Shkurt.ch

Shtim i madh i kërkesave për shtetësinë zvicerane

Votimi që vitin e kaluar, u bë pro “iniciativës për dëbimin e të huajve kriminelë”, ka bërë që të rritet ndjeshëm numri i të huajve që kanë filluar procedurat për të marrë shtetësinë zvicerane. Kjo rritje në disa kantone ka arritur në 30 për qind në pak muajt e fundit, shkruan 20Minuten.

Kantoni Baselstadt është njëri nga kantonet ku është shënuar një rritje e numrit të kërkuesve të shtetësisë. Gjatë vitit 2010 atje shtetësinë zvicerane e kanë kërkuar 789 persona, që është një rritje prej 16% në krahasim me vitin 2009.

Sipas autoriteteve nga Departamenti për Çështje Juridike “kjo rritje pjesërisht mund të shpjegohet me pranimin e “iniciativës…” Veçanërisht nga shtatori i vitit 2010 shtimi i numrit ka qenë  dukshëm më i madh. Për një të tretën më shumë se në muajt përkatës të një viti më parë “kanë thënë në këtë departament.

Një prirje e ngjashme është shënuar edhe në kantonin e Cyrihut. nga 3941 kërkesa për shtetësi, të regjistruara në vitin 2009, numri i tyre gjatë vitit 2010 është rritur në 4101.

Ndërsa vetëm në janarin e këtij viti janë deponuar 31 për qind më shumë kërkesa krahasuar me muajin e njëjtë të vitit 2010, thonë në sektorin e natyralizimeve në kantonin e Cyrihut. Edhe në këtë kanton supozojnë se numri i rritur vjen si pasojë e votimit pro inciiativës.