Lajme

Shqiptarët në Itali hapin qendrën kulturore “Oda”

Shqiptarët në Itali kanë shënuar një moment të rëndësishëm për ruajtjen e identitetit dhe traditave kulturore me hapjen e “Odës”, një Qendër Kulturore e re në qytetin e Breshias, përcjell albinfo.ch.

Kjo qendër, e drejtuar nga Valbona Xibri, si presidente, synon të bashkojë komunitetin shqiptar që jeton në Itali, duke ofruar një hapësirë për aktivitete kulturore dhe shoqërore.

Kremtimet për hapjen e Odës mblodhën një numër të madh pjesëmarrësish, nga të rinj e të moshuar, ku pas intonimit të himnit kombëtar, artisti arbëresh Mimmo Imbrogno performoi për publikun, duke krijuar një atmosferë të veçantë. Këngët e tij u mirëpritën nga pjesëmarrësit, shumica prej të cilëve ishin të rinj, një fakt inkurajues për të ardhmen e këtij projekti.

Sekretari i Qendrës, Edmir Çekrezi, gjatë fjalës së tij përshëndetëse theksoi rëndësinë e përfshirjes dhe motivimit të anëtarëve për të gjallëruar këtë iniciativë. Ai gjithashtu siguroi se “Oda” do të mbajë dyert e saj të hapura për të gjithë dhe do të promovojë vlerat e diasporës shqiptare në Itali.

Iniciativa për krijimin e kësaj qendre u bë e mundur falë përpjekjeve të një grupi sipërmarrësish shqiptarë, përfshirë Edmir Çekrezin, Gëzim Guga dhe Admir Plaka. Me pjesëmarrjen e mbi 200 personave në këtë ngjarje dhe anëtarësimin e 88 të rinjve, objektivi është që “Oda” të kthehet në një lëvizje të fuqishme për komunitetin shqiptar në Itali.