Integrimi

Shqiptarët në aksion për pastrimin e ambientit

21 shtatori është dita kombëtare për pastërtinë e ambientit. Qytetaret e Zvicrës, i madh e i vogël bëhen bashkë për ta pastruar ambientin që i rrethon

Njihet si një ndër vendet më të pastra në botë, por megjithatë për qytetaret e saj nuk është mjaft. Ata angazhohen edhe me tutje qe vendi i tyre Zvicra të jetë edhe më i pastër. 

21 shtatori është dita kombëtare për pastërtinë e ambientit. Qytetaret e Zvicrës, i madh e i vogël bëhen bashkë për ta pastruar ambientin që i rrethon.

 Duke filluar nga ora 09:00,  si në çdo qytet e fshat të Zvicrës edhe në Glattbrugg të Cyrihut janë mbledhur shumë qytetarë për t’iu bashkuar këtij aksioni të quajtur “Clean up day”, që në shqip i bie “Dita e Pastërtisë”.

 Duke e ndier veten si bashkëvendës edhe shqiptarët kanë marrë pjesë në një numër të madh për pastrimin e ambientit.

 Shoqata shqiptare “Glattalb” dhe “17shkurti.ch” iu kane përgjigjur  aksionit “Clean up day”, duke marre edhe fëmijët me vete.

 “Ne qysh në klasë të parë kemi mësuar për ambientin, dhe se pastërtia është gjysma e shëndetit.  Si obligim qe e kemi si shoqate e “Glattbruggit”,  por edhe si qytetarë të këtij vendi ne kemi dalë në këtë aksion për pastrimin e ambientit”, tha Avni Mehmeti,  kryetar i “Glattalb”.

 Ndërsa Agron Zahiri nga shoqata 17shkurti.ch thotë se ne shqiptarët në  Glattbrugg jemi organizuar për ti treguar të tjerëve se edhe ne angazhohemi për një ambient më të pastër.

 “Shoqata “17shkurti.ch” jo vetëm këtu në Zvicër, por angazhohet prej vitesh duke financuar projekte të tilla  për një ambient të pastër edhe në fshatin Miresh të Gjilanit.”,  tha Zahiri.

 “Clean up day” organizohet në 96 vende të botës.