Lajme

Shteti evropian që e vuri nën kontroll pandeminë

Ndërsa e gjithë bota po përballet me pandeminë, mbylljen dhe telashet rreth furnizimit të vaksinave anti-COVID, një shtet i vogël ishullor jeton pothuajse sikur të mos ekzistonte pandemia.

Nxënësit janë në banka, kafenetë dhe restorantet janë të hapura e turistët janë të mirëpritur.

Islanda, falë një programi të suksesshëm testimit, vaksinimit dhe qytetarëve të disiplinuar, arriti ta vërë nën kontroll pandeminë dhe të merret lehtësisht me rimëkëmbjen ekonomike.

Që nga fillimi i pandemisë Islanda ka shënuar 29 të vdekur si pasojë e COVID-19 dhe 6.083 raste pozitive.

Sipas Agjencisë Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, mesatarja e të prekurve në këtë vend në 14 ditët e fundit është 4 në 100.000 banorë, ndërsa në nivel të Evropës është rreth 300.

Ka disa javë që nuk janë shënuar vdekje si pasojë e COVID-19 në këtë vend.

Janë disa faktorë të rëndësishëm që bënë që Islanda të mos kishte kurrë nevojë të mbyllej “hermetikisht” si shtetet e tjera. Vendi hapi kufijtë për turistët në mes të qershorit të vitit të kaluar.

Shteti ishull, i vendosur në pjesën veriore të Oqeanit Atlantik, me popullsi prej rreth 350.000 banorë, ka përparësi natyrore kur bëhet fjalë për menaxhimin e një pandemie.

Kryeministrja Katrín Jakobsdottir tregon se distanca e ishullit me vendet e tjera nuk ishte e mjaftueshme për të ndalur virusin. Duheshin masa të tjera.

“Nëse mendoj për këtë pandemi, ajo që bie më shumë në sy është mënyra se si publiku islandez është përfshirë në gjithçka. Njerëzit me të vërtetë kanë vendosur t’u besojnë këshillave të ekspertëve e shkencëtarëve dhe të ndryshojnë sjelljen e tyre. Ata i respektojnë dhe u përmbahen rregullave, tha Jakobsdottir në një intervistë në NBC.

Gjithkush që hyn në vend duhet të paraqesë test PCR si dëshmi se është negativ në COVID-19, pastaj testohet në aeroport dhe më pas i përsëritet testi në krye të pesë ditëve karantinë.

“98% e njerëzve vijnë për testin e dytë. Mendoj se ky është një rezultat i shkëlqyeshëm”, shtoi Jakobsdotir.

Ata që janë vaksinuar ose kanë kaluar COVID-in nuk kanë nevojë të shkojnë në karantinë kur futen në vend.

Islanda deri më tash ka vaksinuar plotësisht rreth 13.000 banorë, rreth 34.000 kanë marrë dozën e parë të vaksinës dhe 21.200 do të vaksinohen në ditët e radhës.

Kryepidemiologu i Islandës, Thorolfur Gudnason, ditë më parë tha se gjëja kryesore në këtë kohë është të ndalohet një valë e re infeksioni, meqë vendi po vazhdon të hapë edhe më shumë kufijtë.

Megjithëse Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk e ka mbështetur idenë për pasaporta-COVID, epidemiologu beson se kjo është një ide e mirë, pasi sipas tij, këtë e ka dëshmuar Izraeli.

“Kufijtë duhet të hapen në një farë mënyre. Ne po përpiqemi ta bëjmë atë në një mënyrë shkencore”, shtoi Thorolfur Gudnason.

Se Islandës i pëlqen të mbështetet në shkencë u dëshmua rreth dy muaj më parë, kur u përhap lajmi se ishin sekuestruar të gjitha testet e COVID-it. U raportua se një kompani analizoi të gjitha testet dhe u vërtetua se në ishull nuk kishte mbërritur varianti i Afrikës së Jugut dhe se ishin 60 raste të variantit britanik.

Të dhënat i lejuan qeverisë të përcaktojë saktësisht masat për të frenuar përhapjen e virusit, por edhe për të parandaluar atë.

Masat epidemiologjike u zbutën në katër faza dhe transparenca e qeverisë, e cila mbështetej në fakte shkencore, e bëri më të lehtë për qytetarët të pranonin masat.

Shkollat janë hapur që nga mesi i gushtit, pishinat publike, restorantet e baret në dhjetor, kurse palestrat që nga janari. Maskat dhe distanca fizike janë të detyrueshme në vendet publike dhe në transportin publik.

Pavarësisht suksesit, kryeministrja islandeze mbetet e kujdesshme dhe paralajmëron se gjërat gjithmonë mund të ndryshojnë shpejt.

Edhe pse ajo është e kënaqur me punën e bërë nga qeveria në frenimin e pandemisë, thotë se nuk ka kohë për të pushuar.