Integrimi

Shqiptarët, me Don Marjanin, bëhen pjesë e historisë së Kishës Zvicerane

Në Katedralen e St.Gallenit më 18 janar 2020 ka marrë detyrën e kanonikut Dom Marjan Marku, njeriu i parë në historinë 173 vjeçare të Ipeshkvisë së St.Gallenit të cilit i është besuar ky titull i lartë duke qenë jo vetëm me prejardhje jozvicerane por edhe me pasaportë të huaj

Katedralja e St.Gallenit (Stiftskirche St. Gallen), njëra ndër godinat më impozante të kultit në Zvicër, gjatë historisë së saj mbi 250-vjeçare ka njohur ngjarje të mëdha dhe është dëshmitare e zhvillimeve të rëndësishme historike. Ajo është ngritur mbi themelet e një kishe shumë më të vjetër, asaj të Shën Gallit, shenjtit që i ka dhënë emrin jo vetëm katedrales, por edhe qytetit dhe kantonit St.Gallen, në shekullin e tetë. Por, në mbrëmjen e 18 janarit kjo katedrale është bërë streha e një aktiviteti të llojit të veçantë: aty është bërë marrja e detyrës si kanonik e Dom Marjan Markut, njeriut të parë në historinë 173-vjeçare të Ipeshkvisë së St.Gallenit, i cili është nderuar me këtë titull të lartë duke qenë jo vetëm me prejardhje jozvicerane, por edhe me pasaportë të huaj.

Në nivel të rëndësisë së aktit, ishin bërë edhe përgatitjet: Famullia e katedrales kishte organizuar një aperitiv me qindra të ftuar, shqiptarë e zviceranë. Aty, komuniteti shqiptar i tubuar rreth Misionit Katolik Shqiptar për Zvicrën lindore me seli në Sirnach ka gostitur mysafirët me ushqime tradicionale shqiptare. Ndërsa anëtarët e Ansamblit “Arbëresha” që vepron në kuadër të këtij misioni, i themeluar nga vetë Don Marjani, kanë zbukuruar ambientet me veshjet kombëtare shqiptare duke i shërbyer mysafirët.

Fryma shqiptare e gërshetuar në atmosferën e meshës solemne

Por, sigurisht, aktiviteti i vërtetë për të cilin kishin ardhur këta qindra besimtarë dhe mysafirë tjerë ishte mesha pontifikale për shpalljen e Don Marjan Markut kanonik në Ipeshkvinë e St. Gallenit, duke u bërë anëtar i plotë në Kapitullin e Katedrales. Ceremonia e përgatitur deri në hollësitë më të imëta, përfshirë kostumet e larmishme e të bukura, shkrihej në një me atmosferën shpirtërore që të transmetonte hapësira gjigante, e stolisur me freska të mrekullueshme, e katedrales. Dhe në këtë madhështi arkitekture, kostumesh dhe tingujsh, u kombinua për mrekulli edhe elementi shqiptar. Duke filluar me veshjet kombëtare shqiptare të djemve dhe vajzave që parakalonin, tek i prinin varganit të priftërinjve që i afroheshin vendit të meshës, pastaj duke vazhduar me këngët e kënduara në gjuhën shqipe nga Kori i Misionit Katolik Shqiptar dhe duke përmbyllur me fjalën e Don Marjan Markut, një pjesë të së cilës ai e foli në gjuhën shqipe. Ndërkaq, një përplotësim fisnik i kësaj ceremonie ishte vendimi që paratë e mbledhura (lëmosha) nga besimtarët në këtë meshë, të destinoheshin për viktimat e tërmetit që goditi Shqipërinë më 26 nëntor 2019.

Dukshëm i emocionuar, Don Marjani ka përshëndetur dhe falënderuar të gjithë ata që e kanë vlerësuar kaq shumë, dhe i kanë besuar një post të lartë, duke filluar nga Ipeshkvi Markus Büchel, Këshilli administrativ i kantonit të St. Gallen, kapitullit të katedrales dhe e gjithë hierarkia e Ipeshkvisë.

Ndërkaq në bisedë me albinfo.ch, tashmë kur perdet e ceremonisë në fjalë kishin rënë, Dom Marjani ka shpjeguar për mediumin tonë gjithë rrjedhën e këtij evenimenti.

I pari kanonik i huaj në 173 vjet ekzistimi të Ipeshkvisë së St. Gallenit

“Ipeshkvia e St. Gallenit ka 13 kanonikë, 5 prej tyre rezidencialë dhe 8 territorialë, të cilët, veç tjerash, bëjnë zgjedhjen e ipeshkvit, kur selia e Ipeshkvisë mbetet vakante. Kjo ipeshkvi ekziston nga viti 1847 dhe është me rëndësi të thuhet se, me themelimin e ipeshkvisë, asaj i është dhënë një e drejtë e posaçme, që të zgjedhë vetë ipeshkvin. Kjo është pika në të cilën kjo ipeshkvi (dhe ajo e Bazelit), dallon nga të gjitha ipeshkvitë tjera në botë. Sepse tek të gjitha të tjerat, zgjedhjen e ipeshkvit e bën Selia e Shenjtë ndërsa këtu e bëjnë kanonikët e përmendur. Në fakt ata i bëjnë hulumtimet dhe përpilojnë një listë prej gjashtë kandidatëve dhe ia dërgojnë atë Selisë së Shenjtë. Ajo po ashtu nga ana e saj bën hulumtimet e nevojshme dhe në fund e kthen listën te kanonikët të cilët e bëjnë zgjedhjen e ipeshkvit. Më thjesht: kanonikët rreth ipeshkvit janë sikurse kardinalët që janë rreth Papës: për ta këshilluar ipeshkvin dhe për ta zgjedhur atë kur mbetet posti vakant, sqaron Don Marjan Marku, tashmë kanonik territorial.

Në postin e kanonikut që nga themelimi i Ipeshkvisë, në vitin 1847, d.m.th. tash 173 vjet, nuk ka pasur asnjëherë ndonjë kanonik me prejardhje të huaj ose pa pasaportë zvicerane, siç është bërë tashmë Don Marjani, nga data 18 janar 2020. “Për këtë arsye mendoj se kjo është një mirënjohje ndaj të gjithë mërgimtarëve, por edhe ndaj punës sime që e kam bërë në Misionin Katolik Shqiptar në fillim dhe pastaj si meshtar në famulli. Por sigurisht është një mirënjohje dhe vlerësim për popullin tim shqiptar dhe për vetë kishën, gjegjësisht Ipeshkvinë Prizren-Prishtinë, që unë jam zgjedhur në Kapitullin e Katedrales. Ajo që pamë mbrëmë, ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme ku u gërshetua kultura shqiptare dhe zvicerane. Aty pamë shumë zviceranë e shqiptarë që morën pjesë së bashku në kremtimin e një meshe pontifikale solemne në të cilën unë mora detyrën si kanonik dhe bëra betimin ndaj kishës, ipeshkvit dhe besimtarëve se do të jem në shërbim të kësaj kishe, të Hyjit dhe njerëzve, thotë tutje Don Marjani për albinfo.ch.

Në rolin e urës lidhëse mes të huajve dhe kishës vendore

Sipas tij, roli që ai ka marrë si kanonik, duke qenë me prejardhje të huaj, merr funksionin e një ure lidhëse mes të huajve dhe Zvicrës. “Duhet ditur se njerëzit me sfond migracioni bëjnë një numër të madh në mesin e besimtarëve katolikë në Zvicër (rreth 40%). Dhe në këtë kuptim unë duhet të shërbej si një urë lidhëse në mes të kishës vendore dhe mërgimtarëve”, thotë Don Marjan Marku.

Ndërsa pyetjes së albinfo.ch nëse ai, pas marrjes së detyrës si kanonik, në mënyrë hipotetike mund të zgjidhet ndonjëherë në postin e ipeshkvit, ai i përgjigjet kështu: “Në Ipshkvinë e St. Gallen-it, përveç plotësimit të kushteve që janë të parapara për t’u zgjedhur ipeshkv, janë edhe dy kushte të tjera që duhet plotësuar: që kandidati të jetë i inkardinuar në Ipeshkvinë e St. Gallen-it dhe që të jetë meshtar dioqezan. Pra unë, ashtu sikur dhe shumë meshtarë të tjerë që veprojnë në këtë Ipeshkvi, i plotësoj kushtet, por kjo nuk është për mua edhe aq shumë e rëndësishme. Ajo që ka rëndësi është se mua më është dhënë besimi që së bashku me 12 kanonikët e tjerë të bëjmë zgjedhjen e ipeshkvit, sipas procedurës që u përmend më lart”.

Më tutje Dom Marjani thotë se “ishte një kënaqësi e madhe prania e kaq shumë shqiptarëve që kishin ardhur nga e gjithë Zvicra për të marrë pjesë në meshën solemne të pranimit së detyrës si kanonik. Shumë njerëz më kanë thirrur dhe ma kanë uruar pranimin e kësaj detyre. Ardhja e tyre ishte tregues se jemi komunitet i integruar, prej kohësh nuk jemi barrë e shoqërisë zvicerane dhe se identifikohemi me vlerat e kësaj shoqërie”.

Ndërsa, shton ai, “ishte për tu vlerësuar tej mase ardhja e tre autobusëve me besimtarë nga famullia që e udhëheq prej dy vitesh në njësinë pastorale Walensee dhe ardhja e korit me orkestër nga Walenstadt-i. Shumë besimtarë më kanë shkruar se e kanë përjetuar si një ngjarje të rëndësishme shpirtërore që ka lënë tek ta një mbresë të mëdha fetare. Ky numër kaq i madh ishte befasues për mua dhe tregon vlerësimin e lartë që i bëhet punës sime atje. Po ashtu kanë ardhur edhe nga famullitë e njësisë pastorale Unteres Togenburg ku kam shërbyer si kapelan për 5 vjet. Ndërsa nga Kosova kanë ardhur disa priftërinj për të qenë pjesë e këtij evenimenti me rëndësi historike për kishën prej të cilës vjen Don Marjan Marku.

Familja Marku, e nderuar me veprën e birit të saj

“Ne, si familje e Marjanit, ndihemi shumë të lumtur dhe krenarë me këtë që përjetuam sot”, thotë, i emocionuar Ndue Marku, vëllai i madh i tashmë kanonikut, Don Marjan Marku. Ai, së bashku me vëllain tjetër, me të shoqen dhe një numër tjetër familjarësh, kishte ardhur enkas nga Kosova për të qenë në këtë meshë.

Miqtë e përgëzojnë

“Jam shumë i gëzuar me atë që pamë sonte në këtë kishë. Don Marjani me këtë arritje, ashtu sikurse edhe deri tash, na ka nderuar edhe një herë ne si shqiptarë dhe si besimtarë. Ai e ka dëshmuar veten tashmë sa herë si njeri i përkushtuar si për çështjen kombëtare, ashtu dhe për atë fetare”, thotë për albinfo.ch Prenë Kqira, afarist dhe aktivist i njohur i komunitetit shqiptar në këtë pjesë të Zvicrës.

 

Nderim edhe për të gjithë shqiptarët

Don Mikel Sopi,  për një kohë të gjatë ka qenë bashkëpunëtor i Don Marjanit në Misionin Katolik Shqiptar në Zvicër. Ndërsa tani, si përgjegjës në Kishën Katolike të Kosovës për marrëdhënie me jashtë, ai ka ardhur enkas në Zvicër për të qenë i pranishëm në këtë ceremoni. “Shpallja e Don Marjanit në postin e kanonikut është nderim i madh që po i bëhet jo vetëm atij personalisht, por edhe të gjithë shqiptarëve në Zvicër dhe kudo ku jetojnë. Prandaj është për t`u vlerësuar lart ky akt”, ka thënë Dom Mikel Sopi për albinfo.ch.