Opinione
Shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, regjistrohuni!
Mërgimtarët do të regjistrohen dhe do të tregojnë se nuk janë më vetëm numra dhe do të kthejnë dinjitetin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut
Regjistrimi i popullsisë është operacion i rregullt statistikor në Maqedoninë e Veriut, me të cilin, në intervale të rregullta kohore (zakonisht në çdo 10 vjet) bëhet regjistrimi zyrtar i popullsisë së vendit. Këtë herë, ai po zhvillohet për herë të parë edhe jashtë vendit, pas dy dekadash tensionesh etnike në këtë republikë, dhe sërish është prolonguar për shtator për shkak të pandemisë.
Nga 1 marsi 2021 ka filluar regjistrimi i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që janë pjesë e diasporës. Pra, qytetarët që jetojnë jashtë vendit do të regjistrohen si popullsi jorezidente e shtetit. Ky proces jashtë vendit do të zgjasë deri shtator 2021. Ndërkohë, thirrjet drejtuar shqiptarëve të mërgatës vazhdojnë nga të gjitha anët e botës, nga të gjithë liderët në Kosovë, Shqipëri e gjetiu, në Evropë e Amerikë. Përfundimisht duhet të dihet sa është numri real i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut… Tanimë nga blloku maqedonas vijnë sinjale se nuk është më fjala për një operacion të thjeshtë statistikor, por politik. Mobilizimi i mërgatës bie në përgjegjësinë kombëtare të secilit, nëpër shoqata, klube dhe xhami.
I madh e i vogël kanë ofruar mbështetjen e tyre për këtë proces, në mënyrë që diaspora të tregojë edhe një herë se është pjesë e pandashme e këtij vendi. Po ndodh kjo, përkundër faktit se nga politikanët e atjeshëm për 18 vjet u detyruan të migrojnë rreth 300 mijë shqiptarë për një jetë më të mirë. Diaspora do të tregojë edhe një herë se kazermat e shndërruara në shkolla mbeten të zbrazëta në Maqedoni nga politikanët shqiptarë që për 18 vjet nuk krijuan një sistem të denjë edukimi. Mërgimtarët do të regjistrohen dhe do të tregojnë se në vendin e tyre që e braktisën, munguan investimet, edhe pse për çdo vit dërguan mbi 1 miliard euro remitenca për familjet e tyre. Mërgimtarët do të regjistrohen dhe do të tregojnë se nuk janë më vetëm numra dhe do të kthejnë dinjitetin e shqiptarëve të Maqedonisë.
Shqiptarët e migruar, duke u regjistruar në mënyrë masive, do të tregojnë se politikanët shqiptarë duhet t’i trajtojnë të barabartë me qytetarët e tjerë edhe kur nuk ka zgjedhje apo operacione regjistrimi. As edhe një projekt nuk është parë ndër vite për integrimin e diasporës si potencial ekonomik. Mërgimtarët mbetën edhe pa shërbimet e tyre në përfaqësitë konsullore dhe diplomatike të Maqedonisë. Mërgimtarët, edhe pse gëzojnë të drejtën për të votuar, mbetën edhe pa përfaqësuesin e tyre në Parlamentin e Maqedonisë për shkak të një kodi të mbrapshtë zgjedhor.
Përqindja e saktë e popullsisë, e cila deri sot ka mbetur enigmë nga politikat nacionaliste maqedonase, do të ndikojë në rritjen e kërkesave dhe politikave të shqiptarëve, të cilat zhvillohen në Maqedoni. Sepse ky proces nuk është vetëm statistikor, por edhe politik, por kjo nuk do të bëhet pa mërgatën që politika e dëboi për 18 vjet.
Përkundër sabotimit që po vjen nga opozita maqedonase, mërgimtarët, me regjistrimin e tyre masiv, do të tregojnë se janë element shtetformues në këtë shtet dhe duhet të gëzojnë të drejtat e tyre, në një barazi politike dhe ekonomike me maqedonasit.
Numri i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut shpesh është politizuar dhe ky politizim si shënjestër ka pasur dekurajimin e popullatës shqiptare për ta tkurrur peshën e saj kushtetuese dhe politike. Peshë kjo që do të jetë përcaktuese për fuqinë që shqiptarët do ta kenë mbi vendimmarrjen dhe pjesëmarrjen në atë shtet.
Sido që të jetë, mënyra më e mirë është që shqiptarët e mërgatës të kryejnë këtë obligim në formë elektronike, duke regjistruar familjet e tyre dhe duke treguar se nuk janë vetëm numra.
Regjistrimi i popullsisë për herë të fundit ishte realizuar në vitin 2002. Sipas të dhënave të këtij procesi në Maqedoni të Veriut dolën të ishin 2,02 milionë banorë, prej të cilëve 64% maqedonas, 25% shqiptarë dhe pjesa tjetër etnitete të tjera.
Një proces i njëjtë statistikor dështoi në vitin 2011, si pasojë e mosmarrëveshjeve që dolën në mesin e anëtarëve të Komisionit për Regjistrim rreth metodologjisë së përdorur gjatë regjistrimit në terren. E kjo kishte të bënte kryesisht me përfshirjen ose mospërfshirjen në regjistrim të atyre që janë me qëndrim jashtë vendit.
Statistikat në Zvicër të vitit 2019 flasin për një shifër prej 67 010 qytetarësh nga Maqedonia e Veriut, që jetojnë në vend, por duke marrë për bazë lëvizjet e popullatës, kjo shifër mund të jetë dyfishuar në vitin 2021, duke përjashtuar ata që tashmë janë natyralizuar.
Sevdail Tahiri, drejtor i platformës albinfo.ch (Online&Print)
E-Diaspora
-
Frankfurt: Agnesa Kolica, fituese e “Çmimit për Integrim” Ky çmim është një shembull i shkëlqyer për diasporën tonë...
-
Gjermani: Festohet 112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
-
Një yll në ngritje: Fiona, sopranoja e verbër, me zë brilant
-
Londër: Shënohet 112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
-
Pesë gjeodetë nga Kosova magjistrojnë në Vjenë
Jeta në Zvicër
-
Ushtria zvicerane merr 500 milionë CHF financim shtesë Ushtria zvicerane do të ketë 530 milionë CHF më shumë se sa pritej për investime në...
-
Gjermania lëviz për ta bërë jetën më të lirë për blerësit nga Zvicra
-
I kanë marrë priftit 300 mijë franga, me mashtrim: Dënohen dy kosovarë
-
Zvicër: Më shumë fuqi vjen nga dielli
-
Nesër, në Cyrih, protestë e heshtur kundër paraqitjes së Vuqiçit në Zvicër