Lajme
Shqiptarët të tronditur me sulmet terroriste në Paris
Kosovarët kanë ndezur qirinj, ndërsa liderët politikë kanë vendosur lule pranë Ambasadës së Francës në nderim të viktimave terroriste. Shqiptarët në këto momente janë ashkë me Francën
Sulmet terroriste në Paris që lanë të vrarë më shumë se 150 veta, kanë shokuar edhe shqiptarët në Kosovës e Shqipëri, të cilët janë solidarizuar me popullin francez. Në Prishtinë kosovarët kanë ndezur qirinj në shenjë përkujtimi, ndërsa liderët politikë, por edhe qytetarë e gazetarë kanë vendosur lule pranë Ambasadës së Francës në Kosovë.
Sulmi terrorist ka ngjallur dhimbje të thellë edhe të përfaqësuesit e institucioneve kosovare, të cilët kanë ngushëlluar në këtë momente liderishipin dhe popullin francez.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është shprehur e tronditur me sulmet që ndodhën në Paris.
“E tronditur me sulmet terroriste në Paris dhe humbjen e shumë jetëve të pafajshme në këto sulme. E ndajmë dhembjen me Francën dhe qëndrojmë me popullin francez kundër terrorizmit”, ka shkruar Jahjaga në rrjetin e saj social Facebook.
Veseli: E mira do të triumfojë mbi të keqen
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në shenjë të nderimit për viktimat e sulmeve terroriste në Paris, vendosi buqeta me lule tek Ambasada e Francës në Prishtinë. Me këtë rast, kryetari Veseli në emër të Kuvendit të Kosovës, përmes ambasadores Maryse Daviet, u shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave të sulmeve terroriste në Paris.
“Këto sulme barbare kanë lënduar zëmrat e të gjithë neve, sepse një mik i madh i Kosovës, Franca është sulmuar, por vlerat mbi të cilat bazohet Franca dhe ne popujt tjerë që i ndajmë këto vlera franceze, qëndrojnë të palëkundura përgjithmonë”, i tha Vesli ambasadores franceze.
Liria dhe të drejtat e njeriut, sipas kryeparlamentarit kosovar, do ta fitojnë edhe këtë betejë me terrorizmin e motivuar nga fanatizmi fetar, “ashtu sikurse i fituan edhe betejat me fanatizmat e shekullit të kaluar, fashizmin e komunizmin”.
Ambasadorja Daviet nga ana e saj falënderoi kryetarin Veseli për ndjenjat e solidaritetit që ai dhe populli i Kosovës po shprehin në këto momente të rënda për popullin francez.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skender Hyseni vizitoi ambasadën e Francës në Kosovë dhe takoi ambasadoren, Marie Davies, për t’i shprehur ngushëllime me rastin e sulmeve terroriste në Paris, ku humbën jetën qindra qytetarë të pafajshëm të Francës.
Me këtë rast ministri Hyseni i dërgoi telegram ngushëllimi, ministrit të Brendshëm francez, z.Brenard Cazeneuve. “Ministria e Punëve të Brendshme dhe Republika e Kosovës janë me popullin francez dhe familjet e viktimave në këtë kohë pikëllimi të thellë”, thuhet në ngushëllim.
Po ashtu ministri Hyseni, në telegram theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës, për të bashkëpunuar ngushtë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Ministri Hyseni tha se është e domosdoshme që bota të bashkohet në luftimin e terrorizmit.
Haradinaj: Do të jemi bashkë kundër terrorizmit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se të gjithë ndajmë dhimbjen me popullin francez, pas sulmeve terroriste në Paris. Ai me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se e gjithë Kosova është me Francën.
“Me shqetësim të thellë kam përcjellë lajmet mbi sulmet terroriste në Paris dhe jam jashtëzakonisht i tronditur. Në këto momente pikëllimi dhe dhembshurie për të gjithë botën e ndritur, ndaj dhimbjen me mbarë popullin francez, institucionet e shtetit të Francës dhe familjet e të gjithë viktimave dhe të plagosurve”, ka shkruar Haradinaj me fjalët” Liberté, Égalité, Fraternité”.
“Në luftën kundër terrorit dhe në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë të gjithë jemi bashkë: dje, sot, nesër!”, ka shkruar Haradinaj.
Bashkësia Islame: Ky është akt makabër
Po ashtu nëpërmjet një deklarate ka reaguar edhe Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, duke thënë se aktet e tilla terroriste që sjellin viktima, terror e dhunë ndaj njerëzve të pafajshëm janë të papranueshme, antihumane e anitnjerëzore dhe si të tilla paraqesin rrezik e sfidë për njerizimin në përgjithësi e botën demokratike në veçanti.
“Me shqetësim të thellë kemi mësuar lajmin që mbrëmë në Parisë nga sulmet terroristë janë vrarë qindra qytetarë të pafajshëm. Në këto momente të vështira për Francën ne ndajmë dhimbjen dhe pikëllimin e thellë me familjarët e viktimave, me popullin francez dhe me të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, duke u lutur që bota mos të përballet me veprime të tilla të tmerrshme”, thuhet në reagimin e BIK-ut.
Bashkësia Islame e Kosovës shprehet e bindur se Franca dhe bota demokratike nuk do të përulen para së keqes, dhunës e terrorizimit, por do të gjejnë rrugën e duhet dhe masat e nevojshme që ngjarje të tilla mos të përsëriten më.
“E ndajmë dhimbjen me popullin mik francez dhe dënojmë ashpër aktet makabre me të cilat u përball Parisi mbrëmë. Zoti i mëshiroftë shpirtrat e viktimave të pafajshme si dhe i shëroftë sa më parë të plagosurit të lënduarit e ngjarjeve të mbrëmshme”, thuhet në komunikatën e BIK-ut.
Shqipëria bashkë-ndjenë dhembje, vetë kërcënohet
Kryeministri Edi Rama i ka dërguar një mesazh homologut francez Manuel Valls, pas sulmit të mbrëmjes së djeshme ku humbën jetën 150 persona.
“Franca u godit përsëri në trup dhe në shpirt nga urrejtja e verbër, fanatizmi dhe përçmimi i jetës. Shqipëria dhe shqiptarët kudo që ndodhen, bashkëndajnë dhimbjen e kombit francez, syçelët dhe të vetëdijshëm për përmasat e betejës kundër terrorizmit, të cilën së bashku duhet ta çojmë përpara”, shkruan kreu i qeverisë.
Ai shton më tej se Franca u përgjak sepse është dëshmia e gjallë e përpjekjes për qytetërim dhe një shoqëri ndërkombëtare të rrënjosur fort në dinjitetin njerëzor, drejtësinë sociale dhe të mirën e përbashkët”.
Po ashtu edhe Ministra e Punëve të Jashtme e Shqipërisë dënon aktet terroriste në Paris dhe rikonfirmon mbështetjen e fuqishme për Francën në betejën kundër terrorizmit. “Qëndrojmë në krah të Francës në betejën kundër terrorizmit dhe kujtdo që cënon vlerat tona të përbashkëta”, thuhet në njoftimin e MPJ.
Ministria bën të ditur gjithashtu se ambasada shqiptare në Francë është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet franceze. MPJ i bën thirrje shtetasve shqiptarë që ndodhen në Francë, që të zbatojnë me përpikëri udhëzimet e autoriteteve franceze për menaxhimin e situatës.
Në anën tjetër në adresën personale të postës elektronike të ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Saimir Tahiri ka mbërritur një mesazh kërcënues që lidhet me terrorizmin.
Mesazhi është dërguar nga një adresë me emrin “Brigadat e Kuqe”, por nuk lidhet me ideologjinë e këtyre grupeve komuniste, por përcjell një mesazh kërcënues me prapavijë fetare dhe në të lihet të kuptohet se pas sulmeve në Paris, është radha e Tiranës.
“Tani e keni radhën ju! Filloi lufta e shenjtë ndaj atyre që janë përfshirë në luftën kundër shtetit islamik. Do dridheni dhe do gjunjëzoheni para Allahut”, shkruhet në mesazh. Pas këtij mesazhi, strukturat antiterror të Policisë së Shtetit kanë nisur hetimet.
Qirinj në sheshin Skënderbeu
Ndryshe, menjëherë pas sulmeve të mbrëmshme, edhe qytetarët e Kosovës po shprehin solidarizim me parisienët të cilët vazhdojnë të përjetojnë ethet e terrorit që përjetuan mbrëmë. Një grup qytetarësh nga Prishtina kanë dalë mesditën e sotme në sheshin Skënderbeu në kryeqytet, për të ndezur qirinj në shenjë dhimbje për viktimat e mbrëmshme, duke treguar solidarizim me popullin francez.
Përmes këtij veprimi, qytetarët thanë se ata nuk e pranojnë që këto sulme të bëhen në emër të çfarëdo ideologjie, pasi një gjë e tillë është akt terrorist që ka prekur formën tonë të jetuarit dhe lirinë tonë personale.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?