© 2016 ALBINFO.CH
Feja
Shqiptarët e Zvicrës festuan shenjtërimin e Nënës Terezë
Dy javë pas shenjtërimit në Vatikan, Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore në Cyrih, kanë organizuar një mbrëmje në Bernë për të festuar shenjtërimin e humanistes shqiptare Nëna Terezë.
E shoqëruar nga bashkëpunëtorët e saj, ambasadorja kosovare, e cila sapo ka marrë detyrën në krye të misionit diplomatik të Kosovës në Zvicër, ka pritur në Bernë delegacione, zyrtarë e miq të ndryshëm myslimanë e katolikë, të ftuar në mbrëmjen e së mërkurës, kushtuar shenjtërimit të Nënë Terezë.
Në këtë manifestim kanë marrë pjesë ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Ilir Gjoni, përfaqësues diplomatik të Maqedonisë, ambsadorë të huaj të akredituar në Bernë, si dhe përfaqësues të Misionit Katolik Shqiptar në Zvicër.
Pasi mbaroi pritja e të ftuarve, diplomatja kosovare, Nazane Breca, tashmë në rolin e mikpritëses, pjesëmarrësve iu drejtua me një fjalim rasti, duke shfrytëzuar rastin që për herë të parë të prezantohet edhe si Ambasadore e re e Republikës së Kosovës në Konfederatën Helvetike.
Breca tha se shenjtërimi i Nënës Terezë nga Selia e Shenjtë dhe Papa Françesko në vitin jubilar të mëshirës është shenjtërimi i virtyteve më të mira të njerëzimit.
“Nëna Terezë u shndërrua në sinonim të humanizmit, duke zgjatur dorën për secilin që kishte nevojë pa bërë asnjë dallim. Asaj që secilit i fali shpresën duke e bërë të ndjehet i barabartë dhe i vlerësuar. Asaj që e impresionoi botën anembanë me karizmën dhe vendosmërinë që i buronin nga shpirti, e që ishte shpirti dhe virtyti i kombit, nga gjiri i të cilit ajo lindi”.
Ambasadorja thotë se vitin 2016 do të mbahet në mendje si viti i Gruas shqiptare duke e ndërlidhur me suksesin e arritur të xhudistes së njohur kosovare, Majlinda Kelmendi, këngëtareve Rita Ora dhe Dua Lipa, Era Istrefi, etj.
“Ky vit ne na bëri me të shenjtën tonë Nënën Terezë, me Majlinden e Artë, që i emocionoi jo vetëm shqiptarët, me Ritën, Erën e Duan e shumë të tjera, të cilat ngritën lart imazhin fisnik të grave të vendit tonë. Nga mbretëresha Teutë e deri në ditët tona, gruaja shqiptare në vazhdimësi është shquar për forcën, zgjuarsinë dhe shpirtin e madh të sakrificës, duke u bërë faktor i rëndësishëm i të gjitha proceseve të shoqërisë, si një simbol i pathyeshëm dhe i stampuar mirë në historinë e vendit”, tha ambasadorja e Republikës së Kosovës, Nazane Breca, e cila është zotuar se do t’i përfaqësojë interesat e vendit të saj në Zvicër.
“Do të angazhohem me gjithë fuqinë time për zhvillimin dhe forcimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit dhe raporteve të jashtëzakonshme midis dy vendeve. Kur flas për raporte të jashtëzakonshme midis dy vendeve, kam parasysh raportet pothuajse familjare, të cilat natyrisht janë krijuar përmes diasporës tonë të madhe, që jeton, vepron dhe është e integruar jashtëzakonisht mirë në këtë vend”, ka nënvizuar znj.Breca.
Për të folur për diasporën kosovare, diplomatja nga Kosova ka shfrytëzuar këtë paraqitje të parë për t’i falënderuar për gjithë mundin dhe ndihmën e tyre në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon Kosova, duke i lënë hapësirë të veçantë në fjalimin e saj falënderimit për shtetin e Zvicrës, që i hapi dyert për familjet shqiptare, duke u ofruar atyre një vendlindje të dytë.
“Populli i Kosovës asnjëherë nuk do ta harrojë ndihmën e shtetit të Zvicrës përgjatë kohës së luftës, njohjen e Kosovës si shtet i lirë dhe sovran, sikurse edhe mbështetjen e vazhdueshme ekonomike dhe kulturore. Dhe, vetëm falë ndihmës së partnerëve tanë ndërkombëtarë, siç është edhe Zvicra, Republika e Kosovës sot numëron përparim në të gjitha sferat, duke filluar nga 111 njohje ndërkombëtare, e deri te anëtarësimi në shumë organizata ndërkombëtare. Kjo mbështetje është jetike për shtetin e ri të Kosovës në rrugën e tij të shtetndërtimit”, ka deklaruar Breca.
Për rëndësinë e shenjtërimit të humanistes shqiptare në Vatikan ka folur Don Agim Qerkini nga Misioni Katolik Shqiptar në Lucern.
Qerkini e nisi me identitetin e të madhes Nëna Terezë, që asnjëherë nuk e ka mohuar se është me gjak shqiptare.
“Ajo vetë pati thënë, dhe mendoj që e kemi mësuar përmendësh këtë deklarim të saj: “Me gjak jam shqiptare, me nënshtetësi indiane, sa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes i përkas botës, por zemra ime i përket plotësisht zemrës së Krishtit”, tha Qerkini, duke i njoftuar të pranishmit edhe për një pjesë të biografisë së Nënë Terezë.
“E lindur në Shkup nga prindërit me prejardhje nga Kosova, Kolë dhe Drane Bojaxhiu, Nënë Terezë trashëgoi shumë virtyte nga prindërit dhe familja e vet. Pas vdekjes së hershme e të mistershme të babait të saj, nëna Drane do të udhëheqë familjen. Nënë Tereza kulturën dhe shpirtin altruist e trashëgoi prej saj. Ajo ishte bujare dhe i ndihmonte shumë njerëzit, sidomos të varfrit. Nëna Terezë thoshte: “Në familje jetonim njëri për tjetrin, ishim të bashkuar dhe shumë të lumtur”. Ky identitet i saj na obligon së pari neve shqiptarëve, pastaj të gjithë njerëzit vullnetmirë, që ta kultivojmë frymën e përkujdesjes ndaj njerëzve, që bota të ketë më shumë dritë dhe shpresë”, theksoi kleriku shqiptar nga Lucerni, Don Agim Qerkini.
“Jeta dhe roli i saj prej Nëne shpirtërore, e kushtuar Krishtit, flijuese e pakursyer për të gjithë njerëzit në nevoja të ndryshme, pa asnjë dallim, atë e bëri Shenjtëreshë!”, pohon Qerkini dhe thotë se sot po mburremi për jetën dhe veprën e saj, ngase ajo pasqyroi shpirtin bamirës e paqedashës të popullit tonë.
“Në fytyrën e saj e shohim butësinë dhe dashurinë e nënave tona, ajo reflekton shpirtin e popullit tonë. Ishte “ambasadore”, e cila denjësisht shpalosi vlerat e popullit shqiptar; të vlerësimit të jetës, të dashurisë për familjen, të përkujdesjes ndaj të varfërve, simbol i mirësisë dhe i paqes, para së cilës me nderim përkulim kokën të gjithë”, tha mes tjerash Don Qerkini, duke përfunduar fjalimin e tij me fjalët e Nëne Terezë: “Popullin shqiptar e kam gjithmonë në zemrën time, unë lutem shumë për të, lutuni edhe ju për fukarenjtë e mi”. Le t’i lutemi edhe ne që ta duam njëri-tjetrin me zemrën e saj.
Madhështi kësaj mbrëmje që i është kushtuar shenjtërimit të Nënës Terezë në Bernë i kanë dhënë nxënësit e shkollës shqipe në Ostermundigen, të cilët kanë recituar poezitë e humanistes së madhe shqiptare, ndërsa këngëtarja e xhazit, Elina Duni, ka sjellë para të pranishmëve këngë nga Shkupi, qyteti i lindjes së Gongje Bojaxhiut, e në fund në koktein e organizuar nga Ambasada e Kosovës dhe Qendra Kulturore në Cyrih nuk munguan promovimet e prodhimeve dhe ushqimeve tradicionale kosovare.
E-Diaspora
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për partneritet të fuqishëm Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në forumin Ekonomik Zvicër-Kosovë 2024, ku ishte i ftuar...
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
Jeta në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025 Bazeli verior i Zvicrës do të mbajë një referendum të dielën për milionat e kërkuara për...
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Gjykata Federale: Personat mbipeshë tani mund të marrin pension IV
-
Priten reshje të dendura bore në Zvicër: Këto rrugë tashmë janë mbyllur