Integrimi

Shqiptarja fiton bursën nga fondi me emrin e studentes së vrarë

“Kjo është diçka e dhimbshme sepse ajo kishte plane për të ardhmen e saj, ashtu si dhe unë. Shpresoj që familja e saj të ndihet pak më mirë që një vajzë e re po ndjek ëndrrat e saj me bursën që i takonte bijës së tyre. Kjo bursë më motivon të mësoj më shumë dhe të mos dorëzohem”, ka thënë Kristina Leska

Studentja shqiptare, Kristina Leska, 22-vjeçare, e cila studion në qytetin e St. Clair Shores, iu dha bursa e studentit në universitetin e Beaumont Grosse në Wayne, në nder të kujtimit të Paige Stalker, një adoleshenteje që ishte vullnetare aty dhe u vra në vitin 2014, shkruan ‘macombdaily.com’.

 

Leska kishte ëndrra të mëdha kur mbërriti në Amerikë. Ajo shpreson t’i bëjë ato realitet, pasi përfitoi bursën në nder të studentes amerikane që punonte si vullnetare në spital. “Dua të bëhem dentiste”, u shpreh Leska, përcjell albinfo.ch.

 

Stalker e cila ishte vullnetare në spital që prej moshës 16-vjeçare, mbeti e vrarë pasi ishte duke qëndruar në makinë në zonën e Detroitit me miqtë, kur dikush iu afrua dhe e qëlloi. Vrasja e saj vazhdon të qëndrojë e pazbardhur, por bursa e saj me vlerë 5000 dollarë në nder të saj i ka kaluar 22-vjeçares nga Shqipëria.

 

“Kjo është diçka e dhimbshme sepse ajo kishte plane për të ardhmen e saj, ashtu si dhe unë. Shpresoj që familja e saj të ndihet pak më mirë që një vajzë e re po ndjek ëndrrat e saj me bursën që i takonte bijës së tyre. Kjo bursë më motivon të mësoj më shumë dhe të mos dorëzohem. Unë jam rritur në Shqipëri dhe erdha këtu menjëherë pas shkollës së mesme. Ishte gjëja më e vështirë për mua të largohesha nga vendi që dua dhe të quaj shtëpi Amerikën. Kisha shumë frikë. Por jam shumë e emocionuar pasi ky është një nga vendet më madhështorë të botës”, ka shtuar studentja shqiptare..

 

Për Leskën ka qenë një udhëtim i gjatë. Shkenca ka qenë gjithmonë një pasion për Leskën. Por, Shqipëria edhe pse një vend i qëndrueshëm është i varfër me mundësi të pakta. Prindërit e saj e mbështetën vendimin e saj për të udhëtuar në Amerikë për një vizë studentore dhe ajo për momentin është duke ndjekur universitetin e Wayne.

 

Qëllimi i saj sapo ajo erdhi në Miçigan, ishte të gjente një karrierë ku mund të bënte një ndryshim në jetën e një populli dhe ndërsa ajo është ende duke eksploruar në fushën e kujdesit shëndetësor, shpreson të diplomohet si një dentiste e ardhshme. “Nuk ka asgjë më të bukur se të bësh të bukur buzëqeshjen e dikujt. Paige kishte një buzëqeshje të bukur. Ajo ishte gjithashtu vullnetare në universitet si unë”, tha ajo.