Tematike
Shqiptarët në Austri festojnë Pashkët vetëm në formë virtuale
Meshtari katolik shqiptar në Austri, Don Nikson Shabani tregon për “albinfo.ch” se si do të jetë në komunikim me besimtarët për të kremtuar festën më të vjetër dhe më të rëndësishme për të krishterët
Në Austri jetojnë mbi 5 mijë shqiptarë të besimit katolik. Si kudo në botë, edhe ata të dielën kremtojnë festën e Pashkëve. Për shkak të krizës shëndetësore dhe rregulloreve shtetërore, edhe kisha katolike ka ndërprerë të gjitha aktivitetet fetare. Megjithatë, meshtari katolik shqiptar në Austri, Don Nikson Shabani tregon për “albinfo.ch” se si do të jetë në komunikim me besimtarët për të kremtuar festën më të vjetër dhe më të rëndësishme për të krishterët.
albinfo.ch: Jemi në prag të festës së Pashkëve apo ngjalljes së Krishtit. Për besimtarët e krishterë kjo është festa më e rëndësishme. Për ata që nuk kanë shumë njohuri, na thuani ju lutemi, cila është domethënia e kësaj feste dhe si janë duke u bërë përgatitjet për këtë festë?
Don Nikson Shabani:Pashkët janë festa më e vjetër dhe më e rëndësishme e krishterimit. Themeli i fesë e i besimit tonë. Në këtë ditë kremtojmë ngjalljen e Jezu Krishtit. Që të kuptohet: Jezu Krishti është Hyj, nëpërmjet të cilit është krijuar gjithçka. Ai në kohë ka marrë natyrën njerëzore duke u bërë njeri, i ngjashëm me ne përveç në mëkat. Rruga e Kalvarit apo e mundimeve të tij është bërë për ne njerëzit, që të na shëlbojë. Vdekja e tij në kryq është fli pajtuese e shpërblyese për të gjitha mëkatet e të gjithë njerëzve të të gjitha kohërave. Me vdekjen e tij në kryq e ka pajtuar botën me Hyjin. Është ringjallur duke dëshmuar kështu hyjninë e vet. Pra, arsyeja e ardhjes në botë, e mishërimit, e mundimeve, vdekjes dhe gjalljes së tij është shëlbimi jonë. Pas mëkatit të Adamit, shpirtrat e të drejtëve nuk mund të hynin më në qiell apo parriz (parajsë). Prej atëherë e deri të Jezu Krishti, Hyji e drejtoi njerëzimin me anë të porosive që ju dërgonte nëpërmjet profetëve. Dhe ishte biri Hyj, i mishëruar në Jezu Krishtin, ai i cili me ringjalljen e tij, ia mundësoi njerëzimit prapë të këtë qasje në jetën e Hyjit. Pashkët e tija janë lajme gëzimi se Zoti e ka dashur njeriun aq shumë saqë e ka dhënë jetën për të, e nëpërmjet vuajtjes, mundimeve e ngjalljes së tij ia ka ofruar edhe shëlbimin.
Sa u përket përgatitjeve, për shkak të situatës me virusin Covid-19, ato janë të karakterit të mbyllur, si familjar, po ashtu edhe kishtar.
albinfo.ch:Në Vjenë është edhe Kisha Katolike Shqiptare, ku çdo të diel dhe çdo festë organizohet meshë. Sa ka ndikuar kriza shëndetësore në manifestimet kishtare?
Don Nikson Shabani:Për fat të keq, si edhe çdo gjë tjetër rreth e rrotull, edhe në jetën kishtare ka ndikuar shumë. Kisha në Austri ka pranuar menjëherë udhëzimet e qeverisë dhe e ka përshtatur jetën e saj në bazë të rrethanave aktuale. Pavarësisht besimit dhe qëndrimeve tona, kemi treguar përgjegjësi maksimale ndaj tjerëve dhe të mirës së përbashkët në përputhje me situatën. Është marrë vendim të anulohen të gjitha aktivitetet kishtare: meshat, ndarja e sakramenteve, mësim besimi, vizitat familjare, bekimi i familjeve, çdo veprimtari me besimtarë. Por, në të njëjtën kohë nuk e kemi ndërprerë as edhe për një moment shpirtin e fesë, dashurisë e flijimit për ta. Pra jeta e jashtme është ndalur, kurse ajo e brendshme është intensifikuar.
albinfo.ch: Si ia keni dalë të mbani meshat këto ditë dhe të jeni në komunikim me besimtarët?
Don Nikson Shabani: Siç theksova edhe më lart, meshët me besimtarë janë anuluar deri në një njoftim të radhës nga ana e qeverisë dhe kryeipeshkvisë, ndërsa ne i kemi kremtuar meshët pa besimtarë dhe jemi lutur për botën dhe besimtarët. Sa i përket meshave të dielave dhe festave e përshpirtërive tjera, si të martat e Shna Ndout dhe Udhës së Kryqit, kemi qenë të bashkuar me anë të mjeteve të komunikimit dhe nëpërmjet transmetimit të drejtpërsëdrejti të meshëve. Pjesëmarrja ka qenë jashtëzakonisht e mirë. Kjo mënyrë na është lejuar me leje të posaçme nga autoritetet e kishës. Besimtarët kanë qenë të informuar për gjithçka. Vlen të theksohet se muajin e kaluar vetëm për informacione kam dërguar rreth 60 000 sms, kurse në këtë muaj deri me tani kam dërguar afro 80 mijë mesazhe telefonike (sms). Po ashtu edhe nëpërmjet faqes së Misionit Katolik Shqiptar në Austri në faqen e “Facebook” dhe në kanalin tonë në youtube.
albinfo.ch: Si do t`i festoni këto ditë festën e Pashkëve, pa prezencën e besimtarëve?
Pikërisht kështu siç thatë edhe ju. Do të kremtojmë, do të festojmë, me të njëjtën fe, me të njëjtën dashuri, me të njëjtin përkushtim, por pa besimtarë. Me ta do të jemi shpirtërisht të bashkuar me anë të mjeteve të komunikimit, dhe do tu japim porosinë e do t’jua përcjellim bekimin tonë edhe në këtë mënyrë.
albinfo.ch: Me siguri se është hera e parë në historinë e krishterimit, që festa e Pashkëve festohet online. Ku mund t’i përcjellin besimtarët liturgjitë kishtare për festën e Pashkëve?
Në këtë mënyrë, sigurisht se po, keni të drejtë. Në këtë kohë në të cilën gjendemi, me leje të kishës, deri sa të jenë masat e përgjithshme, është lejuar emetimi i meshëve online nëpërmjet mjeteve të komunikimit, prandaj këtë gjë do ta bëjmë edhe ne në faqen tonë të “Facebook”-ut dhe në youtube.
albinfo.ch: Don Nikson, në Austri jeton një numër i madh i besimtarëve katolikë shqiptarë. A keni informacione a është i prekur ndonjë besimtar nga ky virus?
Në Austri jetojnë mbi 5000 besimtarë shqiptarë katolikë që unë i njoh personalisht dhe jam në kontakt me ta. Përveç këtyre janë edhe ata në Çeki, Sllovaki e Hungari. Kemi informacione se tri familje janë të prekura nga ky virus, por për fat të mirë nuk kanë kurrfarë simptome dhe aq ma pak pasoja, vetëm se kanë rezultuar pozitiv, kurse të tjerët, fatbardhësisht të gjithë janë mirë.
albinfo.ch: Festa e Pashkëve e ka edhe simbolikën e festimit me vizita familjare. Në anën tjetër, qeveria austriake ka kërkuar nga qytetarët që gjatë kësaj kohe mos të këtë vizita nëpër familje. Sa mendoni që do të zbatohet kjo edhe tek familjet shqiptare në Austri dhe sa janë të informuar?
Ata janë të informuar tashmë shumë mirë për të gjitha masat, dhe i lus që t’ju përmbahen me përpikëri. Duhet pritur që ta kalojmë këtë situatë e pastaj kemi kohën e “gjithë botës” për ta ndarë edhe me njëri tjetrin. Duhet të jemi të kujdesshëm, sidomos ndaj të moshuarave, dhe të gëzohemi me anëtarët e familjes e të komunikojmë me të tjerët nëpërmjet mjeteve të komunikimit social. Ne jemi më të vlefshëm se çdo gjë, duhet ta ruajmë veten, e pastaj mund të festojmë se bashku sa të duam.
albinfo.ch: Kur mendoni se do të kthehet kremtimi i meshës nëpër kisha dhe populli do të mund të lutet në kishën shenjte?
Shpresoj sa më shpejt. Dashtë Zoti që njëherë ta kalojmë mirë të gjithë këtë situatë. E kemi shumë rëndë sepse nuk jemi mësuar kështu, dhe shumë besimtarë me lot në sy flasin me mua sepse nuk janë mësuar kurrë që ta kalojnë festën më të madhe të fesë në këtë mënyrë! Dhe kjo i lëndon! Mirëpo, edhe në anën tjetër e kemi shfrytëzuar shumë mirë këtë kohë e këto rrethana me lutje e pendesë që t’i vlerësojmë më shumë gjërat shpirtërore. Shpeshherë kemi vrapuar rreth gjërave të cilat tash nuk kanë vlerë! E kjo kohë shpresoj se na ka ndihmuar që të zgjohemi e ta vlerësojmë më shumë njëri tjetrin, veten, familjen.
albinfo.ch: Cili do të jetë mesazhi juaj me rastin e festës së Pashkëve?
Në rend të parë ju përshëndes me përshëndetjen e katolikëve: Për shumë mot e me zemër të bardhë të gjithëve, Pashkët e Krishtit! Dashtë Zoti që vdekja e tij të mos shkojë për ne kot, por na dhashtë mundësinë ta largojmë nga zemra e jeta jonë errësirën e inatit, egoizmit, krenarisë e gjërave të kota të cilat nuk ka vlejnë asgjë e na mbushtë me dritën e pranisë së tij, duke na shndërruar në dëshmitarë të tij, një njerëz të mirë, të përgjegjshëm, të dobishëm e të tillë që do të dimë ta mbushim jetën tonë me vepra të tilla që kanë me i pëlqyer atij. Na dhuroftë të gjithëve jetën e pasosur e na bëftë pjesëtarë të shëlbimit të tij të cilin e ka sjellë me mundimet, vdekjen e ngjalljen e tij.
Të ngjashme
Të tjera nga Tematike
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve