Shkurt.ch

Shtrenjtohet transporti publik

SBB dhe federata e transportit publik kanë publikuar sot ngritjen e çmimeve të disa prej shërbimeve të tyre

Ashtu siç ishte kërkuar nga Ndërmarrja Hekurudhore e Zvicrës (SBB), një ngritje e çmimeve për biletat e udhëtimit me mjetet trafikut publik do të bëhet realitet në fund të vitit.

SBB dhe federata e transportit publik kanë publikuar sot ngritjen e çmimeve të disa prej shërbimeve të tyre. Kështu, për biletat e përgjithshme vjetore (GA) të kategorisë së dytë, nga dhjetori i këtij viti do të paguhet 100 franga më shtrenjtë, respektivisht 3400 franga.

Ndërsa GA e kategorisë së parë do të kushtojë 200 franga më shumë se sa tash.

Ngritja më e madhe i pret poseduesit e abonamentit „Gleis-7″ ( e vlefshme për të rinj deri në moshën 25 vjeçare).

Ata do të paguajnë 129 franga në vit në vend të 99 frangave sa paguajnë tash. Kjo, përkthyer në përqindje i bjen 30 për qind më shtrenjtë. 

Ngritje do të kenë edhe çmimet për biletat e quajtura „të komunave”, të cilat do të kushtojnë 9 për qind më shtrenjtë. Me çmimet e vjetra mbeten vetëm biletat e klasës së dytë dhe abonamentet me gjysmë çmimi.