Lajme

Shtëpia e Bardhë: 17 mijë të evakuuar nga Kabuli prej 14 gushtit

Shtëpia e Bardhë njoftoi të shtunën se në 24 orët e fundit ushtria amerikane ka evakuuar rreth 3,800 persona nga aeroporti i Kabulit si dhe 17,000 që nga 14 gushti, përpara se talibanët të hynin në kryeqytetin afgan. Shtëpia e Bardhë tha se që nga fundi i muajit korrik ishin evakuuar rreth 22,000 njerëz.

Ndër 17,000 të evakuuar gjatë javës së kaluar 2,500 janë amerikanë, tha Gjenerali amerikan, William Taylor, të shtunën në një konferencë për shtyp në Pentagon. Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, u tha gazetarëve se ai nuk kishte një “shifër të saktë” se sa amerikanë kanë mbetur në Kabul dhe në pjesë të tjera të Afganistanit.

Të premten zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha se numri i përgjithshëm varet nga disa faktorë.

Ai shtoi se Departamenti i Shtetit po punon për të kontaktuar të gjithë qytetarët amerikanë që kanë njoftuar departamentin si dhe afganët në rrezik që kërkojnë ndihmë nga SHBA-ja. Duke vënë në dukje se Shtetet e Bashkuara kanë “një kapacitet të jashtëzakonshëm transportit ajror”, zoti Price tha se “ne do të bëjmë aq sa mundemi, për aq kohë sa mundemi, për të evakuuar sa më shumë njerëz që mundemi”.

Presidenti amerikan, Joe Biden, përsëriti të premten premtimin për të qëndruar në Afganistan derisa të evakuohen të gjithë qytetarët amerikanë që duan të largohen dhe afganët që rrezikuan jetën e tyre duke punuar për qeverinë amerikane gjatë 20 vjetëve lufte në Afganistan.