Integrimi

Shqiptarja, një nga avokatet më të mira në Londër

Histori suksesi, Ada Guri, avokate e suksesshme në Londër

Nga Shqipëria në Londër, historia e Ada Gurit, e cila mes peripecive të fillimit në një vend të huaj, ia doli të integrohet në shoqërinë londineze dhe sot ajo përfaqëson avokaten shqiptare të suksesshme në fushën e kriminologjisë, atje, përcjell albinfo.ch.

Duke qenë se Ada Guri që në moshë të vogël është shkëputur nga Shqipëria për një jetë më të mirë në Londër, ajo ka nisur jetën në këtë vend, duke ndarë eksperiencat dhe peripecitë e një emigranteje të vetme në Londër. Thuhet se Guri aktualisht është një ndër avokatet më të mira të krimeve, ku shumë klientë janë edhe shqiptarë.

Po ashtu, avokatja thotë se problemet më të shumta me të cilat ndeshet në çështjet që shqyrton me shqiptarët janë droga, dhuna në familje dhe pajisja me dokumente false. Në një intervistë për “Shekulli” ajo thotë se nëse një ditë do të kthehet në Shqipëri për të hapur një zyrë avokatie dhe të vazhdojë profesionin e saj në atdhe, ajo tregohet skeptike, edhe pse dëshira është e madhe.

“Kam qenë me fat që kam njohur njerëz rrotull që më kanë ndihmuar. Në 2008 një shoqja ime, që e njihja prej vitesh, më tregon që duhet të shkoja tek një zyrë, se ajo kishte biseduar për punë vullnetare. Duhet të filloja diku. Isha e gëzuar dhe nervoze. Nuk e di nëse do ia dilja. Më duhet të shkoja në gjyq çdo ditë më baristerin dhe shumë gjëra nuk i kuptoja. Në të njëjtën kohë duhet të mbaja shënim çdo gjë që ndodhte në gjyq. Ne mbronim klientë që ishin në gjyq për krime të rënda, duke filluar nga çështje pedofilie, vrasje apo edhe ato më të lehtat, si rrahje, të ndaluar me dokumente false etj. Nuk ishte e lehtë. Unë si e re në profesion, i përjetoja shumë keq vitet e para, edhe psikologjikisht e kuptoj që ndikuan negativisht tek unë. Më pas kjo kompani avokatie me ofroi punë dhe ja ku jemi”, është shprehur ajo.

Po ashtu, ajo thotë se merret shpesh edhe me rastet e shqiptarëve, por nuk bën dallime sa u përket nacionaliteteve.

“Po flas për klientët shqiptarë, meqë po përgjigjem në shqip. Ne kemi probleme si çdo komb tjetër. Nga më të ndryshmet. Në fillimet e mia, por edhe sot nuk ka ngadalësim krimesh. Duke filluar nga ato që janë kapur me lëndë narkotike, shfrytëzim njerëzish, apo tek-tuk dhe zënka. Historikisht, kemi pasur klientë që kanë nevojë për ndihmë kundrejt statusit të tyre apo ndryshe për t’u legalizuar nëpërmjet aplikimeve në lidhje me emigracionin. Viteve të fundit ka shqiptarë që kanë probleme me ligjet e familjes. Këtu veçoj dhunën kundrejt fëmijëve apo dhe bashkëshortes, që më pas këto të mitur i rrëfejnë abuzimet në shkollë dhe prindit i hiqet e drejta prindërore në bazë të dhunës së përdorur kundrejt fëmijës”, tha Ada Guri. /Albinfo.ch.