Lajme

Konektikat, shteti me më së shumti shqiptarë në SHBA

Konektikat është shteti që ka më së shumti shqiptarë në SHBA. Në anketimin e fundit nga Migration Policy Institute, shteti me përqëndrim më të madh shqiptarësh thuhet se është Konektikat, përcjell albinfo.ch.

Anketa e Komunitetit Amerikan (ACS) 2019 thotë se përqëndrimi i banorëve me prejardhje shqiptare në këtë shtet është 4.8 herë më i lartë se pjesa e popullsisë amerikane.

Në anketim thuhet se 0.3% e të anketuarve të ACS në Konektikat, apo 10.347 njerëz janë identifikuar si shqiptarë, rreth pesë herë më shumë se 0.06% e amerikanëve që identifikohen si shqiptarë në të gjithë vendin dhe përqendrimi më i lartë i ndonjë prejardhjeje të një shteti në krahasi me kombin. Statistikat thonë se në SHBA janë identifikuar rreth 195 mijë shqiptarë.

Nga ana tjetër, shtetet e tjera me përqendrim të lartë të shqiptarëve janë Masaçusets, Miçigani dhe Nju Jorku. Shqiptari i parë që emigroi në Amerikë në vitin 1884 u vendos në Boston. Një nga valët e mëdha të emigrantëve shqiptarë në SHBA ishte gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur në Shqipëri u vendos regjimi komunist, përcjell tutje albinfo.ch.