Lajme

Shqiptarët dhe zgjedhjet në Austri

“Shqiptarët janë treguar të suksesshëm në ndërmarrësi, në muzikë dhe në sport, por në politikë mbetet ende shumë për tu bërë”

Më 29 shtator të këtij viti mbahen zgjedhjet nacionale në Austri. Gjasat që në mesin e 183 deputetëve në Parlamentin austriak të jetë edhe një shqiptare apo shqiptar janë shumë të vogla. Ashtu si dhe deri më tash, edhe këto zgjedhje i gjejnë shqiptarët pa një strategji të qartë se në cilën anë të spektrit politik do të pozicionohen si komunitet. Kandidaturat nga radhët e tyre pritet të mos arrijnë të mbledhin numrin e mjaftueshëm të votave që do të mundësonin hyrjen në organin më të lartë legjislativ të vendit. Në këtë kontekst pyetja që shtrohet është: Cili është potenciali politik i shqiptarëve në këtë shtet, veçanërisht në kohën kur bashkëkombësit e tyre tashmë përfaqësohen me sukses në nivelet më të larta institucionale në Zvicër, Gjermani, Suedi, Belgjikë e gjetiu?

Janë nëntë parti politike që do të garojnë kësaj radhe. Pesë prej tyre përfaqësohen tashmë në Parlamentin e Austrisë. Secila ka një program, të cilin e bën publik disa javë para ditës së zgjedhjeve. Me këtë hapet edhe zyrtarisht fushata parazgjedhore dhe bëhen të ditura kandidaturat në listat zgjedhore, të cilat përpilohen paraprakisht.

Konsiderohet se në Austri jetojnë rreth 100 mijë shqipfolës. Prej tyre pothuajse gjysma janë të pajisur me shtetësi austriake. Me gjithë përpjekjet sporadike, ata nuk po arrijnë të gjejnë format dhe metodat e duhura që do të rezultonin me një përfaqësim thelbësor politik, së paku në proporcion me numrin e tyre. Në këtë proces ata ende po ballafaqohen me sfida nga më të ndryshmet, gjë që po e vështirëson dhe ngadalëson promovimin e tyre si qytetarë të barabartë në raport me popullatën vendase dhe të huajt e tjerë, një pjesë e të cilëve kanë arritur të pozicionohen shumë më mirë në administratën dhe institucionet lokale dhe qendrore.

Përderisa në nivelet më të ulëta, sidomos në disa komuna të vogla dhe aty-këtu në ndonjë qytet pak më të madh, si p.sh: Graci, tashmë ka këshilltarë shqiptarë, në nivelin më të lartë të përfaqësimit kjo mungon. Shqiptarët janë treguar të suksesshëm në ndërmarrësi, në muzikë dhe në sport, por në këtë fushë mbetet ende shumë për t’u bërë. Njëri ndër faktorët kryesorë për këtë është edhe mosinteresimi nga radhët e intelektualëve shqiptarë që të merren aktivisht me politikë. Edhe atëherë kur ndonjëri angazhohet në këtë drejtim emri i tij renditet diku nga fundi i listave zgjedhore. Pjesërisht kjo ka ndikuar që edhe dalja në zgjedhje si votues nga radhët e komunitetit tonë vazhdon të mos arrijë numrat dyshifrorë.

Një momentum i rëndësishëm ishte mobilizim i komunitetit tonë me rastin e zgjedhjeve për Parlamentin e BE-së, në qershor të këtij viti, në të cilat vota e shqiptarëve ishte vendimtare që kandidati i OVP, Lukas Mandl, të rizgjidhet deputet i Parlamentit Evropian. Nga rreth 12 000 votat e mbledhura, një pjesë e mirë e tyre, ato përcaktuese erdhën nga shqiptarët. E tëra kjo mund të kuptohet edhe si falënderim për eurodeputetin Mandl, i cili është njëri ndër lobuesit më të mëdhenj të Kosovës në arenën ndërkombëtar dhe themelues dhe kryetar i parë i Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë. Përvoja e këtij procesi ka mbetur në komunitet dhe kjo është diçka e cila duhet të vlerësohet dhe të përsëritet, në forma të ndryshme, edhe në të ardhmen.

Nga ajo që dihet deri më tani, këtë herë vetëm dy parti (Partia Popullore-OVP dhe Partia Socialdemokrate-SPO) në listat e tyre kanë kandidate shqiptare, njëra në Vjenë, tjetra në Linz dhe një tjetër zonjë në Tirol. Ato janë aktiviste të dalluara në subjektet politike nga vijnë, por jo dhe mjaftueshëm të njohura dhe aktive në bashkësinë shqiptare, në mënyrë që të arrijnë të marrin shumicën e votave të tyre.

Integrimi në shoqërinë vendase nënkupton edhe pjesëmarrje. Në lidhje me këtë duhet apeluar që të gjithë shqiptarët, të cilët posedojnë shtetësinë austriake, të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike dhe më 29 shtator të marrin pjesë në zgjedhje, duke votuar partinë dhe kandidatin e tyre të preferuar.

Pjesëmarrjen e shqiptarëve në këto zgjedhje e bën edhe më të rëndësishme ky fakt: edhe pse atentatori i nëntorit të vitit 2020, me ç’ rast, pas një sulmi në një sinagogë hebrenje në Vjenë u vranë pesë persona, e po ashtu edhe i dyshuari kryesor për planifikimin e sulmit vetëvrasës në koncertin e Taylor Swift në gusht të këtij viti ishin shqiptarë me prejardhje nga Maqedonia e Veriut, populli austriak në asnjë rast nuk fajësoi komunitetin shqiptar për këtë.

Edhe pse ëndrra se në një të ardhme të afërt do t’i duartrokasim deputetit të parë shqiptar në Parlamentin e Austrisë vazhdon të mbetet e largët, ajo nuk është e pamundur. Qofshin këto zgjedhje një hap përpara në këtë drejtim!

 

 

Anton Marku ka përfunduar studimet master në shkencat politike në Universitetin e Vjenës. Për katër vjet (2009-2013) ka shërbyer si diplomat në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri