CH-Ballkani

Shtohet presioni ndaj mediave në Malin e Zi

Liria e shtypit është e kërcënuar në Malin e Zi, shkruan e përditshmja e majtë austriake “Der Standard”. Gjithmonë e më tepër ka dhunë kundrejt gazetarëve, përcjell albinfo.ch.

 

Si shembull merret arrestimi në formë gangstere e gazetarës Olivera Lakić, e cila është qëlluar në këmbë. Por ky nuk është i vetmi. Në prill përballë shtëpisë së gazetarit investigativ Sead Sadiković shpërtheu një autobombë.

Mali i Zi me rreth 620 mijë banorë ndodhet në vendin 103 në ranglistën botërore të lirisë s medias. Mes Brazilit dhe Guinesë. Për një vend kandidat të BE kjo është e dhimbshme. Për këtë ka faj qeveria e cila përveç që nuk ka dënuar dhunuesit e gazetarëve, ajo vetë po mundohet të ketë kontroll mbi pushtetin e katër.

“State capture”

Media austriake përmend edhe termin “State capture” (kapja e shtetit ose uzurpimi i shtetit) ku personat e afërt me partinë në pushtet kontrollojnë asetet publike. Partia malazeze po mundohet të kontrollojë televizionin publik RTCG, ku gazetarët e afërt me pushtetin janë në pozitat kyçe.