Feja

Shqiptarët e Zvicrës festojnë Fitër Bajramin

Disa qindra besimtarë, të të gjitha moshave kanë qenë sot qysh para orës 6 të mëngjesit, për të falur fillimisht sabahun e pastaj për të bërë edhe ceremoninë festive të faljes së Namazit të Fitër Bajramit

 

Si kudo ndër besimtarët myslimanë, festa e Fitër Bajramit u shënua sot edhe në xhaminë e Qendrës Kulturore Shqiptare Islame në Winterthur -Töss.

Disa qindra besimtarë, të të gjitha moshave kanë qenë sot qysh para orës 6 të mëngjesit, për të falur fillimisht sabahun e pastaj për të bërë edhe ceremoninë festive të faljes së Namazit të Fitër Bajramit.

Imami mysafir, i cili ka bërë shërbimet fetare gjatë muajit të Ramazanit, Islam Rexhepi, e ka hapur ceremoninë, duke falënderuar besimtarët për besimin e ofruar dhe duke folur po ashtu për vlerat e agjërimit të Ramazanit.

Ndërsa imami i përhershëm i kësaj xhamie, Ismajl Alili ka vazhduar më gjerësisht duke bërë shkoqitjen e rëndësisë së Festës së Fitër Bajramit si kurorëzim i muajit të Ramazanit. Ai është ndalur në lidhjen që besimtarët, veçanërisht ata që agjërojnë, e krijojnë mes vete, për fisnikërimin që e sjell te njerëzit sakrifica e përbashkët gjatë Ramazanit etj. Kjo lidhje te besimtarët e sinqertë është aq e fuqishme sa që ata ndahen me dhimbje nga Ramazani, i cili ua ka forcuar përbashkësinë, ka thënë veç tjerash iammi Alili.

Fitër Bajrami është festa që festohet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Emri Fitër Bajram vjen nga ajo se myslimanët para ditës së bajramit shpërndajnë lëmoshë (Vitra, siç  njihen në traditën piopullore) solidarizohen me të varfrit, kështu për ta festuar së bashku këtë festë.

Festa e Bajramit manifestohet duke falur namazin e Bajramit.

Namazi i Bajramit është vaxhib për çdo mysliman. Muhammedi i ka kushtuar rëndësi të veçantë duke i urdhëruar myslimanët që të falin këtë namaz.

Koha e namazit të Bajramit fillon me ngritjen e Diellit nga horizonti sa një shtizë, derisa të arrijë në zenit.

Albinfo.ch më vonë do të publikojë një fotoreportazh të gjerë nga falja e Fiter Bajramit në Winterthur.