Integrimi

Shqiptarët, ekspozitë për Nënë Terezën dhe lidhjet e saj me Zvicrën

Në ekspozitën e hapur në Arkivin Shtetëror të Kantonit të Lucernit, në organizim të Shoqatës Zvicër-Shqipëri dhe nën përkujdesjen e Institutit Shqiptar në Zvicër, janë shpalosur aspekte interesante të jetës dhe të veprës së Nënë Terezës, në raport me Zvicrën

 

Tri motra nderi të rendit të krijuar nga Gonxhe Bojaxhiu në Indi, “Misionaret e bamirësisë” me “sarin” e tyre të bardhë me shirit të kaltër, sjellin në ambientet e arkivit të Lucernit imazhin e shenjtëreshës më të re të Kishës Katolike, Nënë Terezës. Ato, bashkë me një numër të madh besimtarësh dhe të interesuarish tjerë, zviceranë e shqiptarë, janë pjesë e ekspozitës mbi Nënë Terezën dhe lidhjet e saj me Zvicrën, të hapur në arkivin e përmendur.

Të shtunën që shkoi, në  ekspozitën e hapur në Arkivin Shtetëror të Kantonit të Lucernit, në organizim të Shoqatës Zvicër-Shqipëri dhe nën përkujdesjen e Institutit Shqiptar në Zvicër, janë shpalosur aspekte interesante të jetës dhe të veprës së Nënë Terezës, tashmë Shën Tereza.

Hapjes së ekspozitës i ka paraprirë një aktivitet,ku me disa referate dhe fjalë rasti është hedhur dritë mbi lidhjet e Nënë Terezës me Zvicrën.

Drejtori i Institutit Shqiptar me seli në St.Gallen, Albert Ramaj ka folur rreth përmbajtjes së ekspozitës dhe motivit që e ka shtyrë atë për të realizuar këtë projekt interesant. Ai tregon se ideja e ka burimin nga viti 2003 kur, në kuadrin e punës hulumtuese në Arkivin e Kantonit të Lucernit ka hasur në disa dokumente nga për Nënë Terezën, nga trashëgimia e Eugen Vogt.

“Vogt, duke qenë themelues i shoqatës humanitare “Për Nënë Terezën”, me seli në Lucern, ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Nënë Terezën. Prandaj në aktet e tij gjendet letërkëmbim i dendur në mes të tij dhe murgeshës nga Kalkuta por edhe dokumente të tjera të shumta  lidhur me jetën dhe veprën e Nënë Terezës. Nga përmbajtja e këtij letërkëmbimi dhe dokumentet përkatëse, bëhet e qartë ndihma e madhe që zviceranët kanë dhënë për Nënë Terezën gjegjësisht për të varfrit “e saj” në Indi, thotë Ramaj për albinfo.ch.

  • Shoqata “Për Nënë Terezën”, në Lucern ka dërguar 45 milionë franga për të varfrit në Kalkutë

Ai sqaron se nga viti 1964 deri në vitin 1992 në Zvicër ka funksionuar shoqata Humanitare “Për Nënë Terezë” (nuk bëhet fjalë për shoqatën e njohur të shqiptarëve me po këtë emër te themeluar në vitet `90!). Ajo, për 28 vite të veprimit të saj ka dërguar rreth 45 milionë franga ndihma në Indi, në adresë të rendit të motrave të themeluar nga Nënë Tereza. E gjithë kjo ndihmë nuk kishte si të mos kthehej në mirënjohje nga Nënë Tereza. Në ceremoninë e marrjes së çmimit Nobel në vitin 1979 merrte pjesë edhe Eugen Vogt nga Zvicra, thotë Albert Ramaj, drejtor i Institutit Shqiptar me seli në St. Gallen.

Ndërsa Lars Häfner,  kryetar i shoqatës Zvicër-Shqipëri, thotë për albinfo.ch se kjo ekspozitë është një kontribut që shoqata të cilën e drejton ai ia dedikon marrëdhënieve të mira Zvicër Shqipëri dhe imazhit të shqiptarëve në Zvicër, që është pjesë e misionit të shoqatës. Ndërkaq ai i ka shprehur mirënjohje Albert Ramajt si autor i ekspozitës, të cilën pastaj shoqata e ka mbështetur dhe bashkorganizuar.

Jürg Schmutz, drejtues në Arkivin Shtetëror të Kantonit të Lucernit, ka folur në cilësinë e nikoqirit dhe të ekspertit të arkivistikës. “Vepra e Nënë Terezës në sytë e botës perëndimore lidhet pashkëputshëm me qytetin indian, Kalkuta dhe sigurisht jo me Lucernin. Por, megjithatë ne sot këtu në Arkivin e Lucernit, përmes fotografive dhe dëshmive të shkruara, kemi mundësi të bëhemi pjesë e jetës së saj”, ka thënë Schmutz për t`u ndalur pastaj në hollësitë rreth akteve me dokumente të Nënë Terezës që ruhen në këtë arkiv. Ai ka folur edhe për shoqatën humanitare “Për nënë Terezën” me seli në Lucern, të cilën e kishte themeluar Voigt pasi që në vitin 1964 kishte takuar Nënë Terezen. Eugen Vogt, duke udhëhequr për një kohë të gjatë shoqatën, kishte bërë edhe organizimin e vizitave të Nënë Terezës në Zvicër dhe kishte mbajtur korrespondencë të dendur me të. Ai ka vdekur në të njëjtin vit si edhe nënë Tereza, në vitin 1997, disa ditë para murgeshës së famshme shqiptare.

Ndërsa udhëheqësi i Misionit Katolik Shqiptar në Lucern, Dom Agim Qerkini në fjalën e tij ka folur për “Engjëllin e të varfërve” nga perspektiva e një përfaqësuesi të klerit katolik shqiptar me rastin e shenjtërimit të saj nga Papa i Romës. “Sot ndjehem i privilegjuar të them disa fjalë në emër të tri Misioneve tona në Zvicër, për Nënë Terezën dhe shenjtërimin e saj, së pari, për shkak të shpirtit të saj bamirës, universal, pastaj, për shkak se ajo na la dëshmi të mrekullueshme se si duhet të punojmë dhe t’i duam njerëzit pa dallime. Që nga 5 shtatori e këndej, Kombi ynë është në festë. Me organizime të shumta, si në trojet tona, ashtu edhe në diasporë, në kuadër të tyre, edhe kjo ekspozitë, po mbahen manifestime të ndryshme shpirtërore e kulturore, për të shënuar ngjarjen e madhe të Shenjtërimit të Bijës sonë Shqiptare», ka thënë veç tjerash Don Agim Qerkini.

  • Nënë Tereza: "Unë nuk i marr mirënjohjet në emrin tim. Unë nuk jam asgjë"

Pirmin Müller, deputet në Parlamentin e Kantonit të Lucernit ka bërë një përshkrim interesant të natyrës vetëmohuese të Nënë Terezës dhe dëshirës së saj që të mos jetë ajo në fokus por ndihma për të varfrit. “Ajo ka thënë në një rast: `unë nuk i marr mirënjohjet në emrin tim. Unë nuk jam asgjë`.

Müller pastaj ka folur lidhur me konceptin e dashurisë për njeriun, që e ka zhvilluar Nënë Tereza dhe të cilin e ka praktikuar me të varfrit në Kalkuta, duke jetuar me ta. Dhe kjo dashuri ka gjetur rrugën e saj jo vetëm në Indi dhe jo vetëm në vendet e varfra, ka vazhduar Müller. Nënë Tereza ka qenë e pa kompromis. Kështu, ajo edhe në ceremoninë e marrjes së çmimit Nobel kishte shfrytëzuar rastin të fliste kundër abortit. “Unë besoj se abortimi është sot shkatërruesi më i madh i paqes sepse ai është një luftë e drejtpërdrejtë, një vrasje direkte e fëmijës nga e ëma. Ka shumë njerëz që kujdesen për fëmijët të cilët në Indi ose në Afrikë vdesin me shumicë nga uria por miliona fëmijë vdesin me vullnetin e nënave të  tyre dhe kjo është shkatërruesi më i madh i paqes”, ka cituar Müller Nënë Terezën.

Ekspozita mbi lidhjet e Nënë Terezës me Zvicrën do të qëndrojë e hapur nga e marta 27 shtator e deri të premten, më 7 tetor, gjithnjë gjatë orarit të punës të arkivit.