Lajme

Shtohen trupat amerikane në Evropë

Ushtarët amerikanë mbërritën në Gjermani, në kuadër të masave të NATO-s, të nxitura nga frika se Rusia mund të pushtojë Ukrainën.

Uashingtoni zyrtar deklaroi javën e kaluar se do të dërgonte 3 mijë trupa shtesë në lindje të Evropës për të mbrojtur aleatët nga çdo agresion.

Kështu, Amerika do të vendosë 1 mijë trupa në Rumani, 300 në Gjermani dhe 1.700 në Poloni.

Një prej divizioneve ushtarake ndodhet tashmë në Poloni, ndërsa pjesa tjetër do të mbërrijë në ditët e ardhshme.

Shtetet e Bashkuara i dërguan gjithashtu armatime Ukrainës. Të shtunën një ngarkesë e re zbarkoi nga nja avion në aeroportin Borispil.

Nga ana tjetër, dy avionë luftarakë rusë me raketa supersonike me rreze të gjatë veprimi kryen një mision patrullimi në hapësirën ajrore bjelloruse.

Vendet perëndimore akuzojnë Rusinë se ka mbledhur rreth 100 mijë trupa në kufi me Ukrainën për t’u përgatitur për një pushtim dhe kanë paralajmëruar me sanksione të shkatërruese në rast se Moska sulmon fqinjin e saj.