Lajme

Shtohet interesimi i austriakëve për vaksinim kundër Covid

Austria kohët e fundit ka shënuar rritje të infeksioneve me Covid, transmeton albinfo.at.

Rritja e infektimeve ka ndikuar te banorët e shtetit austriak të rrisin interesimin për vaksinim.

Thuhet se qendrat e vaksinimit kundër koronavirusit në Austri janë përballur me rritje të interesimit për t’u imunizuar këtë fundjavë, para se të hyjnë në fuqi masat kufizuese për luftim të pandemisë.

Nga 8 nëntori shumica e personave të pavaksinuar nuk do të mund të hyjnë në hotele, kafiteri, parukeri apo të marrin pjesë në organizime publike.

Për shkak të rritjes së shkallës së infektimit, Qeveria ka vendosur të kufizojë qasjen vetëm për ata që janë vaksinuar apo që janë shëruar nga COVID-19, sëmundja që shkakton koronavirusi.

Ky shtet ka raportuar 9,943 raste të reja të infektimit brenda 24 orëve më 6 nëntor, duke tejkaluar 13 nëntorin e vitit 2020, kur ishin regjistruar 9,586 raste.

Masat e reja kufizuese mund të mbeten në fuqi deri në Festën e Krishtlindjes, ka thënë kancelari austriak, Alexander Schallenberg, për një të përditshme në Austri.

Ky shtet, me popullsi prej 8.9 milionë banorësh, ka regjistruar 883,887 raste me koronavirus dhe rreth 11,500 vdekje, prej shpërthimit të pandemisë një vit më parë. /REL