dhe partive të pakicave që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës.

Brovina është kryesuese e seancës inauguruese për faktin se është deputetja më e vjetër e kësaj nomenklature. Sipas ligjit, seancën inauguruese e drejton deputetja më e vjetër dhe ndihmohen nga deputetja më e re, që kësaj here është vajza e presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, Teuta Rugova.

Në takimin e caktuar nga Brovina, nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e tri partive politike që tashmë njihen si LAN (LDK, AAK, dhe Nisma) si dhe përfaqësuesi i Vetëvendosjes. Të gjitha këto parti, e veçanërisht kjo e fundit (LVV) shtyrjen e seancës e konsideron si vendim politik.

“Duke marrë në konsiderim të gjitha vërejtjet që pati Lista Serbe dhe e cila ka nevojë për një konsultë në mes të anëtarëve të vet, konsultë politike, morëm në konsiderim dhe njëzëri ky forum voton që të shtyhet seanca e nesërme, për të enjten e javës së ardhshme”, ka deklaruar Brovina.

Ndërkaq i menjëhershëm ka qenë reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje e cila tashmë ka firmosur marrëveshjen me tri partitë e LAN-it. Por, e veçanta e marrëveshjes është se Vetëvendosje do t’i drejtoj bisedimet me serbët, vendim ky që ka shqetësuar komunitetin serb në Kosovë.

“Sot PDK-ja e pashpresë ndërmori edhe hapin e fundit për pengimin e krijimit të institucioneve: së bashku me Listën Serbe e shtynë për një javë seancën konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, konsideron Vetëvendosje nëpërmjet një komunikate për media.

“Ne jemi të bindur që veprimi i sotëm i znj. Brovina nuk ishte vendim i saj personal, por një strategji e qartë partiake. Jemi thellësisht të pakënaqur që znj.Brovina dhe PDK-ja iu nënshtruan një kërkese fare të paarsyeshme të Listës Serbe. Nuk ka pasur kurrfarë justifikimi për shtyrjen e një seance edhe ashtu tejet të vonuar vetëm e vetëm pse Thaçi nuk dëshiron ta lëshojë pushtetin”, konsideron Vetëvendosje.

Shtyrja e seancës, siç thuhet më tej, ishte e qëllimshme dhe e nxitur drejtpërdrejt nga partia e Kryeministrit të shkuar e cila, sipas LVV, nuk po lë gur pa lëvizur në funksion të evitimit të ngjarjes ”e cila do ta shpallte fillimin e humbjes përfundimtare të krimit të organizuar në Kosovë”.

Ndërsa Aleksandar Jabllanoviq, përfaqësues i Listës Serbe, ka thënë se atyre u duhet kohë shtesë për t’u konsultuar posaçërisht pas marrëveshjes së fundit politike ndërmjet LAN-it dhe Vetëvendosjes dhe përfshirjes së kësaj të fundit në procesin negociator. Lista Srpska përfaqësohet në Kuvend me nënte deputetë. Ajo fillimisht ka shprehur optimizëm që t’i bashkohen bllokut LAN.

“Duke e ditur që Vetëvendosje është një subjekt politik që ka kërkuar revidimin e marrëveshjes së Brukselit dhe kërkon pjesëmarrje aktive në rrjedhën e mëtutjeshme të marrëveshjes, për ne, në këto rrethana të reja të krijuara, nevojitet kohë shtesë që të konsultohemi”, ka theksuar Jabllanoviq.

Koha shtesë që kanë kërkuar deputetët serb, për t’u konsultuar edhe me qeverinë në Beograd, duket se nuk e ka shqetësuar shumë mandatarin e LAN-it për kryeministër, Ramush Haradinajn. Ky i fundit beson se pavarësisht kësaj situate, nuk do të ndryshojë raporti i bllokut me Listën Serbe.

Formimin e shpejt të institucioneve të Kosovës e ka kërkuar edhe presidentja Atifete Jahjaga. Ajo ka theksuar se Kosova po hyn në një periudhë të rëndësishme dhe vendimtare dhe se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të tregojnë pjekuri politike për tejkalimin e situatës.

Ndërsa analisti Halil Matoshi ka thënë se shtyrja e seancës së Kuvendit nga ana e kryesues, Flora Brovina, është shkelje flagrante e rolit të saj si kryesuese dhe është uzurpim i Kuvendit të Kosovës.

Ai për mediet kosovare këtë veprim të Brovinës e ka konsideruar si uzurpim të Kuvendit.

“Ky është një uzurpim i Kuvendit nga kryesuesja ad hoc, e cila nuk ka një mandat të dhënë nga sovrani për me thirr seancën, për të bërë negociata me liderët politike dhe eventualisht për me shty ose për me neglizhuar mbajtjen e seancës konstituive. Ajo si deputetja më e vjetër e Kuvendit të Kosovës është e barabartë me 120 deputetët sa i ka Kuvendi i Kosovës”, ka thënë Matoshi.

Ndryshe, që nga muaji maj i këtij viti, Kosova funksion pa Kuvend dhe me qeveri në detyrë.

Zgjedhjet e 8 qershorit e nxorën PDK-në fituese, mirëpo asnjëra nga partitë politike nuk po pranon të bashkqeverisë me të, për shkak të disa abuzimeve dhe keqpërdorimeve që i ka bërë gjatë mandatit të kaluar. Kundër kësaj parti ka dalë i gjithë spektri politik që në kuvend ka shumicën absolute, por që Gjykata Kushtetuese ia ka njohur të drejtën për formimin e qeverisë vetëm PDK-së.

Kjo e fundit ndërkaq nuk ka më shumë se 35 deputetë nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës, prandaj procesi ka mbetur i bllokuar.