Lajme

“Shqiptarët tani duhet të mbajnë dhe përgjegjësi”

Për analistin Nazim Rashidi, Maqedonia po ecë nëpër një rrugë të vështirë të krijimit të raporteve ndëretnike. Klasa politike, sipas tij, po i kontribuuan kësaj gjendje

Nazim Rashidi, analist politik nga Maqedonia, konsideron se shteti maqedonas po kalon nëpër një rrugë të vështirë të krijimit të raporteve ndëretnike, ndërsa nuk pajtohet me klasën politike shqiptare e cila “i ka futur veshët në lesh”.

Në një intervistë për Albinfo.Ch, Rashidi thotë se dhe klasa politike po i kontribuon kësaj gjendje duke heshtur përballë problemeve, ndërsa “rastin Monstra” e konsideron si proces gjyqësor që kurrë nuk u vërtetua fajësia.

Në pyetjen se a duhet të rishikohet Marrëveshja e Ohrit, Rashidi tha se në Maqedoni nga vitit 2001 ka mundur të jenë edhe disa marrëveshje të tjera, por të paaftë për t’i zbatuar ato.

Albinfo.ch: Z. Rashidi. Protestat e fundit treguan se sa delikate është situata në Maqedoni. Kush po i kontribuon tensionimit të gjendjes atje?

Rashidi: Për mua më shqetësuese është mungesa e theksuar e besimit në institucione që po krijohet, dhe mungesa e masave për këtë gjendje. Sa më shumë të thellohet mungesa e besimit aq më shumë do ketë reagime në forma jashtë institucioneve. Ajo që të habit dhe nuk pushon se habituri në fakt është, se si askush nuk ka mësuar leksionet nga e kaluar. Maqedonia po kalonte një periudhë të vështirë përpjekjesh për të ndërtuar besimin tek institucionet, sidomos të shqiptarëve, dhe Maqedonia pas 2001 këtë do të duhet ta dinte më së miri. Por, po ndodhin fenomene të kundërta.

Dhe në vend që vetë institucionet apo dhe subjektet shqiptare të jenë më sqarues, ata të gjithë, kush me deklarata të pamenduara e kush me heshtje, kontribuojnë edhe më shumë në thellimin e mosbesimit tek shteti.

Albinfo.ch: Këto protesta a po dëshmojnë se shqiptarët në Maqedoni jetojnë të  diskriminuar nga pushteti?

Rashidi: Për mendimin tim, Maqedonia është ne një fazë ku shqiptarët kanë shumë çka në dorë. Çështja është tek paaftësia e një klase të tëre politike e cila nuk po di të gjendet në terren institucional. Deklarime të tilla “se shqiptarët diskriminohen vazhdimisht” është një amnisti që po u bëhet subjekteve shqiptare. Ata janë pjesë e institucioneve, na bindin vazhdimisht për këtë, tashmë duhet të mbajnë dhe përgjegjësi.

Çështjet e të drejtave nuk janë të tilla që mund të përmbyllen një herë e përgjithmonë, por për to duhet një kujdes konstant, për çka duhet krijuar një kulturë institucionale. Por, me drejtues të paaftë, me përzgjedhje njerëzish në poste të cilët vinë si rrjedhojë kalkulimesh të vogla politike, dhe jo mbi bazë merite, kjo është e pamundur dhe ne do të jemi dëshmitarë të një gjendjeje të vazhdueshme degraduese.

Devalvimi i proceseve demokratike ku dominon dhuna dhe frika, ka krijuar përshtypjen se me politikë dhe drejtues mund të jenë të gjithë. Por, kur këta gjenden para sfidave, sidomos institucionale, (me përjashtime sigurisht) ata më së paku heshtin, ndërkohë që viktimë e injorancës të tyre jemi të gjithë.

Albinfo.ch: A është “rasti Monstra” i montuar politikisht dhe pse s’po flasin gjykatësit shqiptarë dhe juristët shqiptarë për këtë rast?

Rashidi: Ajo që po konstatohet është se kemi të bëjmë me një proces të pa drejtë. Asnjë nuk beson vendimin dhe asnjë nuk është i bindur në faktet e ofruara se bëhet fjalë për fajtorët e vërtetë të vrasjeve. Ajo që duhet të theksohet është kur ndodhi ngjarja, s’kishte shqiptar që nuk e dënoi atë. Asnjë nuk do të mbrojë fajtorë, por nga ana tjetër asnjë nuk do të jetojë në një shtet ku pa provuar fajësinë të shpallesh i tillë.

Përshtypja është se nëse je i dobët dhe i pambrojtur (dhe ka raste të tjera ku vendime edhe për maqedonas por me proveniencë tjetër politike nga ai i pushtetit, kanë marrë dënime që kanë shkaktuar reagim) mund të të ndodhë gjithçka. Kur kësaj ndjenje ia shtron edhe elementin etnik, atëherë kemi reagimet që shohim.

Nga ana tjetër heshtja e njerëzve të institucioneve në vend që të qetësojë, nxit edhe më shume ndjesinë pasigurisë. Më shumë se sa proces politik kemi një proces ku njerëzit shumë e më shumë po përballen me paaftësinë e klasës politike.

Albinfo.ch: Pse klasa politike është e heshtur. Cili është komenti juaj për partitë politike shqiptare në Maqedoni?

Rashidi: Proceset politike në Maqedoni nga një terren i pastër përballjeje etnike po kalojnë në një terren më institucional, ku zgjidhjet e ofruara me marrëveshje duhej të artikuloheshin në vendime dhe hapa institucional. Por në këtë fazë të dytë klasa politike nuk di të gjendet, sepse politikën e konsideron më shumë si zgjidhje statusi social të politikanëve, të cilët janë të fokusuar në përfitimet që sjell pushteti, se sa në proceset të cilat kërkojnë përgjegjshmëri.

Si rrjedhojë kemi një politikëbërje të devalvuar si nga pushteti ashtu edhe nga opozita, me eksponentë politikë apo zyrtarët të lartë të pa aftë, të pa kualifikuar që nisen me logjikën se një diplomë e marrë do si do mjafton të drejtosh institucione, pa e ditur, që në fakt kanë në dorë jetë njerëzish.

Lehtësia e tmerrshme se si i trajtojnë detyrat, sjell këtë klasë politik të kapur mes politikë-bërjes deklarative ku dominonte retorika nacionaliste dhe asaj para institucionale ku duhet të dominojë ligji dhe tek e cila nuk po dunë të gjenden. Kjo mungesë përgjegjshmërie krijon pakënaqësi e cila sa vjen e reflektohet. Zemërimi rritet më shumë kur dëgjohen deklarata për rritje të përfaqësuesve shqiptar në pushtet, por ndikimi i të cilëve për shkak të paaftësisë është si mos të ishin atje.

Albinfo.ch: A duhet të rishikohet Marrëveshja e Ohrit?

Rashidi: Marrëveshjet në procese politike vinë si rrjedhojë e një krize dhe me qëllim tejkalimin e saj. Ashtu siç po qëndrojnë gjërat sot, ne mund të kishim një marrëveshje apo edhe disa të tilla, por të paaftë për t’i implementuar apo për të ushtruar ndikim, ato s’do kishin asnjë vlerë. Maqedonia ka sfidë për të ndërtuar një shtet të drejtë dhe barabartë për të gjithë mbi bazën e çfarë do marrëveshjeje qoftë.