Lajme

Shtëpia e Bardhë thirrje Putinit të mos ndërhyjë në zgjedhje

Pasi presidenti rus Vladimir Putin shprehu mbështetjen e tij për nënpresidenten amerikane, Kamala Harris, ka reaguar Shtëpia e Bardhë. Thirrja e Uashingtonit ishte që Putin të mos ndërhyjë më në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

“Të vetmit njerëz që pritet të përcaktojnë se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara janë populli amerikan dhe ne do ta vlerësonim shumë nëse zoti Putin do të ndalonte së foluri për zgjedhjet tona dhe do të ndalonte ndërhyrjen,” tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, përcjell Albinfo.ch.

“Putin duhet të ndalojë së foluri për zgjedhjet tona, pikë. Ai nuk duhet të favorizojë askënd në një mënyrë apo tjetrën”, tha Kirby.

Duke folur në Forumin e Euroazisë Lindore në qytetin rus Vlladivostok të enjten, Putini tha se Moska parapëlqen që Harris t’i fitojë zgjedhjet e nëntorit në SHBA, sipas portalit Meduza.

“I parapëlqyeri ynë ishte Bideni. Ai është tërhequr nga gara, por ai rekomandoi të mbështetet Harrisi. Dhe, ne do ta bëjmë këtë. Ne do ta mbështesim atë”, tha Putini./Albinfo.ch/