Shqipëria

Shtëpia e Ismail Kadaresë në Gjirokastër “pushtohet” nga turistët

Shtëpia e lindjes e Ismail Kadaresë në Gjirokastër është pushtuar nga turistët vendas dhe të huaj, pas lajmit për ndarjen e tij nga jeta. A2 CNN, ka takuar 3 tursite të huaja, të cilat janë mrekulluar nga librat e tij të përkthyera në italisht dhe frëngjisht. Ato shprehen se përmes tij kanë njohur historinë e Shqipërisë.

“Sot paska qenë pikërisht dita për të vizituar shtëpinë e tij. Librat e tij i kam lexuar të përkthyer në italisht, dhe janë shumë të mirë, e tregon mirë historinë e vendit të tij dhe gabimeve dhe kohëve tona”, thotë një turiste.

“Më pëlqen Ismail Kadare, kam lexuar një libër të tij në Francë, dhe jam shumë e interesuar të vizitoj shtëpinë e tij. Ai që më shiti biletën më tha dhe është e pabesueshme, e trishtë, një lajm i keq. Ai është i famshëm në Francë, shumë i famshëm dhe një mik i imi më dhuroi një libër të tij, “Prilli i thyer” dhe më pëlqeu shumë dhe kjo është arsyeja që vizitova Shqipërinë”, thotë një tjetër.

“E njoha përmes librave të tij, në Itali është shumë i famshëm dhe gjenden shumë vepra të tij të përkthyera dhe mua përveç anës letrare më intereson dhe ajo historike, sepse flet për kolonializmin fashist të Shqipërisë në librat e tij”, shprehet një tjetër turiste.

Kolosi i letërsisë shqipe Isamil Kadare, ndërroi jetë një ditë më parë në moshën 88-vjeçare. Qeveria shpalli dy ditë zie për nder të shkrimtarit, ndërsa nesër ai do të përcillet për në banesën e fundit.