Lajme

Shqiptari që ëndërron të bëjë shqiponjën në podiumin e Formula 1

Pandemia e Covid-19 ka ndikuar në ekonominë globale, në jetën e miliona njerëzve dhe në sport. Nëse futbolli është ai që ka ngritur më tepër zërin për problemet e shkaktuara nga kriza ekonomike, edhe në botën e motorëve po ndihet shumë kjo krizë. Në garat me makina garon i vetmi shqiptar në kategoritë Formula, pikërisht në Formula 3. Lirim Zendeli dha një intervistë ekskluzive për A2, ku tregoi ëndrrën e tij të madhe: garimin në Formula 1.

“Kam nënshkruar një kontratë me një ekip të mirë këtë vit, besoj se kam mundësinë që të fitoj gara. Objektivi im është që të fitoj kampionatin e Formula 3 dhe shpresoj që pas 2-3 vjetësh të bëhem i pari shqiptar në Formula 1”, tha Zendeli në intervistën ekskluzive për gazetarin e A2, Erald Kodheli.

Kur u pyet nëse do të mund të shikohet ndonjëherë flamuri shqiptar në një podium të Formula 1, Zendeli u shpreh: “Shpresoj që kur të mbërrij në Formula 1, të mund të bëj shqiponjën në podium”.