Tematike

Shqiptarët, mesazhe paqeje dhe dashurie në Festën e Pashkëve

Don Mikel Sopi: "Pashkët, ftesë besimtarëve për dashuri dhe me tolerancë për njëri tjetrin, dashuri për familjen për atdheun dhe për kombin”

Komuniteti i shqiptarëve katolikë në Zvicër dallohet për organizimin e tij dhe shënimin me përkushtim të festave fetare dhe kombëtare. Këtë përkushtim ai e ka treguar edhe këtë javë, kur u festuan Pashkët. Në një sërë meshash të mbajtura në qendra të ndryshme të Zvicrës, kanë marrë pjesë mijëra besimtarë, të cilët me ceremonitë fetare kanë kremtuar ringjalljen e Krishtit.

Don Mikel Sopi, përgjegjës për misionet katolike shqiptare të Zvicrës ka thënë për albinfo.ch se meshat e mbajtura për nder të Festës së Pashkëve sivjet janë veçuar me një masivitet të madh të besimtarëve shqiptarë. Kështu, “në Meshën qendrore të mbajtur të dielën në Aarau janë tubuar mbi 2000 besimtarë katolikë shqiptarë që gravitojnë rreth kësaj qendre”, ka thënë don Mikel Sopi.

Të përkujtojmë se në Misionin shqiptar katolik në Arau gravitojnë, përveç Zvicrës së mesme edhe regjioni i Bernës dhe Zvicra perëndimore, pra frankofone.

Don Sopi thotë se  thirrja për tolerancë dhe dashuri ndaj njëri tjetrit ishte mesazhi edhe i kësaj feste. “Një ftesë besimtarëve për të ringjallur shpresën për një jetë më të mirë me dashuri dhe me tolerancë për njëri tjetrin, dashuri për familjen për atdheun dhe për kombin”, ky ishte mesazhi i Pashkëve që u dërgua te besimtarët”, thotë Don Mikeli.

Ndërkaq, ai shton se javën e kaluar, në vigjilje të festës, besimtarët ishin përgatitur për një aksion edhe në vendlindje. Ata kanë përkrahur me një shumë mjetesh pilotin tonë të njohur James Berisha në misionin e tij fisnik për sigurimin e njohjeve për Republikën e Kosovës.

Sopi më tutje thotë se Pashkët e kanë mesazhin e tyre, “kremtohet ringjallja e Krishtit dhe ky është kremtim i fitores së dritës mbi errësirën, fitores e jetës mbi vdekjen. Për këtë edhe udhëheqësit e ceremonive të kësaj dite vishen me petk të bardhë që flet për jetën e re që Zoti e jep si dhuratë për këtë ditë të ringjalljes”.

Duke iu përgjigjur interesimit tonë për kremtimin e Pashkëve në familjet shqiptare, don Mikeli thotë se vezët, lepujt si rekuizite, dërgojnë një mesazh të plleshmërisë.

“Fakti që Pashkët gjithmonë festohen në hënën e plotë të parë të pranverës udhëzon  për një mesazh të plleshmërisë, për çfarë edhe bëhet edhe bekimi i bereqeteve, i bukës. Pikërisht këto kanë rëndësi të posaçme për familjet shqiptare”, thotë ai. Për këtë arsye, besimtarët shqiptarë, në prag të festës bëjnë bekimin e bereqeteve, të bukës, pastaj njerëzit bashkohen në një atmosferë familjare ku i bëjnë edhe ritet e kësaj feste që njihen gjithandej në botë”.

Mesha e të premtes që ishte mesha e shqiptarëve të këtushëm katolikë, në nivel nacional të Zvicrës, është mbajtur në Manastirin e Einsiedelnit, njërën ndër qendrat më të mëdha të katolikëve në gjithë Zvicrën. Aty kanë marrë pjesë disa mijëra besimtarë. Të shtunën janë mbajtur meshat në qendrat e misioneve katolike shqiptare, disa sosh.

“Ndërsa të dielën u mbajt mesha qendrore, në Aarau që ishte konceptuar edhe si kulm i të gjitha përgatitjeve tona. Dhe duhet thënë se organizimi ishte bërë me shumë dinjitet dhe me nivel. Aq sa la një përshtypje shumë pozitive te zviceranët, mysafirë nderi që kishin ardhur të shohin nga afër festimin e Pashkëve te shqiptarët. Ata kanë mbetur të mahnitur nga niveli i përgatitjeve dhe nga ambienti i shëndoshë familjar që kanë parë në mesin tonë”, thotë Sopi.

Si zakonisht pas meshave janë mbajtur edhe takimet familjare, që kanë një natyrë argëtimi e afrimi në mes të besimtarëve katolikë shqiptarë. Mbrëmje të tilla janë mbajtur në Bernë, Arau, Lucern, Thurgau dhe St. Gallen.

Foto galeria