Sport

Shqiptari nga Zvicra do ta përfaqësojë Kosovën në triatlon

Sami Morina ka vendosur të përfaqësojë Kosovën në sportin e triatlonit, të formuar vetëm muaj më parë në Kosovë, njofton Komiteti Olimpik i Kosovës.

Morina, që deri më tani ka marrë pjesë në gara të ndryshme në shtetin zviceran, tani e tutje do të përfaqësojë Kosovën në gara ndërkombëtare, përcjell albinfo.ch.

Federata e Triatlonit të Kosovës është formuar muaj më parë. Morina, i cili ndodhet në Kosovë, sot vizitoi Komitetin Olimpik të Kosovës, ku u prit nga presidenti Besim Hasani dhe nënpresidenti Gazmend Maxhuni.

“Presidenti Hasani përgëzoi Morinën për vendimin e marrë, duke i uruar suksese në garat ndërkombëtare.Vetë Morina u shpreh optimist që do të garojë për të fituar normën Olimpike Tokio 2020, për çka presidenti Hasani shprehu gatishmërinë për ta ndihmuar”, thuhet në njoftimin e KOK-ut.

Ndërkaq, Samiu është shprehur i nderuar nga ky takim.

“Ishte një nder për mua që të takoja Presidentin e Komitetit Olimpik te Kosovës Besim Hasanin dhe nënpresidentin Gazmend Maxhuni, tashmë Sekretar i Federatës së Triatlonit të Kosovës, të diskutoj për planet për të ardhmen e Triatlonit”, ka shkruar Morina në Facebook, përcjell albinfo.ch.

Triatloni është sport që përfshin tri diciplina: not, çiklizëm dhe vrapim.