Integrimi
Shtrohet sofra shqiptare nga komuna e Talwilit
Komuna e Thalwilit mbështeti dëshirën e ndërmjetueses kulturore, Afërditë Delijaj, për të shtruar një sofër shqiptare më 30 shtator, në një nga hapësirat komunale
Komuna e Thalwilit mbështeti dëshirën e ndërmjetueses kulturore, Afërditë Delijaj, për të shtruar një sofër shqiptare më 30 shtator, në një nga hapësirat komunale.
Ishin të shumtë ata që iu përgjigjën ftesës dhe erdhën me respekt e dashuri. Në fytyrën e secilit lexova se kishin pasur mall për një takim të tillë. Për një ndejë së bashku, për një shkëmbim e për një mbështetje. Për këso takimesh sot diaspora jonë ndjen etje, për t’u njohur me njëri-tjetrin, për t’u çmallur shqip.
Familja Delijaj kishte zbukuruar tavolinat e lokalit, shkëlqenin edhe gjethet e verdha të vjeshtës që i kishin vendosur si shenja bujarie e dekorimi mbi tavolina.
Në një kënd ishin vendosur fleta informuese të projekteve integruese që ofronte komuna, edhe revista Albinfo.ch ishte në krye të vendit.
Këtë tubim e përshëndeti Catherine Marrel, këshilltarja komunale për sport, shëndetësi e kulturë.
„Bashkëjetesa është e mundur, andaj duhet ta respektojmë si vlerën më të shenjtë. Nuk duhet që dallimet kulturore apo ato religjioze ta pengojnë bashkëjetesën. Bashkëjetesa është edhe dëshirë e politikës së vendit tonë“, tha Marrel.
Ajo ka folur edhe për integrimin e shqiptarëve në këtë komunë. „Nuk di si të them, disa janë shumë të integruar, e disa jo. Varet nga arsimimi, apo disa i pengon edhe religjioni. Ne duhet të bashkëjetojmë mirë pa marrë parasysh se jemi të ndryshëm në kulturë apo në religjion“, thotë më tutje zyrtarja komunale.
“Edhe vendësit duhet të jenë të hapur, edhe mërgimtarët, ne përfitojmë nga njëri-tjetri dhe kjo e pasuron jetën tonë. Mërgimtarët janë pasuri e Zvicrës, edhe ne kemi mësuar shumë nga ta. Lojtarët më të mirë të futbollit i kemi shqiptarët. Është shumë mirë kur mërgimtarët mësojnë gjuhën, kryejnë shkollat këtu, ndoshta politikës kjo edhe i kushton, por ia vlen gjithmonë, pastaj për një jetë më të mirë të mërgimtarëve angazhohen edhe organizatat tona politike”, tha për albinfo.ch politikanja Catherine Marrel.
Por, shumica e shqiptarëve janë mirë të integruar, shprehet për albinfo.ch Catherine Marrel, duke shtuar se disa mërgimtarë nga kombet e tjera nuk e mësojnë fare gjuhën e vendit, sepse dinë të flasin anglisht, por “nuk është integrim të flasësh anglisht në Zvicër”, thot Catherine Marrel dhe më pastaj përmend edhe projektet e Ditëve të kulturës, të cilat organizohen dy herë në vit në Thalwil.
Tubimin e përshëndeti edhe Käthi Pfister, komisionare për integrim. Ajo falënderoi pjesëmarrësit duke i njoftuar projektet integruese që janë në komunën e Thalwilit,
Käthi Pfister, ndër të tjera, për albinfo.ch tha se shqiptarët janë të integruar suksesshëm dhe nga integrimi përfitojmë të dy palët.
„Njëherësh më vjen mirë që takohet diaspora shqiptare dhe e përgëzoj Afërditën për këtë angazhim, sepse vetëm ata që e respektojnë kulturën e vet, ata i respektojnë kulturat e tjera“, thotë Pfister.
Ajo, ndër të tjera, u tregoi bashkatdhetarëve për projektet integruese në komunë dhe ku mbahen: kurset, lojërat, takimet e grave Femmes Tische që udhëhiqet nga moderatorja e grave, Afërditë Delijaj, International kaffe, mësimi i gjermanishtes me dialog, lojërat e mbrëmbjes, mësimi i gjuhës shqipe, etj.
Të gjitha këto mundë t’i gjeni në faqen e komunës, duke klikuar më pastaj në compact.net dhe posaçërisht ajo e përmendi projektin “Paradise”, një projekt që fton mërgimtarët për t’u shprehur.
E kemi quajtur “Paradisë”, sepse ju tek ne thoni se keni gjetur parajsën, ndëra ne kur vizitojmë vendet e prejardhjeve tuaja, na duket se kemi gjetur parajsën“, e buzëqeshur shprehet Käthi Pfister.
Atmosfera ishte shume e ngrohtë. Në një tavolinë të rrumbullakët si në sofër u ulën të gjithë fëmijët, ata hanin fli e lakror, të lumtur e me shumë humor.
„Vërtet po ndihem si në shtëpi, na kishte marrë malli për një ndejë të tillë“, tha mjeku shqiptar që kishte ordinancën po në këtë komunë, Xhafer Sadiku, me me bashkëshorten e tij, Fatlumen.
Edhe Anita Ajrizi mendon se kanë nevojë për takime të tilla familjare, për të shkëmbyer me njëri- tjetrin.
Edhe Mevlude Krasniqi, një nënë e cila u kujdes pandalë për fëmijët dhe rehatinë e tyre, për albinfo tha se është mirë që takimet e tilla të bëhen tradicionale.
Në fund biseduam edhe me ideatoren e këtij projekti, ajo reflektonte shumë pozitivitet dhe ishe e kënaqur me atmosferën dhe me pjesëmarrjen e madhe të mysafirëve.
„Unë jam e integruar ka 17 vjet në Thalwil dhe kam dëshirë që edhe gratë e tjera të jenë të integruara“, tha drenicakja, nënë e dy fëmijëve, Yllioni, shtatëvjeçar dhe Dielloni, katërvjeçar, tha se do të dëshironte që të gjithë fëmijët të integrohen, por njëherësh duke e ruajtur shqipen tonë të bukur.
„Qëllimi im është të mbështes integrimin duke e ruajtur kulturën dhe traditat tona. Jam e angazhur në takimet e grave Femmes Tisch, në projektin “Më dhuro një përrallë” si dhe projekte të tjera. Përndryshe, punoj si edukatore në një çerdhe të komunës sonë“, tregon znj. Delijaj.
Në Zvicër ajo kishte ardhur në moshën 19-vjeçare dhe me angazhimin e pandalshëm arsimor ka arritur të diplomojë si Asistente medicinale, si dhe në drejtimin pedagogjik, si pedagoge sociale.
“Ideja për të qenë së bashku ka qenë gjithmonë”, shprehet Delijaj për albinfo.ch dhe falënderon komunën që ka mbështur si dhe të pranishmit që i janë përgjigjur ftesës për këtë sofër shqiptare, bile shumica kishin sjellë ëmbëlsira e ushqime nga traditat tona”.
Për fëmijët shqipëtarë ajo kishte përgatitur edhe një befasi, kishte sjellë një kukull të madhe. Kukulla vinte nga Kosova dhe kishte pyetje për fëmijët: se sa e duan vendin, sa dinë shqip, sa iu ka pëlqyer flija, a po mësojnë…
Ne u ndamë me zërin e tyre gazmor, duke i dëshiruar Afërditës shumë sukses në punë dhe në angazhimet e saja për diasporë.
E-Diaspora
-
Kosova, gati për turneun “Yellow Cup” në Winterthur të Zvicrës Më 4 janar prej orës 19:00 është ndeshja Zvicër – Kosovë...
-
Pritjet nëpër pika kufitare, 2 orë për të dalë në Merdarë e Muçibabë
-
FC Kosova Zürich: Stabiliteti, sukseset dhe ambiciet për të ardhmen
-
Rita Ora në New York për ndërrimin e moteve
-
Bekim Zogaj, kur “pensionimi” vjen në kulmin e karrierës
Jeta në Zvicër
-
Siguruesi zviceran Helvetia thotë se 500 vende pune janë prekur nga ulja e kostove Rreth 500 vende pune, duke përfshirë 200 deri në 250 në Zvicër, janë prekur nga masat...
-
Zvicër: 5% më pak shitje të veturave të reja
-
Ka gjithnjë e më pak vende parkimi publike në qytetet zvicerane
-
Fermerët zviceranë të shqetësuar për të ardhurat dhe barrën administrative
-
Subvencionet publike për transportin publik po rriten në të gjithë Zvicrën