Futboll

“Shqiponjat” nga Aarau për vizitë në Kosovë

Skuadra shqiptare “Eagles” nga Aarau të Zvicrës po qëndron në Kosovë me ftesë të Avdi Sadiku dhe nënkryetarit z. Kreshnik Shabani, të KF Vjosa.

Gjatë qëndrimit katër ditor, ata do të zhvillojnë stërvitje dhe njëherësh do t’i zhvillojnë edhe tri takime miqësore me skuadrat e futbollit të Kosovës, me Ballkanin e Suharekës, Ferizajn dhe Vjosën, përcjell albinfo.ch.

Sot nga ora 14:30, zhvillohet lojë miqësore në mes të KF “Ballkani” Suharekë dhe FC “Eagles” Aarau, ndeshja zhvillohet në Stadiumin e Qytetit të Suharekës.

Programi gjatë ditëve në vijim:

Gjatë ditës së premte, më 1 mars, skuadra e mërgimtarëve tanë nga ora 14:30, do të zhvillojë stërvitje në stadiumin e qytetit në Shtime.

Të shtunë, më 2 mars nga ora 12:00 do të zhvillohet lojë miqësore në mes të klubit nikoqir KF”Vjosa” nga Shtimja dhe FC “Eagles” nga Aarau.

Nga ora 14:30 do të zhvillohet lojë tjetër miqësore në mes të KF “Ferizaj” dhe FC “Eagles”.

Ndërsa, duke filluar nga ora 16:00 do të bëhet dorëzimi i një donacioni nga Klubi zviceran për Klubin Shtimjan. Me një ceremoni ku prezent do të jenë kryetari i Komunës dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, ku shënon fundin e këtij kampi stërvitor nga FC “ Eagles” .