Integrimi

Shtëpia e parë e pleqve për shqiptarë në Zvicër

Igballe Ibrahimi është themeluese dhe pronare e Shtëpisë së Pleqve “Rägeboge Wohne – Pflegewohngrupe“, ose në shqip “Shtëpia e Ylberit” që gjendet Wetzikon të Cyrihut

Gjenerata e parë, ose prindërit tanë kanë ardhur në Zvicër qysh në vitet e`70. Këta sot e kanë arritur një moshë rreth 70 vjeçare, janë pensionistë dhe shumica me shëndet jo aq të mirë nga shkaku i punëve të rënda fizike, dhe vuajtjeve ne kurbet. Të shpresojmë që ndoshta edhe disa vite, prindërit tanë nuk do të paraqesin nevojë për kujdes të veçantë nga persona të kualifikuar, por qysh tash duhet të pyesim veten edhe sa kohë do të zgjasë kjo? Njëkohësisht na imponohet dilema se si do t’ia dalim me këtë situatë të ndërlikuar dhe çfarë ardhmërie i pret këta martirë dhe pionierë të diasporës.
Kush do të kujdeset ose kush do t`i mbajë në të ardhmen pleqtë tanë: fëmijët dhe nipërit e tyre në Zvicër, apo familja e largët dhe fqinjët në Kosovë? Sa i përket fëmijëve, pavarësisht vullnetit të madh për t’u kujdesur për prindërit e tyre, dinamika e jetës në Zvicër me shumë punë, stres, mungesë të kohës dhe shumëzim të obligimeve të shumëfishta, nuk do të kenë hapësirë, dituri dhe mundësi të mjaftueshme për një veprim të tillë.


Por edhe dërgimi i tyre në shtëpi të pleqve në Zvicër nuk do të jetë një zgjidhje e përsosur dhe e duhur duke e ditur që këta nuk e njohin mjaftueshëm gjuhën e kantonit përkatës dhe nuk ndjehen mirë në një rreth të personave me një mentalitet të huaj. Po ashtu as dërgimi i tyre në Kosovë nuk është opsion i drejte sepse këta nuk do të jenë në duar të sigurta, dhe do të përmallohen për fëmijët dhe nipërit e tyre në diasporë. Kjo çështje është për momentin temë për t’u diskutuar, por në të ardhmen rrezikon të bëhet problem serioz në shoqërinë zvicerane në diasporën e këtushme shqiptare.
Por shpresojmë që ka zgjidhje për këtë problem, dhe këtë çështje e ka menduar edhe bashkëbiseduesja jonë, Igballe Ibrahimi nga Morina e Gjakovës.

Albinfo.ch: A mundeni te na tregoni z. Ibrahimi shkurt biografinë tuaj dhe çfarë bëni ju sot?

Unë kam ardhur në Zvicër qe 27 vite. Në Kosovë e kam mbaruar shkollën për infermiere, por këtu në fillim kam punuar një kohë të gjatë punë fizike deri sa e kam mësuar gjuhën gjermane. Gjatë këtyre viteve kam shpenzuar para për ta realizuar një ide të kahershme e cila më ka motivuar gjithnjë duke m‘a ka ndriçuar rrugëtimin e rëndë deri tek realizimi i saj.

Albinfo.ch: Pra cila ishte kjo ide?

I.Ibrahimi: Çdo herë kam pasur dëshirë që ta themeloj një shtëpi për pleq dhe sot jam pronare e një shtëpie të tillë e cila quhet “Rägeboge Wohne – Pflegewohngrupe“ që mundemi ta përkthejmë në shqip “Shtëpia e Ylberit” dhe gjendet Wetzikon te Cyrihut, në adresën Bahnhofstrasse 203, 8620. Pra, fillimisht e kam bërë këtë shtëpi në formë të „Wohngrupes“ ose Grupit të banorëve me 8 dhoma për 8 persona.  Shtëpia ka një hapësirë për banim prej 270 metrash katrorë. 3 dhoma janë dyshe, dhe dy njëshe. Është e hapur për të gjitha nacionalitetet dhe është e banuar me 8 pleq të kombeve të ndryshme. Stafi është i përbërë nga punëtorë të kualifikuar ku kemi edhe shqiptarë. Kemi infermiere, ndihmëse të infermiereve, mjekë, psikiatër, kujdestarë, kuzhinierë, persona që e udhëheqin administratën e tjerë.

Albinfo : A ka kërkesa të mjaftueshme për shtëpinë tuaj dhe kush e financon këtë ?

I. Ibrahimi: Kërkesa ka shumë dhe nevoja është e madhe. Ne e kemi një listë ku regjistrohen të interesuarit dhe presin momentin që të hapet një vend i lirë. Shtëpia financohet prej vetvetes, nga shtesat e pensioneve të pleqve me të cilat ne i paguajmë të gjitha nevojat për funksionimin e infrastrukturës.

Albinfo.ch : Cilat janë parakushtet cilat duhet plotësuar për të pasur të drejtë banimi në këtë shtëpi ?

I.Ibrahimi: Secili njeri në Zvicër që ka një lejeqëndrimi të rregullt, edhe në qoftë se ka pension të ulët, ka të drejtë të bëhet banor i një shtëpie për pleq, e jo vetëm të pasurit me pensione të larta, siç mendojnë shumë njerëz. Këtu në Zvicër janë disa forma të mbështetjes financiare për t`i ndihmuar pleqtë, si: AHV (AVS) ose Sigurimi i pleqërisë, Fondi pensional ose shtylla e dytë, shtesat e pensionit së pleqërisë, dhe tjera institucione. Për të gjitha informacionet në lidhje me këtë çështje u përgjigjet organizata „Pro senectute“ në Zvicer.

Albinfo.ch: Cilat janë projektet tua për të ardhmën ?

I.Ibrahimi: Dëshira ime është që ta zgjeroj këtë shtëpi me një grup që do të përbëhet vetëm nga shqiptarë ose njerëz shqipfolës.

Albinfo.ch: Çfarë do ta dallojë këtë grup me shqiptarë nga grupi ekzistues?

I.Ibrahimi: Të gjitha kushtet e jetesës në këtë shtëpi për pleq, do t’i përshtaten mentalitetit dhe kulturës sonë, që do të thotë: specialitete nga kuzhina shqiptare, personeli shqipfolës, televizioni dhe mediet shqiptare e kështu me radhe. Këta do të munden të flasim me njëri tjetrin shqip, do të organizojmë aktivitete në gjuhën shqipe, do të ndihen si në shtëpinë e tyre, dhe do të munden t’i vizitojnë ose ti marrin fëmijët e tyre në çdo kohë dhe moment. Në fillim do të provoj me vetëm 8 persona, dhe pastaj do të shohim si do të ecë puna dhe a ia vlen të zgjerohemi edhe më tepër.

Albinfo.ch: Pse mendoni që do të ishte kjo ide e mire për pleqtë tanë?

I.Ibrahimi: Në këtë mënyrë do të lirohen edhe ata nga dinamika dhe stresi i përditshëm i fëmijëve të tyre, dhe do t`i lironin fëmijët e tyre nga nevojat specifike që këta i kanë si të moshuar. Këtu tek ne, do të ndihen sikur në shtëpinë e tyre, afër fëmijëve dhe nipërve me tërë kujdesin mjekësor dhe ndihmën e duhur. Nostalgjinë dhe mërzitjen do ta luftojnë duke biseduar me njëri tjetrin dhe pasi që janë afërsisht moshatarë, do të munden t`i rrëfejnë ndodhitë dhe historitë që i kanë përjetuar gjatë jetës së tyre.

Albinfo.ch: A e keni ndonjë mesazh për të interesuarit?

I.Ibrahimi: Kam dëshirë t’u them bashkatdhetarëve të mi në Zvicër, gjeneratës së dytë, që të mundohen sa më shumë ta luftojnë idenë tradicionale që shumica e mbajnë si krenari familjare, se plakun ose plakën nuk duhet dërguar në shtëpi për pleq por duhet ta mbajë nusja apo djali. Jeta me dinamizmin e vet ka ecur përpara për të gjithë njerëzit e edhe për ne shqiptarët, dhe ka marrë drejtim i cili na imponon medoemos ndryshim në kulturë dhe traditë. Nuk është turp ta vendosësh një plak në një shtëpi ku ai e ndien veten të lumtur, të qetë dhe nën kujdes, dhe ku mundet ta vizitojë familja e tij në çdo moment. Unë punën time e bëj me zemër dhe vullnet të madh. Mesazhi im i dytë është që të bëhemi të gjithë së bashku, t`i luftojmë qëndrimet të cilat nuk përputhen me realitetin dhe na bllokojnë në veprimtari. Në vend që të hapen firma të ndryshme fitimprurëse kishte qenë mirë nëse do të hapeshin edhe më tepër shtëpi për pleqtë tanë në diaspore, sepse nevoja e tyre do te bëhet në të ardhmën një preokupim serioz dhe real i të gjithë neve.

Silvije Buçaj Shehi

 

Keqardhja për të moshuarit


E pyetur se çfarë e ka inspiruar për realizimin e kësaj ideje Igballja përgjigjet: „ Çdo herë më ka ardhur keq për njerëzit e moshuar të cilët i kalojnë ditët e fundit në dhoma spitalore dhe nuk munden të kujdesen për vete në shtëpinë e tyre. Në ditët e fundit të jetës, ata kanë nevojë për liri, për një ambient të ngrohtë, privat, të rrethuar me ngjyra dhe shoqëri të gjeneratës së tyre”.

Pse të jetë turp dërgimi i prindit në shtëpinë e pleqve?

Jeta me dinamizmin e vet ka ecur përpara për të gjithë njerëzit e edhe për ne shqiptarët, dhe ka marrë drejtim i cili na imponon medoemos ndryshim në kulturë dhe traditë. Nuk është turp ta vendosësh një plak në një shtëpi ku ai e ndien veten të lumtur, të qetë dhe nën kujdes, dhe ku mundet ta vizitojë familja e tij në çdo moment.