Shkurt.ch

Shtatë ditë e zhdukur 69 vjeçarja gjendet shëndosh e mirë

Kur policia e ka gjetur atë, pas shtatë ditësh të kaluara jashtë, ajo ishte dobësuar dhe lodhur por pa pasoja serioze për shëndetin

Annaliese Ernst, një grua pensioniste 69 vjeçare, e paraqitur si e zhdukur, ka qëndruar shtatë ditë dhe gjashtë net e ngujuar në një hendek në  Zetzwil, Wynetal /AG. Kur policia kantonale e Argaut e ka gjetur atë pas shtatë ditësh, ajo ishte dobësuar dhe lodhur por pa pasoja serioze për shëndetin. Ajo është dërguar menjëherë në spital për trajtim.

Pensionistja 69 vjeçe është zbuluar falë dëshmisë së dhënë nga një banor i lokalitetit. Ajo kishte qenë rrugës duke shkuar në një varrim kur ishte rrëzuar pranë një përroi dhe, pasi kishte lënduar këmbën kishte mbetur e ngujuar pa mundur të dilte nga vendi ku kishte rënë.

“Fillimisht  nuk u shqetësova shumë sepse shpresoja se do të më gjejë shpejt dikush por kur kaloi një kohë fillova të bërtisja. Nuk më dëgjonte askush, thotë ajo për blick.ch  Annalies Ernst beson se atë e kishte shpëtuar “engjëlli i rojës”, që në të vërtetë është një figurë e vogël metalike engjëlli e lidhëses së çelësave, të cilën ajo e mbante me vete.