Integrimi
Shqiptarët me aftësi të kufizuara, shumëfish të diskriminuar
Të shtunën që shkoi në Cyrih kanë zhvilluar për herë të parë një takim personat shqiptarë me aftësi të kufizuara në Zvicër. Ata, bashkë me mysafirë nga Kosova, kanë folur për vështirësitë me të cilat përballen
Një aktiviste, një politikan, të dy me aftësi të kufizuara. Valdete Hoti dhe Islam Alijaj, kanë bërë bashkë për herë të parë të shtunën në një takim personat shqiptarë me aftësi të kufizuara në Zvicër.
Nga Prishtina kësaj nisme i është bashkangjitur edhe drejtori i “Handikos”-it, Afrim Maliqi së bashku me punëtoren sociale Alberita Hylaj nga Handikos-i.
Valdete Hoti, në cilësinë e anëtares së kryesisë në Qendrën për Jetë të Pavarur në Zvicër (zslschweiz.ch) dhe si kryetare e Shoqatës “Parandalo”, e cila merret me parandalimin e dukurive negative në shoqëri, këshillime dhe ndërmjetësime, thotë se në Zvicër personat me aftësi të kufizuara nuk kanë gjithnjë qasje të barabartë në shoqëri dhe në marrjen e shërbimeve që u takojnë ligjërisht nga shteti, sidomos kur bëhet fjala për të huaj.
“Në veçanti në shoqërinë tonë shqiptare, nuk vlerësohet personi me ato aftësi që i ka, por fokusohen më shumë në aftësinë e kufizuar! Edhe këtu në Zvicër ka raste që personat me aftësi të kufizuara duhet të luftojnë me avokat për të drejtat e tyre. Dhe kjo dukuri nuk është e rrallë në Zvicër, një vend që e ka ratifikuar marrëveshjen ndërkombëtare për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Unë jam e bindur që të gjithë ne duhet të jemi aktiv dhe të kërkojnë gjithëpërfshirje në shoqëri dhe të drejta të barabarta aty ku veprojmë dhe jetojmë”, deklaron Hoti.
“Shoqatat në Zvicër, që i përfaqësojnë personat me aftësi të kufizuara e kanë për detyrë ta zbatojnë këtë marrëveshje dhe po ashtu ta mbikëqyrin zbatimin e saj”, thotë Valdete Hoti, e cila me profesion është grafiste dhe ndërmjetësuese ndërkulturore.
Personat me aftësi të kufizuara nuk e kanë lehtë as në Zvicër e lëre më në Kosovë, ku gjendja e tyre është shumë e rëndë në të gjitha sferat e jetës. Natyrisht që Handikos-i ka punuar dhe punon shumë për një qasje më të mirë, gjithëpërfshirëse dhe për mundësi e të drejta të barabarta të personave me aftësi të kufizuara në Kosovë.
“Por pa vullnetin politik dhe mbështetjen e duhur financiare nga institucionet përkatëse, nuk mund të zbatohen ligjet e mira që ekzistojnë në letra, po nuk zbatohen në jetën e përditshme, që të garantojnë një mirëqenie më të mirë shëndetësore, sociale dhe financiare si dhe një përfshirje e qasje të barabarta në shoqëri. Kjo gjendje e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë nuk mund të krahasohet as në regjion e lërë më me Zvicër”, thekson më tutje.
“Mund të shihen dallime të mëdha, sa i përket qasjes në vende, hapësira dhe komunikacionin publik për persona me aftësi të kufizuara. Se edhe në Zvicër ekzistojnë shumë ligje të mira dhe mendojmë që gjithçka këtu është në rregull, por në praktikë nuk gëzojnë të gjithë një qasje të mirë dhe të barabartë, e as shërbimet që u takojnë” shprehet ajo më tutje. Hoti pohon se nganjëherë ndjehet 3 herë e diskriminuar në shoqëri: si grua, si e huaj dhe si person me aftësi të kufizuara.
“Ne i mbështesim edhe me tutje personat me aftësi të kufizuara për të kërkuar shërbimet që u takojnë, siç është asistenca personale etj., thot Valdete Hoti.
Nga ana tjetër, Islam Alijaj angazhohet nga viti 2016 si politikan në SP. Në kuvendin e fundit të SP-së në Thun, është miratuar rezoluta e tij “Plani i aksionit mbi temën e barazisë së njerëzve me aftësi të kufizuara”. Me këtë plan aksioni ai dëshiron të arrijë që SP të angazhohet në mënyrë më aktive në politikën e njerëzve me aftësi të kufizuara dhe që të bëhet më e përshtatshme për politikanët që kanë aftësi të kufizuara.
Islami bën lobim të rregullt në parlamentin e Zvicrës për vetëvendose dhe përfaqësim të njerëzve me aftësi të kufizuara në shoqëri. Po ashtu ai angazhohet fuqishëm në politikën kantonale të Cyrihut për kategorinë e përmendur. Në Parlamentin e Kantonit, me përpjekjen e tij është realizuar mocioni mbi “mundësimin e vetëvendosjes përmes financimit të subjektit”.
Islam Alijaj thotë se nuk ka statistika për numrin e shqiptarëve me aftësi të kufizuara në Zvicër.
Ai është edhe i angazhuar në grupe punuese të organizatës ombrellë (Inclusion Handicap) në Bernë dhe jep këtu një kontribut të madh.
Mysafiri nga Prishtina, Afrim Maliqi nga Handikos, tha se po shkëmbejnë përvoja dhe po synojnë gjatë kësaj vizite të krijojnë kontakte dhe mundësi të bashkëpunimit me shoqata dhe organizata që udhëhiqen nga personat shqiptarë me aftësi të kufizuara.
Afrimi do të ketë një prezantim në Universitetin e Basel-it, për të treguar se si jetojnë njerëzit me aftësi të kufizuara në Kosovë.
“Një krahasim ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës nuk mund të bëhet sa i përket personave me aftësi të kufizuara. Në Kosovë ka përparime shumë të vogla. Dhe të gjitha bëhen nga organizatat që udhëhiqen nga vet personat me aftësi të kufizuara duke ofruar shërbime, të cilat bazohen në projekte dhe donacione në të gjitha komunat e Kosovës”, tha për albinfo.ch Afrim Maliqi.
Ai shtoi se në Kosovë nuk zbatohen konventat për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. «Me vet faktin që nuk ka infrastrukturë të nevojshme për lëvizje të lirë të personave me aftësi të kufizuara atëherë kemi edhe shkelje të të drejtave të njeriut. Kurse këtu janë këto mundësi për një lëvizje të lirë, mundësia për të ndjekur shkollimin dhe për të gjetur vende të punës.
“Në Kosovë vetëm 10 deri 12 për qind e fëmijëve me aftësi të kufizuara janë të integruar në sistemin shkollor”, thekson Maliqi duke treguar se për të gjitha shërbimet që kanë nevojë personat me aftësi të kufizuara duhet të paguajnë vet, përveç kontrollimit bazë mjekësor dhe jetojnë me 75 euro asistencë sociale.
Afrimi tha se ka vërejtur lidhjet e fuqishme familjare te personat me aftësi të kufizuara.
«Te ne shqiptaret është ruajtur tradita që këta persona të mos getoizohen por të socializohen dhe të jenë të integruar në shoqëri duke jetuar nëpër familjet e tyre dhe që po na kanë lakmi të gjithë të tjerët», tha drejtori i Handikos-it. Ai ka vlerësuar lart mbështetjen që ofron shteti i Zvicrës për të ngritur mirëqenien e familjeve që të kujdesen për anëtarët e tyre me aftësi të kufizuara.
Valdete Hoti, me profesion është grafiste. Ka kryer studimet para rreth 16 viteve në Shkollën e Lartë të Artit e të Dizajnit (Zürcher Hochschule für Gestaltung und Kunst). Në Zvicër ka ardhur si vajzë 12 vjeçare nga Dardana (Kamenica). 4 vitet e para ajo ka vijuar shkollën në një qendër rehabilitimi, ku ka mësuar gjuhën dhe ka marrë hapat e parë në art. Atëherë ajo gjithë kohën e lirë thotë se e ka kaluar me vizatime dhe piktura. Ka kryer po ashtu kurse të ndryshme dhe është ndërmjetësuese dhe përkthyese ndërkulturore. Kurse që mbi 10 vite është anëtare aktive e kryesisë në Qendrën për Jetë të Pavarur në Zvicër si dhe bashkëthemeluese edhe kryetare e shoqatës PARANDALO me seli në Cyrih.
Islam Alijaj është prind dhe bashkëshort. Shkollimin për punë komerciale e ka mbaruar në një qendër për aftësimin profesional për persona me aftësi të kufizuara. Në mes të viteve 2010 dhe 2013 Islam Alijaj ka bërë kualifikime tjera të mëtejme për të përmirësuar shkathtësitë e tij në fushë të webit dhe të marketingut. Para së gjithash atë e kanë ndihmuar njohuritë e tij në zhvillimin e web-it në kuptimin më të mirë të tematikës së lirisë nga barrierat në internet, si nga ana e shfrytëzuesit ashtu edhe nga ana e zhvilluesit (programuesit).
E-Diaspora
-
Nazmi Mehmetaj, një histori suksesi që lidh Kosovën dhe Zvicrën “Kudo që të shkoni, shtëpia juaj vjen nga Kosova” – Një slogan që po pushton Evropën...
-
Gjermania e Zvicra prijnë me numrin e të regjistruarve për votim nga diaspora
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
Jeta në Zvicër
-
Berset kritikohet nga opozita gjeorgjiane për “mbështetje të regjimit” Berset thotë se ai ka folur edhe me përfaqësuesit e opozitës dhe shoqërisë civile për demokracinë...
-
Zvicër: Fishekzjarret prodhojnë deri në 400 tonë pluhur të imët
-
Ekonomia zvicerane shënon rënie
-
Nazmi Mehmetaj, një histori suksesi që lidh Kosovën dhe Zvicrën
-
Zvicra do të kryesojë OSBE-në në vitin 2026