Feja

Shqiptarët në Zvicër mbushin kishat për Krishtlindje

“Krishti është ai i cili e ndau kohën në dysh, në kohën para Krishtit dhe atë pas tij, pra me lindjen e Krishtit, lindi edhe dashuria, paqja dhe lumturia" tha Don Albert Demaj në meshën e Krishtlindjes në Frauenfeld

 

Salla e madhe e Kishës kryesore në Frauenfeld ishte e zbukuruar në mënyrën më të mirë të mundshme për Meshën e Krishtlindjes që pritej të mbahej në ora 20:30. Gjysmë ore më herët thuajse u mbush e tërë ajo sallë e madhe nga shqiptarët e fesë katolike, që kishin ardhur të organizuar mirë me familjet e tyre. Të rinj, të moshuar, gra, fëmijë të vegjël të gjithë ishin aty dhe kishin zgjedhur rrobat më të mira për këtë festë.

Erdhi koha e meshës. Salla e stërmbushur e vend nuk kishte më as për të lëvizur.

Pal Martini (40) kishte ardhur së bashku me gruan Lucia, si dhe me fëmijët Martinin (9), Mikelin (7) dhe Manuelën (3), ata kishin bërë 20 km udhëtim që të vinin deri te kjo kishë, thanë se gjithmonë për Krishtlindje vijnë këtu në Frauenfeld.

Pal Martini thotë se nuk ka dallim të madh krahasuar me pritjen e kësaj feste në Kosovë dhe këtu në Zvicër.

“Dallimi nuk është edhe aq i madh sepse edhe këtu shkojmë në familje për të uruar Krishtlindjen, mirëpo këtu në Zvicër ka më shumë stres. Për këtë festë përgatisim sofrën më të pasur se herëve të tjera, ushqime tradicionale, si pite, ëmbëlsira, mish etj. Uroj që për këtë festë të kemi rehati dhe paqe ne tërë rruzullin tokësor” tha Martini.

Në Kishë mbretërojnë lutjet, këngët, recitimet dhe thëniet biblike në gjuhën shqipe. Me gjithë atë numër të madh të besimtarëve shqiptarë të fesë katolike, gjithçka rrjedh në mënyrë të organizuar.

Edhe dy të moshuar rreth të 60-tave Fatmir dhe Marie Ramaj, kishin ardhur në Kishë me nipin e tyre Paulin që për festën e Krishtlindjeve kishte ardhur nga Kosova.

Festimi i Krishtlindjes dhe “Riti i Buzmit” në Kosovë

Marie Ramaj tregon se si festohet Krishtlindja te kjo familje.

“Në mal e presim një dru të llojit bung. Atë duhet me e shti brenda në shtëpi. Mirëpo në shtëpi brenda rri vetëm i zoti i shtëpisë kurse pjesa tjetër e familjes hyjmë së bashku me drurin që kemi prerë ne mal, dhe themi “a ka kjo shtëpi bukë” si dhe fjale te tjera. Lutemi, e po ashtu i urojmë njëri tjetrit Krishtlindjen duke thënë “koft lavdue Krishti”, tregon Marie Ramaj.

Znj. Ramaj pranon se kjo festë në Kosovë ka më shumë kënaqësi.  “Të festosh këtë festë në Kosovë është natyrisht më kënaqësi, sepse edhe rrethi familjar është më i gjerë. Për këtë festë ne i vizitojmë të gjithë familjet tona dhe urojmë njëri tjetrin. Mirëpo edhe këtu nuk është keq sepse edhe këtu kam familje të madhe. Uroj që të gjithë njerëzit në botë, të jetojnë të lumtur dhe në paqe me njëri tjetrin” tha Ramaj

Meshën për Krishtlindje e udhëhoqi prifti Don Albert Demaj, që iu drejtua besimtarëve, me lutje dhe thënie biblike. Ai tha se kishat kudo në botë sot janë të mbushura me besimtarë, duke festuar lindjen e Krishtit. 

“Anembanë rruzullit tokësor, sot janë kishat të mbushura me besimtarë duke u lutur për Krishtin. Krishti është ai i cili e ndau kohën në dysh, në kohën para Krishtit dhe atë pas Krishtit, pra me lindjen e Krishtit, lindi edhe dashuria, paqja dhe lumturia”.

Don Albert Demaj tha se ne jemi të lirë, por jo edhe të lumtur sepse çdo gjë po e kërkojmë pa Zotin. 

“Krishti në këtë botë nuk vjen për të na mësuar, se si duhet të përdorim kompjuterët, apo të vozitim automjetin, Krishti në këtë botë vjen për të na mësuar se si duhet të jetohet në paqe dhe dashuri” tha prifti.

Në fund të meshës ai u lut dhe uroi të gjithë njerëzimin për krishtlindje.

“Në emër të stafit, të motrave dhe gjithë atyre që u angazhuan për këtë festë, për shumë mot, gëzuar festën tonë më të rëndësishme Krishtlindjen” tha meshtari Don Albert Demaj.

Albinfo në atmosferën e Krishtlindjes në një familje shqiptare në Zvicër

Familjen Ramaj të cilën qalbinfo.ch e intervistoi në kishë, e vizitoi edhe në shtëpi. Kjo familje kishte zbukuruar tërë shtëpinë me drita dhe bredh të stolisur, ndërsa nuk mungonin as dhuratat që i kishin blerë për njëri tjetrin për krishtlindje. 

Nipi i kësaj familje që kishte ardhur nga Kosova, Paul Dema (10), e sheh dallimin e të festuarit në Zvicër. 

“Në Kosove kam ku të shkoj më shumë, kam rreth familjar më të gjerë, por në Zvicër qytetet dhe rrugët janë më të zbukuruara se te ne në Kosovë, këtu ka më shumë drita zbukuruese” thotë Pauli

Krishtlindja është njëra ndër dy festat më të mëdha të krishterimit. Të krishterët e festojnë çdo vit më 25 dhjetor ditëlindjen e Jezus Krishtit. Në kishat e lindjes festohet më 7 janar, për shkak të kalendarit Julian. Pas Pashkëve, Krishtlindja është festa më e rëndësishme për të krishterët.

Sot dita e Krishtlindjes kremtohet me shfaqjen e skenës së lindjes së Krishtit, pemën e Krishtlindjes, shkëmbimin e dhuratave dhe Kartolinave, familjen e bashkuar, dhe ardhjen e Shën Nikollës apo Plakut të Vitit të Ri në prag të Krishtlindjes apo mëngjesin e Krishtlindjes. Krishtlindja është festa në të cilën të krishterët dëshirojnë më shumë se kurrë paqe e dashuri në botë.

Visar Kryeziu