Integrimi

Shtatorja e Nënë Terezës në Winterthur, sjell mesazhe paqeje dhe tolerance

“Vendosëm pozitivisht, duke marrë parasysh rëndësinë dhe simbolikën e personalitetit të Nënë Terezës dhe meritat e SHKA “Dardania” për integrimin e komunitetit shqiptar në Winterthur”, ka thënë veç tjerash i pari i qytetit të Winterthurit, M. Künzle.

Më shumë se tri vite angazhim, lodhje, sakrifikim të kohës së lirë, për Shefqet Cakollin, më 2 qershor 2018 kanë pasur një fund të lumtur. Ato janë kurorëzuar me njërën nga veprat jetësore të tij dhe të SHKA “Dardania”, me përurimin e shtatores së Nënë Terezës në qytetin Winterthur. “Tash mund të marr më në fund frymë lirisht”, shprehet Cakolli për albinfo.ch pasi që shtatorja e shenjtëreshës shqiptare është zbuluar me një ceremoni që rodhi shumë mirë dhe që u nderua nga prania e shumë personaliteteve. Kryesori dhe më i merituari për aktin e vendosjes së shtatores është kryetari i qytetit, Michael Künzle, i cili qëndro gjatë gjithë kohës në ceremoni dhe e mori dy herë fjalën e tij.

Künzle u shpreh i nderuar me mundësinë që i jepej të ofronte një shërbim për bashkëqytetarët e tij nga komuniteti shqiptar, duke u mundësuar vendosjen e shtatores së një personaliteti kaq të rëndësishëm botëror siç është Nënë Tereza në një shesh të qytetit “të tij”. Ai, në fjalën e tij evokoi “parahistorinë” e këtij evenimenti, duke filluar nga propozimi që Shefqet Cakolli në emrin e SHKA “Dardania” e kishte bërë përmes ish pjesëtarit të ekzekutivit të qytetit, Joseph Lisibach e deri sot. Gjatë kësaj kohe mbi 3 vjeçare, idenë e kanë përcjellë edhe mjaft dilema nga anë të ndryshme.

Kryetari i Winterthurit: Vendosëm ta lejonim shtatoren dhe nuk gabuam!

“Nëse ne i përgjigjemi pozitivisht “Dardanisë” dhe komunitetit shqiptar, a do të na vërshojnë nesër të gjitha komunitetet me propozime për shtatore të ngjashme…”, ishte njëra ndër dilemat që ka pasur ekzekutivi i qytetit deri në momentin kur ka marrë vendimin pozitiv. “Në fund vendosëm pozitivisht, duke marrë parasysh rëndësinë dhe simbolikën e personalitetit të Nënë Terezës dhe meritat e SHKA “Dardania” për integrimin e komunitetit shqiptar në Winterthur”, ka thënë veç tjerash i pari i qytetit të Winterthurit, M. Künzle.

Ai gjithashtu ka theksuar se e çmon shumë përkushtimin e komunitetit shqiptar për ruajtjen e vlerave të vendit të prejardhjes por po kaq e vlerëson edhe pjesëmarrjen e këtij komuniteti në jetën shoqërore të qytetit dhe të vendit ku jeton.

Të pranishëm në këtë akt solemn që u zhvillua në një ditë të bukur e me diell në qytetin e Winterthurit ishin edhe ambasadorja e Republikës së Kosovës në Zvicër, Nazane Breca dhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Ilir Gjoni, drejtori i Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih, Ridvan Murati, deputeti i Parlanentit të Kosovës, Anton Quni etj.

Autor i shtatores është skulptori shqiptar me banim në Winterthur, Bashkim Beqiri.

Shtatorja bekohet nga klerikët shqiptarë të katër besimeve

Ndërsa prania e klerikëve shqiptarë të katër besimeve: Don Lush Gjergji në emër të besimtarëve katolikë, Fehim Dragusha, në emër të atyre myslimanë, Baba Mondi në emrin e bektashinjve dhe Femi Cakolli, në emrin e besimtarëve të Kishës Protestante Ungjillore, dëshmoi edhe njëherë për harmoninë tradicionale ndërfetare te shqiptarët.

Klerikët e përmendur kanë bërë, secili sipas ritualeve të besimeve përkatëse, bekimin e shtatores, para një publiku prej disa qindra vetash, kryesisht shqiptarë por edhe miq të tyre, zviceranë, që kishin vërshuar sheshin më të ri të Winterthurit.

Ideatori dhe promotori i vendosjes së shtatores, Shefqet Cakolli i ka dhuruar kryetarit të qytetit disa dhurata simbolike, në shenjë mirënjohjeje për dhuratën e tij të  madhe, përkrahjen dhe lejen për vendosjen e shtatores së Nënë Terezës në qytetin që Künzle e drejton tashmë në mandatin e dytë.

Akademia kushtuar Skënderbeut dhe Nënë Terezës

Pas solemnitetit të zbulimit të shtatores, festa u bart në një pjesë tjetër të qytetit, në Hotel “Töss” ku do të mbahej akademia solemne kushtuar Nënë Terezës dhe 550 vjetorit të shkuarjes në amshim të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut.

Akademia rodhi e kombinuar me leximin e punimeve kushtuar Skënderbeut dhe Nënë Terezës, me fjalët përshëndetëse të përfaqësuesve të besimeve fetare dhe të personaliteteve politike si dhe me një program të pasur artistik.

Me një punim rreth rëndësisë së figurës së Gjerg Kastriotit Skënderbeut për shqiptarët është paraqitur dr. Fehmi Cakolli. Ai ka hedhur dritë mbi shumë burime historike që flasin për Skënderbeun, duke u marrë  me vlerësimin kritik të disa prej tyre. Në veçanti, Cakolli është marrë me disa nga rrymat që kanë kundërshtuar përpjekjet unifikuese të kryetrimit, Skënderbeut në kohën e tij dhe pastaj. Ai po ashtu ka kundërshtuar tezat sipas të cilave Gjergj Kastrioti Skënderbeu ka luftuar vetëm për kauzën fetare, duke argumentuar me fakte të njohura e të reja historike përkushtimin e tij për mbrojtjen dhe çlirimin e trojeve arbërore.

Nënë Tereza si simbol që duhet ndjekur

Dom Lush Gjergji, i njohur edhe si biografi kryesor i Nënë Terezës, ka thënë se ne, si shqiptarë, e njohëm Nënë Terezën pak me vonesë, vetëm pasi që ajo, me veprën e saj të madhe humanitare, qe bërë e njohur në botë. Por ne u identifikuam pastaj me këtë nënë që përveç simbolit human dhe të krishterë bartte edhe substratin shqiptar për nga përkatësia e gjakut, siç e kishte dëshmuar edhe vetë. Don Lush Gjergji kujtoi se e kishte përcjellë dhe njohur Nënë Terezën për 28 vjet për të gjallë të saj dhe si rezultat i kësaj njohjeje janë 17 librat kushtuar asaj, të përkthyera në 35 gjuhë. Ai më tutje porositi se nuk mjafton vetëm ta njohim Nënë Terezën dhe të krenohemi me të por duhet edhe të përpiqemi ta imitojmë, të identifikohemi me shpirtin humanitar të saj.

Baba Mondi, kryetar i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, me seli në Tiranë, ka përshëndetur tubimin në emrin e miliona besimtarëve të besimit që përfaqëson, siç ka thënë ai. Gjithashtu kreu i bektashinjve ka çmuar lart rolin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe Nënë Terezës për kompaktësinë e shqiptarëve në periudhat kur kanë jetuar dhe pas tyre.

 

Imami që në një ditë Ramazani nderon shenjtëreshën e krishterë

Me një fjalë përshëndetëse është paraqitur edhe imami Mr. Fehim Dragusha. Ai ka dhënë një mesazh të rëndësishëm sa i përket harmonisë ndërfetare te shqiptarët. Imami Dragusha ka thënë se petku i tij prej kleriku mysliman nuk e pengon që të vlerësojë lart figurat e kombit si Gjergj Kastriotin Skënderbeun ashtu dhe Nënë Terezën. Prandaj ka thënë se nuk ka hezituar aspak që, në një ditë Ramazani dhe duke agjëruar, të vinte në përurimin e një shenjtëreshe katolike me rrënjë shqiptare. Me këtë, ai ka vënë theksin në porosinë e madhe që, sipas tij, të gjitha fetë në burim kanë paqen dhe tolerancën ndërsa për devijimet e tyre janë përgjegjës njerëzit.

Me një përshëndetje të veçantë i është drejtuar publikut Joseph Lisibach, ish këshilltari i qytetit (pjesë e ekezekutivit) të Winterthurit. Ai ka meritën kryesore për shtyrjen përpara në qeverinë e qytetit, të idesë dhe propozimit për ngritjen e shtatores së Nënë Terezës. Lisibach (nga SVP), ka kultivuar që prej kohësh një raport shumë të afërt e miqësor me komunitetin e këtushëm shqiptar. Ai në fjalën e tij ka evokuar pjesëmarrjen në manifestimin për nder të 100 vjetorit të shtetit shqiptar, të organizuar nga “Dardania” më 28 Nëntor 2012 duke vlerësuar lart angazhimin e komunitetit shqiptar në ruajtjen e traditave por edhe në integrimin me vlera në jetën shoqërore të qytetit.

Program i pasur artistik

Një program i pasur kulturor ka shoqëruar këtë akademi, duke i dhënë asaj një petk solemn dhe frymë artistike. Ka qenë në radhë të parë  shoqata nikoqire SHKA “Dardania” e Winterthurit e cila me një sërë vallesh të grupeve të saj të ndryshme dhe me orkestrën e instrumenteve folklorike ka bërë “kolonën muzikore” të aktivitetit, duke kënduar edhe këngë kushtuar Nënë Terezës. Atë e kanë ndihmuar edhe Ansambi “Arbëresha” nga Sirnach-u (me një koreodramë kushtuar Nënë Terezës) dhe Shkolla Shqiptare e Vallëzimit “Shota” me vallet e saj tashmë të njohura për publikun shqiptar të Zvicrës. Me këngën e njohur arbëreshe “Moj e bukura More” është paraqitur kori i garve “Lyra” nga Cyrihu, i cili sa vjen e po konsolidohet. Një kolazh poezish të Nënë Terezës e ka deklamuar aktorja e grupit “Aktrimi”, Yllka Zuzaku Mustafa dhe një këngë kushtuar Nënë Terezës e ka kënduar Isuf Rashiti.

Ndërsa aktori i madh Reshat Arbana, i ardhur enkas nga Shqipëria me deklamimin e poezive nga Naim Frashëri, Gjergj Fishta etj. ka emociunuar të gjithë të pranishmit.

Gjithë aktivitetin e ka moderuar, si gjithmonë, me invencion dhe me elokuencë, aktori Ramadan Morina, i ndihmuar herë pas here nga Albulena Cakolli-Kqiku.