Lajme

Shteti i BE-së që po përballet me mungesë të punëtorëve

Në vitin 2008, shkatërrimi spektakolar i bumit të pasurive të paluajtshme në Spanjë, i cili zgjati për gati një dekadë, solli humbjen e rreth 1.8 milionë vendeve të punës.

Ky vend i mbushur me vinça dhe kantiere ndërtimi ra në një recesion të ashpër.
Tani, punëtorët e ndërtimit nevojiten urgjentisht për t’u kthyer në punë: mungesa e paprecedentë e fuqisë punëtore po vë në rrezik projektet e ndërtimit dhe të rinovimit prej miliarda eurosh të financuara nga Bashkimi Europian për të ndihmuar në rimëkëmbjen e ekonomisë së Spanjës nga COVID-19.

Si kudo në kontinent, Spanja ka një mungesë të punëtorëve në sektorin e ndërtimit që shkon në të paktën gjysmë milioni vende të lira pune, sipas sindikatave dhe kompanive. Kompanitë po trajnojnë staf të ri gjatë gjithë kohës, duke paguar më mirë dhe duke punësuar emigrantë nga Afrika dhe Amerika Latine.

“Nëse keni një certifikatë, kompanitë do t’ju punësojnë,” tha Moustapha Diedhiou, i cili po ndjek një kurs profesional nate për skelat në Madrid.

32-vjeçari nga Senegali mbërriti në Spnajë me një varkë në vitin 2019, i duhej të mblidhte fruta për të mbijetuar gjatë pandemisë, por tani punon si murator falë një kursi të mëparshëm trajnimi që kishte ndjekur.

Megjithëse skelat janë më të rrezikshme, ai mund të fitojë më shumë me këtë profesion.
Pavarësisht kërkesës së lartë, të paktën shtatë nga dhjetë kompani ndërtimi duhet të refuzonin projekte ndërtimi në vitin 2021 për shkak të mungesës së personelit, sipas të dhënave paraprake të një sondazhi nga shoqata kryesore e ndërtuesve të Spanjës.

Kjo situatë është realitet edhe përpara se 5 miliardë eurot e para (5.65 miliardë dollarë) nga fondet e rehabilitimit të banesave të shkojnë në tender këtë pranverë.
Pas Italisë, Spanja po merr ndihmën më të madhe nga BE-ja: rreth 140 miliardë euro (166 miliardë dollarë), gjysma në grante dhe gjysma në kredi.

Qeveria po shpreson për një rritje ekonomike prej 7% nga fondet e BE-së, por burokracitë, mungesat e materialeve dhe të fuqisë punëtore po pengojnë investimet.

“Turpi” i profesionit

Spanja kishte pothuajse 3 milionë punëtorë ndërtimi në sektorin e pasurive të paluajtshme përpara shpërthimit të krizës së vitit 2008, pas së cilës shumica e tyre u bënë pjesë e sektorit po aq masiv të turizmit. Tani, me sa duket, disa prej këtyre punëtorëve hezitojnë të kthehen në ndërtim.

Kështu, punëdhënësit, sindikatat dhe qeveria janë bërë bashkë për të organizuar kurse trajnimi falas për punëtorët potencial në ndërtim. Ata bënë pjesë të këtyre trajnimeve rreth 90,000 njerëz në vitin 2021, ndërsa objektivi për këtë vit është 200,000.

Në një kurs në Madrid në fillim të këtij muaji, shumica e personave të regjistruar ishin emigrantë nga vendet jo anëtare të BE-së, të cilët ishin optimistë se ashtu si Spanja, edhe fati i tyre do të merrte një kthesë për mirë.
Francisco Dieguez, drejtor i një instituti trajnimi në Katalonjë, tha se paga tipike vjetore e një punëtori ndërtimi ishte 24,000 euro dhe tejkalonte madje edhe pagat e disa arkitektëve.
Shumica e punëve të tjera fizike paguhen rreth 18,500 euro.

Jose Adel Sosua, i cili po trajnon emigrantin nga Senegali, Diedhiou, është i tronditur nga vështirësia që ekziston për të tërhequr studentë të rinj, duke thënë se shkak për këtë ishin kujtimet e këqija të krizës së vitit 2008 në sektorin e pasurive të paluajtshme.

“Shumë spanjollë nuk duan t’i bëjnë këto kurse, pjesërisht pasi kanë pak frikë të kthehen në punë në këtë sektor,” tha Sousa, i cili po trajnon rreth 15 studentë, ku vetëm njëri është spanjoll.
Spanja është vendi i dytë pas Greqisë për normën e papunësisë në Europë, me gati një në tre të rinj që është pa punë. Një sondazh i vitit të kaluar për personat e grupmoshës 15-29 vjeç që janë të punësuar, zbuloi se 11% e tyre punonin në kantiere ndërtimi.

“Këtu në Spanjë thonë se nëse nuk studion, do të bëhesh murator, sikur kjo të ishte një dënim,” tha Sergio Estela, një drejtues në Sindikaën e Përgjithshme të Punëtorëve të Spanjës.
Operatorët e vinçave, marangozët, saldatorët dhe supervizorët e ndërtimit po bëhen gjithnjë e më të paktë në numër, sipas shumë burimeve nga sindikatat dhe kompanitë, sepse ata kërkojnë trajnime të akredituara zyrtarisht.
Ismael Lazaro, një spanjoll 24-vjeçar, bëri një kurs saldimi pasi humbi punën si shofer transporti në Amazon. Ai është i vetmi person nga rrethi i tij shoqëror që po përpiqet të hyjë në sektorin e ndërtimit. “Mamaja më tha se kishte shumë kërkesa për saldatorë”, tha ai./ Reuters