Lajme

Shteti i pafuqishëm përballë uzurpatorëve

Viktimë e njerëzve të “fuqishëm” në Kosovë ka rënë pronari i kompanisë “Zoeb GmbH”, nga Zvicrëa, Xhevat Sadrijaj. Pronën e tij e mbanë dikush tjetër

Njerëzit e “fuqishëm” në Kosovë vazhdojnë të qëndrojnë mbi ligjin, duke mbajtur prona të uzurpuara, pavarësisht se ato me procesin e privatizimit i takojnë dikujt tjetër. Ne mesin e atyre që ka rënë viktimë e ish komandantëve të luftës, është kompanisë “Zoeb GmbH”, që ofron shërbimet e sigurimit, e regjistruar në Zurich të Zvicrës, në pronësi të kosovarit, Xhevat Sadrijaj

Ai është pronar i kompanisë “Zoeb GmbH”, që ofron shërbimet e sigurimit, e regjistruar në Zurich të Zvicrës. Sadrijaj, pagoi 144 mijë euro në vitin 2011 për lokalin në afërsi të hotelit “Grand”, një hotel historik i Kosovës, i ndërtuar në vitin 1970 për të pritur udhëheqësit socialistë të Jugosllavisë.

Por lokali nr. 3 i ndërmarrjes shoqërore “Rilindja” është ende duke u drejtuar si klub nate me emrin “Bab” nga Rrustem Rukolli, biznesmen nga Skenderaj, një qytet 50 kilometra në veriperëndim të Kosovës, shkruan gazeta “Zëri” sipas një analize të BIRN-it.

Rukolli gjithashtu koordinon ekipin ligjor të mbrojtjes për Sami Lushtakun, ish-komandant i njohur i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sadrijaj, ndërkaq thotë se autoritetet lokale janë të pafuqishme kundër ish-komandantëve të UÇK-së, të cilët shpesh janë aktivë kohët e fundit në partitë kryesore politike të vendit. Sipas tij, Rukolli ka bërë me dije se është i paprekshëm për shkak të lidhjeve të tij të forta.

“Rrustem Rukolli më ka thënë: Zoti është lart, unë poshtë. Në këtë mënyrë më ka bërë me dije se do të vazhdojë ta mbajë të uzurpuar lokalin tim”, tregon Sadriaj.

Rukolli mohon të ketë thënë ndonjë gjë të tillë dhe akuzon Sadrijajn se është duke u përpjekur për të bërë “spektakël”. Ai thotë se mosmarrëveshja është komplekse. Ai ka shpenzuar rreth një milion euro  në dy lokale dhe thotë se aty ka vend vetëm për një pronar.

“Unë i kam ofruar që t’ia blej lokalin Sadriajt ose t’ia shes lokalet e mia, pasi që aty s’ka mundësi të shfrytëzohen nga dy pronarë, mirëpo ai nuk ka pranuar”, thotë Rukolli.

Të dyja palët janë në pritje të vendimit të Gjykatës, padi kjo e iniciuar nga Sadrijaj.

Haxhi Arifi, kryetar i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili për dy mandate ka qenë anëtar i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, ia hedh fajin menaxhmentit të Agjencisë për moslirim të ndërmarrjeve të privatizuara nga uzurpatorët. “Ata do të duhej t’i largojnë uzurpatorët nga kompanitë e privatizuara”, thotë ai për BIRN.

Ai ka frikë se kjo mund të jetë një nga shumë faktorët, që pengojnë investitorët e jashtëm.

Por, afaristi nga Zvicra nuk është viktima e vetme në Kosovë që ka rënë preh e njerëzve të fuqishëm të lidhur me politikën. Ka edhe të tjerë, që shikojnë nga distanca pronat e tyre, po nuk guxojnë t’i prekin.

Naser Januzi është një pronar tjerë që ka rënë preh e këtyre njerëzve. Ai ndihet shumë i zhgënjyer çdo herë kur e shikon nga dritarja e zyrës së tij në Prishtinë lokalin përballë rrugës që është pronë e tij, por që nuk mund të hyjë brenda.

Dy vjet më parë ai bleu këtë lokal nëpërmjet procesit të privatizimit në Kosovë, por nuk po arrin ta marrë nën shfrytëzim, pasi që vazhdon të mbahet i uzurpuar nga një zyrtar shtetëror i Kosovës. Për Januzin, privatizimi ka qenë një dështim personal i hidhur dhe i kushtueshëm.

Edhe Selvie Zhushi është një biznesmene nga Prishtina me shtetësi të dyfishtë, kosovaro-britanike, e cila ka paguar në vitin 2013 Agjencia Kosovare e Privatizimit në vlerë 402 mijë euro për një lokal në sheshin “Zahir Pajaziti”. Por, edhe ajo nuk mund ta shfrytëzojë atë, pasi që shfrytëzohet nga një uzurpatorë.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, e cila përfaqëson shumicën e bizneseve në vend, thotë se problemet e tilla rrezikojnë të frikësojnë ata pak investitorë të huaj që planifikojnë të investojnë në një nga vendet më të vogla dhe më të varfra të Evropës.

“Privatizimi është goditur rëndë nga mungesa e sundimit të ligjit dhe si pasojë shumë biznese të huaja nuk janë të gatshme për të investuar këtu”, thotë ai.